ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITA BARITORE NË GRUDË E RE

 

 

         Në kuadrin e vizitës baritore që arqipeshkëvi ynë mons.Angelo Massafra ka ndërmarrë në dioqezën Shkodër-Pult, arriti që prej datës 22.03-25.03.2007 të jetë në famullinë e Grudës së Re, ku famullitari është P.Giuseppe Ferrara dhe shërbejnë motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore. Në plan-programin e kësaj vizite u perfshin edhe fshatrat si Golem, Shtoj i Ri, Shtoj i Vjetër (Vinotekë). Ardhja e monsinjorit midis nesh gjatë këtyre ditëve dhe kujdesi i veçantë për aspekte të ndryshme të jetës tonë shoqërore ishte një plus për forcë në shpresë, për bashkim në fe dhe për nxitje në dashuri të ndërsjellët.

         Ai, si figura më e lartë e kishës tonë lokale, zëvendës i Krishtit, Bariu ynë, me dëshminë dhe impenjimin e tij u ka bërë të qartë besimtarëve se prania e Zotit është kudo dhe në çdo fazë të jetës së tyre. Kjo është parë në plan-programin e vizitës, ku e ka filluar takimin me fëmijët e kopshtit, të cilët e kanë pritur me program; me familjet e tyre, ku ka cekur rëndësinë e edukimit fillestar dhe të bashkimit familjarë.

        Me një nderim dhe vlerësim të thellë, monsinjori është pritur nga stafi i mësuesve dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare, të cilët ardhjen e tij e kanë krahasuar me ardhjen e pranverës, me çeljen e luleve , duke pohuar se pranverë është vetë jeta që ai predikon dhe lulet janë ata (fëmijët) që do të marrin në dorë stafetën e paqes dhe do t’ua përcjellin brezave. Vizita e monsinjorit në shkollë ka përkuar me ditëlindjen e tij dhe me këtë rast nuk kanë munguar urimet e përzemërta dhe përcjellja e një mesazhi jetësorë: “Do të jemi simbol i paqes dhe i mirëkuptimit midis besimeve, sepse të gjithë kemi nevojë për Zotin, Zoti ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për njeri-tjetrin.

         Shumë me kënaqësi e kanë përjetuar të rinjtë e grup-moshave të ndryshme të katekizmit momentet me bariun e tyre, i cili me thjeshtësi i ka pritur pyetjet dhe me mendimet e tij i ka mbushur me një zell të flaktë të krishterë. Gjithashtu, u ka bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm në sfidat e jetës. Përballë ndryshimeve që sjell modernizmi mos të harrohen impenjimet tona dhe vlerat e jetës së krishterë.

        Është për tu admiruar edhe angazhimi për zhvillimin intelektual, shoqërorë, për përgjegjësitë njerëzore. Kjo është shprehur në takimin që është organizuar me intelektualët dhe mësuesit e fshatit, të cilët monsinjori i ka nxitur në përgjegjësinë e detyrës së tyre dhe për bashkëpunimin në iniciativat e ndryshme edukative-humane (p.sh. për ato fëmijë që nuk mund të shkojnë në shkollë, për të sëmurët etj.)

        Ditën e Diel (25.03), sipas programit të vizitës baritore, meshën shenjte e udhëhoqi monsinjori. Para meshës u organizuan një program përshëndetës dhe falenderimi, ku ndër të tjera u paraqit me gjeste nga të rinjtë qëndresa e fesë së Kishës tonë katolike-apostolike, ku drita nuk fiket dhe shpresa mbetet e gjallë. Ndërsa në homelinë gjatë meshës, monsinjori bëri thirrje mbi katër porosi: mbi pagëzimin, urdhërimet e Zotit, mbi dashurinë dhe familjen. Këtë të fundit e analizoi në bisedën që mbajti pas meshës me besimtarë, ku foli për rrolin e familjes në edukim, për dialog brenda saj, për shkollimin e vajzave, për martesën e tyre para moshës së ligjshme, u vlerësua liria, besimi dhe besnikëria e prindërve ndaj fëmijëve dhe e fëmijëve ndaj prindërve.

            Më 26, në festen e Zojës Nunciatë, kemi patur takimin me Kryetarin e Komunës “Rrethina”, ishin të pranishën Arqipeshkvi, Atë Giuseppe, famullitari i Grudës se Re, Atë Giuseppe De Guglielmo, famullitari i Bardhajve, Atë Luigj, Përghjegjes e Famullisë se Hotit të Ri dhe motra Drita, eprorja e Motrave të Hotit të Ri. Pas takimit Arqipeskvi ka vazhduar vizitën të sëmurëve.

         Pra me ndjesinë e plotë mund të themi se praninë e bariut tonë Angelo Massafra e kemi përjetuar si dora e shtirë e Zotit, e cila kujdeset për grigjën e vet duke i dhënë këtij populli një “ledhatim shpirtërorë”  me anë të të cilit së bashku gëzohemi në Zotin dhe me një vullnet hyjnorë ecim drejt të ardhmes. 

 

Motër Florinda 

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster