|
Më 2 mars, si zakonisht, u bë
kujtimi i Besëlidhjes së Lezhës, në Sheshin dhe në Memorialin. U
çua flamuri me Këngën kombëtare dhe me vallëzime të
adoleshentëve. Kryetari i Bashkisë, Z. Viktor Tusha mori fjalën
e tha:
“Të nderuar pjesëmarrës, sot është
një ditë e shënuar, jo vetëm apër qytetin e Lezhës dhe qytetarët
e tij, por dhe për mbarë kombin shqiptar. Festojmë 566 vjetorin
e Kuvendit të princave shqiptar, të cilët të udhëhequr nga
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bashkuan mendjet dhe energjitë,
forcat, financat dhe çdo gjë në luftë kundër hordhive otomane.
Para 566 viteve, qyteti ynë pati
një vëmendje epokale. Ai hyri në historinë e lavdishme të këtij
kombi, si vendi i bashkimit të të gjithëve kundër armikut të
përbashkët, si vendi ku mblidhen njerëzit e mençur dhe të urtë
për të kuvenduar dhe për të marrë vendime të rëndësime për të
ardhmen e vendit. Në këtë vend dhe nga ky vend shkroi historinë
më të lavdishme të kombit tonë, histori e cila jeton e gjallë me
gjithë lavdinë e saj në kujtesën e shqiptarëve. Lavdia e saj u
gdhend falë aftësive strategjike të udhëheqësit të shqiptarëve,
falë gjakut të derdhur dhe sakrificave të mundimshme.
E gjithë kjo në emër jo të
urrejtjes për një popull tjetër, por të dashurisë për vendin e
tij dhe popullin e vet. Dhe në emër të kësaj dashurie, për 25
vjet me radhë, u bë tmerri i pushtuesve otomanë dhe sulltanëve
të tij.
Ai zgjodhi Lezhën si një vend i
garantuar dhe i besës, si vend bujar dhe mikpritës, si një vend
strategjik për të ndërtuar perandorinë e tij të suksesit dhe të
fitoreve. Por ai i dha Lezhës shumë më tepër se i mori. I dha
krenari e lavd, e lartësoi emrin e këtij qyteti në piedestalet
më të larta dhe të nderuara të kombit. Kjo është dhe arsyeja që
përsëri zgjodhi Lezhën e pikërisht këtë vend, ku do të prehej i
qetë për të kaluar në të jetën e përtejme.
Një kishë shumë e thjeshtë, por që
është dëshmitare e asaj historie epope, një varr ndër më të
thjeshtit në Shqipëri, por që ka mbajtur brenda njeriun më të
fuqishëm, heroin e vetëm kombëtar të shqiptarëve, një vend që ka
merituar pak më tepër vëmendje nga autoritetet për shkak të
madhështisë që mbart në vetvete.
Meriton heroi ynë kombëtar shumë
më tepër se kaq sa i kemi dhënë, kjo jo vetëm për ta nderuar
Gjergj Kastriotin dhe kuvendin e tij historik, por se kështu
nderojmë veten dhe lartësojmë historinë e kombit tonë.
Lavdi kësaj date historike që e
pagëzoi Lezhën me emrin e Besëlidhjes dhe i dha Shqipërisë emër
të nderuar në Evropë dhe më gjerë. Lavdi figurave të nderuara të
këtij kombi. Rroftë Shqipëria!”
Pas mori fjalën Arqieshkëv
Metropolit i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, i cili dha
këtë mesazh: “Shumë të nderuara Autoritete Të nderuara Zonja dhe
Zotërinj,
Sa herë që vij në këtë Memorial
jam thellë i prekur në shpirt dhe ndiej gëzimin e takimit
shpirtëror me një pasuri të paçmueshme të kombit tonë e të
popullit tonë sepse këtu pushon Heroi ynë Kombëtar – Gjergj
Kastrioti. Ky Memorial tregon heroizmin e Gjergj Kastriotit –
pra, dashurinë e tij për kombin si dhe angazhimin e Tij për të
bashkuar Princat e fiseve shqiptare.
Sot kujtojmë, pikërisht,
përvjetorin e Kuvendit të Lezhës.Gjergj Kastrioti njëmend pushon
në këtë Memorial, por nuk hesht. Edhe sot na flet. Si
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult, sa do të doja që ata, të
cilët sot kanë në dorë fatet e popullit tonë, të punonin më
shumë me idealet e të parëve.
Sa do të doja që Politikanët tonë
të kuptonin se Shqipëria nuk është produkti i tyre, por është
ëndrra e brezave të Arbrit që këtë tokë e kanë dashur më shumë
se jetën dhe fëmijët e tyre.
Dhe si ipeshkëv i Kishës Katolike,
i lutem Zotit dhe Pajtorëve tanë, Martirëve dhe Shenjtërve
shqiptarë që Shqipëria të përparojë në çdo aspekt.
Që t'u kthehet kuptimi i së mirës
së përbashkët: dhe urgjentisht Burrat dhe Gratë e Shtetit të
ndërtojnë dialogun e sinqertë dhe frytdhënës; dhe që të gjithë
të angazhohemi për mirëkuptimin dhe përparimin e Shqipërisë, për
të tejkaluar sa më shpejt krizën aktuale politike dhe ekonomike.
Urime dhe
faleminderit të gjithëve”.
titujt kryesore |