|
|
Shi, shi, shi për një kohë tepër
të gjatë, sa askush nuk e mban mend një kohë katër mujore me
reshje pandërprerë. Kjo bëri që të kishim një fillim viti plot
ankth dhe frikë, sidomos për zonën tonë të Bregut të Bunës.
Banorët e këtyre anëve, historikisht janë përballuar me rrezikun
e përmbytjeve nga Buna, por duke qenë të tejsulmuar nga mediat e
ndryshme, fillimisht pati një panik të paparë në popull. Shumë
vetë kishin vetëm një mendim: të ikin për të 'shpëtuar lëkurën'.
Ndërsa më pas, ndër ata që mbeten në terren, u vu re një
mobilizim i lavdërueshëm vullnetar i burrave dhe grave
bregabunas për mbrojtjen e argjinaturës, sikur bënin dikur me
mjete fare primitive, dhe ia dolën me sukses ta përmbanin lumin
brenda caqeve të veta.
I duhet thënë faleminderit Zotit,
që s'bëhet ajo që njeriu mendon! U lagëm, u dëmtuam, por s'u
përmbytëm. Nuk patëm asnjë viktimë në njerëz dhe dëmet materiale
nuk qenë të përmasave të paralajmëruar. Pra fshatarët tanë
arritën të shpëtonin jetën dhe atë çfarë kanë ndërtuar gjatë
këtyre njëzet viteve punë dhe sakrifica në demokraci. Realisht
zona jonë shquhet për ndërtime banesash të reja shumë të bukura,
për shtimin e blegtorisë, për sajimin e mini fermave,
fidanishteve etj. Ndaj imagjinojeni vetë çdo të thotë të shohësh
të kërcënuar gjithë ato që ke arritur me mund dhe djersë!
Famullia ka qenë vazhdimisht një
faktor nxitës gjatë momenteve më kritike, për të qenë njerëz të
shpresës dhe të angazhimit. Me shpresën në Zotin dhe me
angazhimin tonë të sinqertë, mund të përballohet çdo vështirësi.
Ndërsa në fazën e dytë, që është ajo e përkrahjes në rimëkëmbjen
e familjeve të lagura, përsëri roli i famullisë ka qenë shumë
domethënës si në evidentimin rasteve më urgjente për ndihmë,
ashtu edhe në bashkimin e bazës materiale të nevojshme dhe
organizimin e shpërndarjes me të rinjtë.
Fillimisht hapëm dyert e kishave
dhe të ambienteve të tjera të famullisë (Dajç, Pentar dhe Suka)
për të mikpritur familjet e zonave më në rrezik, ushtarët dhe
policët që ishin në gatishmëri për evakuim dhe shpëtim të
popullatës. Kemi arritur të akomodonim deri në 70 persona në
natë duke ofruar mundësi fjetjeje, ngrohjeje dhe ushqimi.
Gjithashtu, me të rinjtë dhe motrat Engjëllore të Sh. Palit,
kemi bashkëpunuar edhe me Komunën në përballimin fillestar të
shpërndarjes së ndihmave të ardhura nga rezervat e shtetit.
Më pas, vetëm famullia ka
mundur të asistojë deri rreth 700 familje, nga 1150 që ka
gjithsej zona, me gjetje njerëzore dhe me ndihma ekonomike për
familjet më të dëmtuara. Secila familje ka qenë e studiuar më
vete dhe trajtuar në mënyrën më të përshtatshme të mundshme. Për
sa i përket bazës materiale, dëshiroj të falënderoj me
mirënjohje të thellë shumë individë dhe institucione që na kanë
përkrahur në nismën tonë solidare. Ndër to do të veçoja: Imzot
Angelo Massafra, Caritas Shqiptar, Caritas Sapa, Caritas
Shkodër, Shoqatën Malteser, Shoqaten Kolping, Famullinë e
Bushatit, Motrat e Rranxave, Motrat Vincenciane, Motrat e
Dobraçit, Shoqërinë Biblike, dhe posaçërisht sjell në vëmendje
kontributin shumë të vyer të Bashkësive të shqiptarëve në
Detroit, të organizuar nga d. Anton Kçira, dhe atyre të NY, më
në krye d. Pjeter Popaj. Falë këtyre mbështetjeve të ardhura nga
njerëzit vullnetmirë, edhe ne jemi përpjekur të bëjmë më të
mirën për njerëzit në nevojë, dhe vazhdojmë ta bëjmë ende. Por
realisht jemi rritur edhe ne. E kam fjalën për veten,
bashkëpunëtorët e mi në famulli dhe bamirësit.
Kam bindjen se bëhet më i
pasur kush jep, se kush merr.
Pas kësaj
panorame të shkurtër të përballimit të emergjencës, më lejoni të
bëj një përsiatje: kjo ishte një përmbytje, apo një provë?
Nuk e di në
ishte një provë e Zotit, por me siguri ishte një sinjal se Ai na
ka mbushur me bekim kur na ka falë lumin Buna, dhe është e
nevojshme që ta shohim atë, jo vetëm për rrezikshmërinë që
paraqet, por edhe për mundësitë shumta ekonomike që do na jepte.
Bunën do ta quaja 'Nili' i Nënshkodrës sonë, për potencialin
begatisë dhe gjallërisë që mbart në vetvete. Por për fat të keq,
as sot në 2010, lumi Buna nuk është i shfrytëzueshëm dhe as i
mirëmbajtur me argjinatura, as sa Nili i 3000 vjetëve para
Krishtit prej egjiptianëve.
Po të dalësh
përgjatë lumit Buna, do vëresh se nuk sheh asnjë dalje natyrale
të ujit për vaditje, asnjë pompë që do të shërbente në këtë
drejtim, asnjë rezervat peshku, asnjë bar, restorant,
agriturizëm dhe asnjë barkë turistike nuk e sheh në këtë lumë.
Theksoj edhe një herë, uji siç vjen, me shumicë e begati, kalon
duke 'na lën sheden', dhe derdhet i papenguar në det.
Gjithashtu kam
eksperimentuar në vehtje të parë me burrat që punonin në
mbajtjen e argjinaturës, se lumi ynë Buna mund të zotërohet edhe
me një lopatë dhe. Por a është e drejtë dhe e denjë për ne që ta
vëmë në diskutim qoftë edhe për kushtet primitive të
mirëmbajtjes së argjinaturës së Dajçit dhe katundeve tjera?
Sa i kushton
qeverisë një argjinaturë e mirë (që të paktën nuk e prishin
vjedullat dhe dhelprat duke bërë strofullat e tyre në të si këtë
aktualen) dhe ca kanale rezervë që do të disiplinonin ujërat e
tepërta në raste emergjence si kjo e sivjetshmja? Le të bëhet
edhe HEC-i i Skavicës, se mirë do jetë, por pse të mos mendojmë
më parë për një zgjidhje më afatafërt dhe me një kosto fare të
vogël, që e shpëton zonën tonë nga rreziku i përmbytjes dhe i
jep mundësi zhvillimit të agrokultorëve tonë?
Më duket se
problemi ynë më i madh nuk është përmbytja, por mungesa e
theksuar e mendimit dhe e vullnetit që do na bënte aktive në
jetën e përditshme, dhe jo vetëm në momente të vështira. Dhe kjo
për mua përbën dramën tonë të vërtetë.
Deri kur do
rrimë 'haru' dhe të na zërë paniku edhe për çështjet më
elementare të kësaj bote, prej lumit më të paqmë që ka Shqipëria?
Deri kur s'do e 'zotërojmë' dhe kultivojmë tokën që na ka falë
Zoti? Apo deri kur duhet të shohim prospektivat si kërcënim?
Për mua, kjo që
ndodhi nuk ishte përmbytje, por një provë! U vumë në provë të
gjithë, që nga strukturat shtetërore, shoqërore dhe fetare deri
tek individët e thjeshtë. Pamë se çfarë kemi bërë, çfarë bëmë
dhe çfarë duhet të bëjmë.
Ju
falënderoj të gjithëve ju që na keni mbështetur në lutje dhe në
bujari! Dhe ju uroj punë të mbarë
të gjithëve!
Dom Marian Gega
titujt kryesore |
|