|
|
Në famullinë e Shën Shtjefnit në
Blinisht, me datën 3 mars u përkujtua 64 vjetori i Martirizimit
të birit të këtij fshati, dëshmitarit heroik të fesë, Atë Danjel
Dajanit, dhe 4 vjetori i shugurimit të Kishës së re kushtuar
Martirëve Shqiptarë.
Besimtarë dhe familjarët e tij,
bashkë me Imzot Lucjan Avgustini, me Ipeshkvin e Avezzanos nga
Italia, Imzot Pietro Santorio, motrat dhe meshtarë të tjerë
morën pjesë në këtë ceremoni që nisi me proçesionin nga shtëpia
ku lindi Atë Danjeli, deri tek Kisha. Gjatë kremtimit të Meshës,
e cila u udhëhoq nga Ipeshkvi i Avezzanos, në fjalën e rastit
ipeshkvi i Sapës vlerësoi shumë figurën e Atë Danjel Dajanit, i
cili i rezistoi çdo vuajtjeje, saqë dha edhe jetën vetëm për
Krishtin. Duke kujtuar Atë Dajanin, Imzot Lucjani tha se nuk
mund të mos kujtojmë edhe Atë Giovanni Faustin dhe seminaristin
Mark Çunin, të cilët, sipas dëshmitarëve që jetuan ngjarjen e 4
marsit të vitit 1946, do të dëshmonin se: “po udhëtonin në
kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit në
qytetin e Shkodrës. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra.
Udhëtonin të qetë drejt amshimit. Ashtu të rreshtuar pranë
njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku
gërshetoheshin zhguna e veledona, rregulltarë e besimtarë,
puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit. –
Përpara skuadrës së pushkatimit Atë Fausti do të thoshte: “Jam i
lumtur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret.”
Atë Dajani do të thoshte: “I fali ata që më kanë ba keq!” Po
kështu edhe Mark Çuni. E pasi i pushkatuan, të tre u rrëzuan
duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte
lagur prej shekujsh.
Atë Danjel Dajani u lind më 2
dhjetor 1906 në Blinisht të Zadrimës. Mësimet e para i mori në
vendlindje, pastaj studioi në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër.
Në moshën 20 vjeç hyri në Noviciat në Bashkësinë e Jezuitëve.
Mori kushtet e para më 9 korrik 1928. U shugurua meshtar në
Bashkësinë Rregulltare të Jezuitëve më 15 korrik 1938 në Torino
të Italisë. Ndërsa kushtet e përjetshme i mori në Shkodër më 2
shkurt 1942. U diplomua për Letërsi dhe Filozofi. Shërbeu në
Seminarin e Jezuitëve si mësues dhe rektor. U arrestua nga
Regjimi Komunist më 31 dhjetor 1945 dhe qëndroi në burg 13 muaj.
Vdiq me pushkatim me 4 mars 1946 ndërsa shqiptonte fjalët:
Rroftë Krishti mbret!
titujt kryesore |
|