ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
Krishti u ngjall, Alleluja

 

 

 

Bij e bija fort të dashur,

Me gëzim të madh edhe këtë vit po ju drejtohem të gjithëve ju për t'iu uruar sinqerisht dhe përzemërsisht Përshumëvjet Pashkën në gëzimin e Krishtit të ngjallur.

Fort të dashur, kjo është një siguri, kjo është feja jonë, kjo është e ardhmja e jetuar në të tashmen, e ardhmja për të cilën jemi të thirrur. Patjetër, në Pashkën e sivjetshme, mendimi im shkon te shumë vëllezër e motra që kanë përjetuar përvojën e tmerrshme të përmbytjes në muajt që kaluan dhe që akoma vuajnë dëmet e shkaktuar nga ky shkatërrim.

Por nuk mund të rri, nga njër anë, pa ju inkurajuar sidomos ju bij të dashur, që të jeni të sigurtë se nuk jeni të vetëm, nga anë tjetër, pa falënderuar Meshtarët dhe Motrat, të cilët ju kanë qenë afër në ato ditë t vështira. Përvoja e Pashkës është gjithnjë një përvojë çlirimi me ngjalljen e Tij. Ka kaluar vdekja... kjo është Pashka.

Kjo është shpresa jonë e guximshme dhe këmbëngulëse. E nuk është marri ta themi, ta përsërisim dhe ta shpallim. Shpesh e jetojmë jetën tonë thuajse në zemër kemi atë shkëmbin që mbyll varrin e Lazrit: prandaj lutem, për mua dhe për secilin prej jush, që çdo ditë të jetës sonë, sido që të jetë situata jonë, të dimë të rilindim nga rrënojat tona për të kuptuar se vetëm Zoti i Ngjallur mund ta bëjë të re jetën tonë, mund të na japë gëzimin e të ndierit në shtëpinë tonë vetëm në praninë e Tij.

Jezusi është ngritur nga varri në mënyrë që ne të mund ta gjejmë sërish guximin për t'u ngritur nga varret tona, nga varret e frikës dhe trishtimin tonë, nga dorëzimi dhe ankesat tona. Të ringjallesh do të thotë të ngrihesh edhe një herë e të kesh guximin ta rifillosh jetën. Të ngrihesh nga dobësia jote dhe të lësh mëkatin e rëndë.  Vetëm duke kuptuar këtë, bij fort të dashur, do të mund ta kuptojmë se në këtë ditë vdekja është mundur nga dashuria, nga dashuria që Hyji ka pasur për krijesën e vet të dobët dhe mëkatare, por që gjithnjë është e përshkuar nga dëshira për të gëzuar harenë e amshuar të Parrizit. E, sikurse hapat e ngadaltë të grave që po shkonin te varri i Jezusit dhe ato të nxënësve të Emausit u bënë hapat e shpejtë të atij që ka një shprese të pamasë për ta jetuar dhe treguar, kështu do të jetë edhe për hapat tanë.

Le t'i urojmë njëri-tjetrit ditë paqeje dhe qetësie, atë paqe dhe qetësi që na vijnë nga një zemër  ripërtërirë nga drita e mëngjesit të Pashkës, ku heshtja e natës ka përgatitur terrenin për këngën e mëngjesit, këngë në të cilën mund të bashkohemi të gjithë: Krishti, Pashka jonë, është Ngjallur për ne! Aleluja.

Arqipeshkvi Juaj

 

  titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster