ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Projekti Shpresa: 15 vjet histori

 

 

 

Më 13 e 14 Mars 2010 Projekti Shpresa ka dashur të kujtojë ecjen e bërë me fëmijët dhe të rinjtë ndryshe të aftë biologjikisht apo shoqërisht, gjatë këtyre 15 vjetëve pranie në Shkodër (Tetor 1994 - Mars 2010).

Takimi është hershuar nga një konkurs mes shkollave të mesme të Shkodrës me temën: “Të drejtat e personave ndryshe të aftë duke u nisur nga nevojat e tyre në shoqërinë civile në të cilën jetojnë dhe jo nga patologjia e tyre”.

Në takimin që është sponsorizuar nga Karitasi Dioqezan dhe nga Bashkia Shkodër, nga Ministria e Punës, e Mbrojtjes Sociale dhe e Shanseve të Barabarta, nga Intesa San Paolo Bank dhe nga Shoqata për Zhvillimin e Shqipërisë së Veriut, kanë marrë pjesë dhe kanë përshëndetur: Imzot Angelo Massafra në një rol të dyfishtë si Arqipeshkëv i Shkodër-Pult dhe si President i Karitasit Dioqezan, Zoti Ridvan Troshani përfaqësues i Bashkisë Shkodër, Zoti Mexhit Cungu Prefekt i Shkodrës, Zoti Stefano Marguccio Konsull i Italisë, Zoti Alessandro Limata, President i Shoqatës për Zhvillimin e Shqipërisë së Veriut.

Ka ndërhyrë me një relacion mbi shërbimet e reja psikiatrike Zonja Valdet Hoxha, Përgjegjëse edhe e Shtëpive-familje Shtetërore të shëndetit mendor, si dhe Presidenti i Shoqatës së Familjeve të Fëmijëve ndryshe të aftë Zoti Rrok Daka, që ka folur për ligjin e ri të Shërbimeve Shoqërore. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shkollave dhe të shoqatave jo-fitimprurëse që veprojnë në Shkodër.

Të gjithë të pranishmit e vlerësuan Projektin Shpresa për shërbimet që ofron dhe shprehën angazhimin e tyre që Projektit të mos u mungonin burimet financiare për të vazhduar rrugën e tij së bashku me djemtë e vajzat. Në fakt, Presidentja e Projektit, Zonja Silvana Vignali, ka vënë në dukje, në fjalën e saj, se emergjencat e reja botërore, si edhe fakti që Shqipëria nuk është më në planin e parë në nivelin mediatik, e kanë vështirësuar përfshirjen e bamirësve tradicionalë, ashtu si edhe gjetjen e bamirësve të rinj.

Kuvendi filloi me projektimin e një DVD-je, që përshkruante të gjitha veprimtaritë që djemtë e vajzat ndryshe të aftë bëjnë në dy Laboratorët, në Qendrën Ditore dhe jashtë Projektit Shpresa.

Të dielën, në orën 18.00, në Sallën “Mikel Koliqi”, ku ishin të pranishëm shumë miq të Projektit, përfshi edhe Imzot Angelo Massafra, Karitasi Dioqezan, Shoqata Illiricum dhe Grupi “Ravasco”, dhanë një shfaqje me këngë, valle dhe recitime ku morën pjesë, në mënyrë aktive dhe me shumë gëzim, djemtë e vajzat e Projektit Shpresa, të Shoqatës “Madonnina del Grappa” dhe të Qendrës së Zhvillimit, si edhe vajzat që ndodhet tek Motrat e Nënë Terezës.

Një festë e madhe miqësie dhe solidariteti, që u përçoi të gjithëve mesazhin ungjillor të enciklikës “Caritas in Veritate”.

 

 

Nora Banda

Koordinatorja e Veprimtarive të Projektit Shpresa

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster