ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Françeskani Ate Ambroz Martini, nderroi jete

 

 

 

U nda nga jeta At Ambroz Martini, një prej françeskanëve të vjetër që kanë punuar gjatë gjithë jetës me përkushtim për t'i shërbyer jo vetëm Kishës katolike, por edhe ruajtjes e përhapjes së vlerave të kulturës së popullit shqiptar.

At Ambroz Martini u lind më 02.12. 1928 në fshatin Theth të Dukagjinit, në një familje të thjeshtë malësore, por e pasur me virtyte burrërore, me ndjenjën historike, shpirtërore, kombëtare dhe shqiptare.

Shkollën fillore At Ambrozi e mbaroi në Theth të Shalës, në shtëpinë e Ujkë Hasanit me mësues Karlo Ljarja. Më pas, në vitin 1938 kalon në shkollën françeskanë në kolegjin Françeskan dhe veshi zhgunin në vitin 1939 prej duarve të At Anton Harapit. Në formimin e tij ndikuan figura të njohura të fançeskanëve si: At Anton Harapi, At Antonin Fishta, At Mati Prenushi, At Agostin Ashiku etj. Më 1944 filloi noviciatin në Troshan dhe pastaj u kthye në Shkodër. Më pas vazhdon liceun françeskan Ilrycum në Shkodër. Në vitin 1946 ishte student dhe gjendej në kuvendin e Gjuhadolit por qe dëbuar me forcë prej aty sepse ky kuvend u shndërrua në burg prej regjimit komunist dhe me forcë u dërgua të kryejë shërbimin ushtarak në Tiranë. Më 26. 07. 1948 u arratis nga Shqipëria bashkë me piktorin e madh Lin Delia, edhe ai student klerik si At Ambrozi me dëshirë për t'ju kushtuar Zotit. Më vonë rrugët u ndanë: Lini u bë piktor duke nderuar vendin e tij, ndërsa At Ambrozi u bë Françeskan që të formonte shpirtin e kombit të tij. Falë kësaj miqësie të At Ambrozit dhe të At Daniel Gjeçaj më këtë piktor, kemi koleksionin më të madh të krijimeve artistike të Linit që gjendët në Shqipëri, pranë Kuries Provinciale në Shkoder.

Nga viti 1949-1951 ndoqi studimet në universitetin e Arteve të Bukura në Herceg Novi. Më pas u emërua mësues në Shën Vladimir (afër Ulqinit). Më 1952 paditet dhe arrestohet, sepse shkonte në kishë për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë. Për gjashtë muaj e dërguan në Plevlien e Sanxhakut, pika ku takohen Bosnjë-Hercegovina, Serbia e Mali i Zi. Këtu ndenji i internuar bashkë me 64 burra e gra shqiptarë të konsideruar armiq. Në dhjetor të atij viti, me të dalë prej burgu, shkon në Pejë, Vitomiriç me At Daniel Gjeçajn dhe meshtarë të tjerë. Në 1953 niset për në Universitetin e Beogradit për të studiuar "Gjuhët Klasike" (greqisht e latinisht), ku pati fatin të takohet edhe me studentë të tjerë shqiptarë, si: Martin Camaj, Dom Zef Oroshi dhe  At Bernard Sarreqi. Në fillim të vitit 1955 At Ambrozi shkon në Romë dhe pas dhjetë vitesh të gjata pritjeje vishet përsëri me zhgunin françeskan dhe fillon Teologjinë në Fiezole të Firences. Me privilegj të veçantë, për shkak të moshës, më 29. 06. 1957 u shugurua meshtar. Mbaron vitin e pestë të Teologjisë në Oservanca të Sienës dhe regjistrohet në Firence në Universitet për të vazhduar "Gjuhët Klasike". Ushtroi shërbimin meshtarak në Romë për disa vite dhe pastaj në vitin 1970 u nis për në Kaliforni. Prej këtu u transferua në Bruksel, ku u shërbeu shqiptarëve, qoftë në anën shpirtërore, qoftë në anën kulturore për 25 vjet me radhë dhe më pas u kthye në Itali, në Monte Katini, ku dhe qëndroi 3 vjet. Në vitin 2000, pas një mërgimi të gjatë dhe të dhimbshëm, kthehet përfundimisht në Atdheun e tij të dashur, të cilin kurrë se kishte harruar dhe qe caktuar në Kuvendin Françeskan Zoja Rruzare. Në vitin 2004 transferohet në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në shërbim të besimtarëve dhe të fretërve dhe më 04. 02. 2010 kaloi në amshim, duke u kthyer te shtëpia e Atit qiellor. U varros në varrin e fretërve te Kisha Zoja Rruzare – Arra e Madhe, më 06. 02. 2010.

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster