|
|
VIZITA
BARITORE NË BARDHAJ
Më 15 mars, pasdite, imzot Angelo Massafra, arqipeshkëv i dioqezës
Shkodër-Pult filloi vizitën e vet baritore në fshatin e Bardhajve ku
punojnë meshtarët e shën Luigj Oriones dhe motrat oblate të Zojës
Rruzare. Ky fshat i ndërtuar vonë është i banuar krejtësisht prej
katolikësh të zbritur nga malet e Dukagjinit, nga zona e Tropojës dhe
ajo e Pukës. Është një bashkësi heterogjene e përbërë nga familje që
vijnë prej shumë fshatrave dhe zonave të ndryshme, ende në fazë
sistemimi. Disa banojnë këtu tashmë prej vitesh, të tjerët prej pak
muajsh, të tjerë janë duke mbërritur. Papunësia është e madhe dhe po
ashtu edhe emigrimi drejt Greqisë dhe Italisë. Për të krijuar një
bashkësi duhet punuar shumë dhe do të duhet ende shumë kohë e durim por
terreni është i mirë dhe premton fryte të mira feje e dashurie.
Takimi i parë u është kushtuar fëmijëve që ndjekin katekizmin e
përgatitjes për sakramente, janë rreth 250 dhe e kanë mbushur kishën me
një entuziazëm të gëzueshëm. Disa prej tyre, në emër të të gjithëve,
kanë lexuar një përshëndetje dhe i kanë dhuruar një tufë të bukur lulesh
ipeshkvit, i cili e ka vendosur atë te këmbët e Zojës Rruzare së cilës i
është kushtuar kisha.
Pas një katekeze të alternuar me këngë dhe pyetje që e kanë bërë më
interesante atë, mbi temat e dëshmisë së krishterë që çdo fëmijë është i
thirrur të japë në mjedisin ku jeton, dhe pasi është folur për thirrjen
në meshtari e në jetë rregulltare, u zhvendosëm të gjithë në orator e në
fushën e futbollit të vogël. Arqipeshkvi dha shkelmin e fillimit të
turneut “Don Orione” mes dy skuadrave të gatshme për të luftuar për
fitore dhe me nxitjen e shumë spektatorëve. Shpërndarja e karameleve për
të gjithë mbylli ditën e parë. Dita e dytë, e premte 16 mars, ka qenë
shumë e dendur dhe e pasur me takime. Vizita e parë i është rezervuar
shkollës profesionale Don Orione përbri kishës, e dyta shkollës
nëntëvjeçare të fshatit dhe në përfundim të paradites qe vizita në
kopshtin e motrave. Fëmijët, profesorët dhe edukatorët ishin shumë të
kënaqur që mikpritën dhe dëgjuan ipeshkvin i cili kishte ardhur për t’i
vizituar, bekuar e nxitur realitetet edukative të pranishme në atë
territor.
Kudo u përgatitën letra përshëndetjeje, valle popullore, këngë e drama
të vogla të vëna në skenë prej nxënësve të cilët i bënë më të gëzueshme
momentet e vizitës. Pasdite Udha e Kryqit me shumë besimtarë është bërë
në varrezat e fshatit. Imzot Massafra, i shoqëruar nga atë Giuseppe De
Guglielmo, famullitar i bashkësisë, komentoi ndalesat e ndryshme duke i
nxitur të gjithë që të ndiqnin Krishtin zemërbutë e të përvuajtur. E
shtuna pasdite, 17 mars, iu kushtua një fshati tjetër, 3 km larg, që
quhet Bardhanjor. Janë familje që banojnë e punojnë këtu prej shumë
vitesh dhe përbëjnë një bërthamë kompakte. Mesha e shenjtë u ndoq prej
takimit me njerëzit të cilët kërkuan një kishë, sepse prej vitesh
kremtohet në një shtëpi të vjetër që është pronë e kishës. Arqipeshkvi e
mori shënim këtë kërkesë të cilën e quan të drejtë, edhe pse për
momentin nuk mund të realizohet sepse ka përparësi të tjerë, por
ndërkohë i ka ftuar të gjithë të formojnë një bashkësi të bukur që
lutet, dëgjon fjalën e Hyjit dhe kremton eukaristinë. Në mënyrë të
veçantë i ka ftuar burrat ta ndjekin më shumë kishën sepse shpesh nuk
shihen.
Të dielën, më 18 mars, qe kremtimi solemn në Bardhaj. Së pari ipeshkvi
bekoi këmbanat e montuara prej pak ditësh që me tingujt e tyre të
kumbueshëm, i ftojnë njerëzit në rite. Kisha ishte e mbushur plot me
besimtarë që kishin ardhur për të dëgjuar bariun që po vizitonte këtë
bashkësi. Vlera e pagëzimit, zbatimi i urdhërimeve (të gjithave),
respektimi i personave dhe familja janë katër pikat që arqipeshkvi
paraqiti dhe propozoi kudo së bashku me temën e mëshirës të nxjerrë prej
ungjillit të ditës me shëmbëlltyrën e “Djalit plangprishës”. Pasdite
takimi me të rinjtë përfundoi vizitën baritore. Menjëherë erdhi
vetvetishëm krahasimi me atë të bërë para 5 vjetësh, në vitin 2002, në
të njëjtën periudhë, nga 17 deri më 19 mars. Atëherë u kremtua në oborr
sepse kisha nuk ekzistonte, kishte vetëm një kasolle tullash dhe
llamarinash që ishte frigorifer në dimër e furrë në verë, sa për të
thënë se nuk ishim përjashta dhe që nuk mbante më shumë se 150 vetë. Që
nga 7 tetori 2006 kemi gati një katedrale që çdo të diel mbushet me
besimtarë. Nuk kishte orator, as qendër rinore, as shkollë profesionale
e as shkollë 9-vjeçare publike, e cila u përurua në shtator 2006. Edhe
varreza, me ndihmën e disa bamirësve, është rrethuar e rregulluar, tani
mungon vetëm kapela, projekti për të cilën është paraqitur e bekuar prej
arqipeshkvit. Më parë mesha e shenjtë kremtohej vetëm një herë në javë,
tani çdo ditë. Vërtet Zoti ka bërë gjëra të mëdha për këtë bashkësi që
deri pak kohë më parë nuk kishte asgjë dhe kishte një nam shumë të keq
në të gjithë zonën. Bashkësia është duke u rritur edhe shpirtërisht,
janë të shumtë ata që përgatiten për sakramente, që ndjekin vazhdimisht
meshën e të dielës, prindërit e fëmijët po fillojnë ta çmojnë më shumë
rëndësinë e arsimit, të kulturës, gati të gjithë djemtë e vajzat në
moshën e detyruar shkojnë në shkollë dhe një grup i mirë ndjek edhe
shkollën e mesme. Të gjithë janë më të shoqërueshëm e të qetë. Ecja që
duhet bërë është ende e gjatë, por me ndihmën e Hyjit dhe ndërmjetësimin
e Zojës Rruzare e të Shën Luigj Oriones themi “Të falemi Mari e
përpara”. Faleminderit, imzot, për bekimet, fjalët dhe nxitjen që vizita
juaj na ka dhënë.
Don Rolando
Reda, orionin
titujt kryesore |
|