|
Me kënaqësi
ju prezantojmë një përmbledhje të mesazhit të Atit të Shenjtë
Benedikti XVI për Kreshmet 2010.
“Drejtësia e
Hyjit u dëftua me anë të fesë në Krishtin (krh. Rm 3,21-22)” –
këto fjalë të Shën Palit janë edhe thelbi e mesazhit që Ati i
Shenjtë i ka dërguar mbarë Kishës me rastin e Kreshmës së
sivjetshme.
Para së
gjithash Papa ndalet në domethënien e termit “drejtësi” që në
gjuhën e përgjithshme do të thotë “t'i japësh secilit atë çka i
takon – dare cuiquque suum”, sipas shprehjes së njohur të
Ulpianit, jurist romak i shekullit III. Por ky përkufizim klasik
nuk saktëson se çka është ajo “që i takon” për t'ia siguruar
gjithkujt. Çka njeriu ka më shumë nevojë nuk mund t'i garantohet
me anë të ligjit. Por ligji rrezikon të mos mendojë t'ia japë
njeriun kryesoren: Hyjin. Papa vazhdon: Njeriu «më shumë se për
bukën ai ka nevojë për Hyjin. Vë re shën Augustini: nëse
“drejtësia është virtyti që i jep secilit atë çka i takon…nuk
është drejtësi e njeriut ajo që shkul njeriun nga Zoti i
vërtetë” (De civitate Dei, XIX, 21)».
Duke dashur të
gjejmë rrënjët e padrejtësisë Ati i Shenjtë na sjell ndër mend
fjalët Jezusit: “S'ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë
atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut -ajo e
bën të papastër.... Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër,
sepse prej brendisë -prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e
këqija” (Mk 7,14-15.20-21).
Këto fjalë të
Jezusit tregojnë se sa të gabuara janë përpjekjet e atyre që
mendojnë se birimi i padrejtësisë ka shkaqe të jashtme dhe që
përpiqen të zhvendosin shkaqet e jashtme që pengojnë realizimin
e drejtësisë. Por «padrejtësia, fryt i së keqes, nuk i ka
rrënjët vetëm të jashtme; e ka zanafillën në zemrën e njeriut
ku ndodhen farat e një bashkëfajësie të mistershme me të keqen».
Kjo bashkëfajësi e mistershme me të keqen bën që ne të mos e
realizojmë natyrën tonë, e cila në fakt duhej të ishte e gatshme
për të dhuruar, por që egoizmi e çon të dëshirojë të dalë mbi të
tjerët dhe kundër të tjerëve.
Po si mund të shërohet egoizmi i
njeriut? Si mund t'i shmangemi bashkëfajësisë së mistershme me
të keqen?
Papa vazhdon duke kujtuar se
Izraeli e kishte kuptuar se dashuria e Hyjit për mëkatarin, e
fton edhe atë për dashurinë ndaj të varfrit.
Krishti do të na mësojë se
padrejtësia mposhtet duke dhuruar vetveten, jo thjesht duke i
dhënë tjetrit atë që i takon. Ai, Krishti, u bë flija pajtuese
mes Hyjit dhe të gjithë njerëzve: “Tani veç, pavarësisht nga
Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare (drejtësia) e Hyjit, e
dëshmuar prej Ligjit dhe prej Profetëve, vepra shëlbimtare (drejtësia)
e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që
besojnë -pa farë dallimi, sepse të gjithë mëkatuan dhe u
përjashtuan nga lumturia e Hyjit -dhe me hirin e tij, të gjithë
e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu
Krishti. Atë Hyji e caktoi të jetë, në sajë të fesë, fli
pajtuese me anë të gjakut të vet” (Rom 3,21-25).
Sikur të mos ishte ky dhurim i
dhimbshëm i Jezusit, ne nuk do ta fitonim drejtësinë para Hyjit:
nuk do të na takonte, por ai na e dhuroi falas. Kështu njeriu
është i ftuar të bëjë. Edhe ne ftohemi të japim nga vetja jonë.
Përse? Papa e thotë shumë bukur: «Falë veprës së Krishtit, ne
mund të bëhemi pjesë e drejtësisë “më të madhe” që është ajo e
dashurisë (krh. Rm 13,8-10), drejtësia e atij që në çdo rast e
ndien veten më shumë debitor se sa kreditor, pasi ka marrë më
shumë se sa mund të mendojë. I fortë me këtë përvojë i krishteri
është i nxitur të kontribuojë në formimin e një shoqërie të
drejtë, ku të gjithë të marrin çka është e nevojshme për të
jetuar me dinjitetin që i takon njeriut dhe ku drejtësia merr
jetë nga dashuria».
E në mbyllje, duke na uruar
Kreshme të mbara, përfundon: «Ju përcjell të gjithëve bekimin
Apostolik».
Vatikan më 30
tetor 2009
Papa Benedikti
XVI
titujt kryesore |