|
|
Njeriu është
gjithmonë në ecje, i krishteri është i vetëdijshëm që duhet të
mos ndalet kurrë dhe është i vetëdijshëm drejt kujt ecën. Të
njëjtën dëshirë për të ecur e kemi edhe ne rregulltaret; nuk
ndalemi kurrë, sepse sytë tanë janë të fiksuar drejt
pikëmbërritjes, drejt qëllimit që është Krishti, dhëndri ynë
Hyjnor. Edhe këtë vit Kisha na ka ofruar një itinerar formimi
shpirtëror e njerëzor dhe ne i jemi përgjigjur kësaj dhurate me
gatishmëri. Jemi të bindura që bukurinë e përkushtimit tonë dhe
Personin të cilit i kemi dhuruar jetën, nuk do të arrijmë ta
njohim plotësisht, por jemi të sigurta që çdo moment që na
ofrohet është një rast për ta njohur, është një “shans” për ta
dashur, për ta falënderuar për besnikërinë e tij të amshueshme
dhe për të ripërtërirë “po-në” tonë.
Prandaj më 13
nëntor kemi bërë takimin e parë në seminarin ndërdioqezan në
Shkodër. Ishim rreth 37 motra. Ishte një moment i bukur kur nga
kongregata të ndryshme jemi gjetur të gjitha së bashku, jemi
takuar, kemi bashkëndarë me pasion te veçantë misionin tonë,
kemi gëzuar për njëra-tjetrën, kemi bashkëndarë shqetësimet tona,
kemi dëgjuar njëra-tjetrën, kemi shikuar në sy njëra- tjetrën e
kemi takuar dashurinë e Krishtit. Kemi mirëpritur me gëzim
motrat e reja dhe me to e kemi falënderuar Zotin që vazhdon ta
bekojë popullin shqiptar dhe secilin prej nesh me dhuratën e
thirrjes. Ditën e shtunë kemi pasur në mesin tonë don Lorenzo
Rossetti-n, i cili ka trajtuar temën:”Ky është Biri im i dashur,
dëgjojeni” dhe na ka folur për njerëzimin e Jezusit, misterin e
Jezusit, dhe për Jezusin si shpëtimtar. Na ka dhënë mundësinë të
rizbulojmë edhe një herë Jezusin si njeri, i cili bëhet i tillë
për të ecur me ne dhe kërkon që ta njohim si Hyjin e jetës sonë,
i cili do dhe merr dashuri si njeri, por thotë që Ai është
dashuria e vërtetë. Shqetësohet me ne si njeri, por na thotë unë
e kam shpëtuar botën dhe jam Hyj. Pastaj si gjithmonë kemi
jetuar disa momente bashkëndarjeje dhe reflektimi në grupe. Kemi
mbyllur pasditen tonë me meshën e shenjte duke e falënderuar
Zotin për këto momente dhe duke vendosur në duart e tija jetën
tonë të kushtuar atij dhe misionit që Ai vetë na e ka besuar që
Ai ta shenjtërojë dhe ta plotësojë atë që ne nuk arrijmë ta
bëjmë. Pas darke secila prej nesh ka kërkuar të animojë grupin
me lojëra, këngë e barceleta. Ky ka qenë takimi I parë.
Ndërsa me datë
23 jemi mbledhur edhe një herë të gjitha. Këtë herë takimi është
udhëhequr nga atë Mario Imperatore i cili ka trajtuar këto tema:
''Katekumenati dhe jeta e Kushtuar, Jeta e Kushtuar dhe
Këshillat Ungjillore (Kushtet), Kushtet dhe Bashkësia, Bashkësia
dhe Misioni'', me anë të të cilave na ka ndihmuar të rizbulojmë
thirrjen në jetën e Kushtuar si përmbushje të thirrjes
Pagëzimore. Si gjithmonë kemi pasur mundësinë të bashkëndajmë së
bashku momente lutjeje, bashkëndarjeje dhe argëtimi. Ditën e
diele jemi përshëndetur e secila prej nesh është kthyer në
bashkësinë dhe misionin e saj me sigurinë që jemi gjithmonë të
bashkuara shpirtërisht!
Motër Violeta
Tushaj dhe motër Alma Zogu
titujt kryesore |
|