|
|
“Faleminders Zotit që kena pshtue
në njerëz! Të gjitha të tjerat shkojnë e vijnë!”
Ky ishte refreni që dilte, jo pa
entuziazëm e shpresë, nga goja e shumë banorëve të Velipojës
gjatë ditëve të përmbytjes. Përballë një furie uji të paparë më
parë në këtë sasi, siç shpreheshin disa nga banorët më të
moshuar, u gjetën shumë familje të kësaj Famullie.
Të shikoje shtëpitë e lagjes Çobaj
të mbuluara nga uji deri në çati dukej vërtet si diçka
apokaliptike, imazh i “Luginës së vdekjes”. Përballë një imazhi
të tillë “mortor” njerëzit e thjeshtë, bijtë e bijat e Krishtit
gjenin forcën për të ruajtur besimin dhe shpresën se do të bëhet
më mirë. Të gjithë, edhe pse përballë një pamjeje të tillë,
falënderonin pa pushim Zotin për shpëtimin e çdo jete njerëzore.
Pasojat e kësaj katastrofe
natyrore u ndien në gjithë këtë Famulli, një ndër më të mëdhatë
e Arkidioqezës sonë. E krejt zona, me rreth nëntë mijë banorë,
mbeti krejtësisht e izoluar për disa ditë. Vështirësia më e
madhe qe ajo e komunikimit me qytetin në raste urgjencash
shëndetësore. Për disa ditë komunikimi është mundësuar vetëm
nëpërmjet helikopterëve. Vështirësia tjetër është ndierë
fuqishëm në mënyrë të veçantë nga banorët e Lurzit, Lagja Çoban,
fshati Ças dhe Baks-Rrjoll. Më konkretisht, familjet e prekura
nga uji janë më shumë se pesëdhjetë, ndër këto 18 kanë pësuar
një përmbytje prej 2 m ujë në ambientet e shtëpisë. Dëmet e
tjera janë të konsiderueshme, sidomos në lëndët ushqimore për
bagëti. Këto fshatra jetojnë kryesisht nga të ardhurat nga
emigracioni si dhe nga blegtoria.
Në një situatë të tillë nevojitej
një ndërhyrje urgjente. Qe nga ditët e para të kësaj dukurie
erdhën edhe kontributet e para. Edhe ne si famulli ofruam
kontributin tonë, duke vënë në dispozicion mjetet e famullisë si
dhe ambientet e saj për strehimin e familjeve më në vështirësi
si dhe për magazinimin dhe shpërndarjen e materialeve të
ndryshme humanitare të ardhura për këtë emergjence. Si famulli
kemi ofruar bukën e përditshme falas për 75 familje për një
periudhë prej një muaji e gjysmë, kuptohet për familjet e
prekura nga uji, si dhe për ata më në vështirësi. Në këtë pikë
gjej rast të falënderoj Karitasin Shqiptar, atë Dioqezan, motrat
Marcelline të Sarandës po ashtu edhe Qendrën Kolping të Shkodrës,
për ndihmën e ofruar.
Dom Vlash Palaj
titujt kryesore |
|