ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 

ANGJELIN NENSHATI FOTOGRAFI I SHQUAR I SHKODRËS

 

 

Me datën 18 prill 2008, vdiq në Shkodër fotografi i shquar Shkodran Angjelin Nenshati. Ceremonia mortore u zhvillua me datën 19 prill në Kishën e Motrave Stigmatine. Në lamtumirën e fundit folën Z. Lec Zadeja dhe Zamir Tafilica, punonjës i Muzeut historik të Shkodrës.

Deri në muajt e fundit të jetës së tij Angjelini ka qenë i pranishëm në çdo ceremoni fetare kudo që ato janë organizuar. Fotot e tij kanë shoqëruar shkrime e artikuj në revistat fetare të Shkodrës, por veçanërisht tek “Kumbona e së diellës” dhe tek “Fjala e Paqes” të cilat filluan të botohen pas vitit 1992. Me këtë rast redaksia e organeve në fjalë i shpreh ngushëllimet e veta bashkëshortes së Angjelinit, tre djemve të tij - të cilët po vazhdojnë rrugën që bëri në jetë babai i tyre - vëllait, motrës, nipave dhe mbesave të tija.

Angjelini u lind në Shkodër më 12 dhjetor 1929. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme “28 Nëntori” dhe që nga viti 1948 deri në vitin 1957 punoi si mësues në shkollat e Pukës e të Shkodrës. Në vitin 1957 krijoi në Pukë laboratorin e parë fotografik.

Profesionin e fotografit e filloi që kur ishte në moshën 14 vjeçare, kohë kur hyri në laboratorin e fotografit të njohur shkodran Pjetër Rraboshta. Vetëm në fototekën “Marubi” deri në vitin 1970, me autorësinë e tij, janë të arkivuar rreth 250 mijë negativë. Mendohet që në fototekën familjare të ketë edhe po kaq negativë, ku fiksohen ngjarje të ndodhura pas viteve 90. Me datën 6 maj 2006, në ditën e luleve, Këshilli i Bashkisë së Shkodrës i dha atij titullin “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës”, gjatë dorëzimit të të cilit vetë Angjelini do të shprehej: “I jam mirënjohës qytetit tim të Shkodrës”.

Që në moshë të re ai ishte pjesëtar i “Veprimit Katolik” të Shkodrës. Mori pjesë si aktor në melodramat e të ndjerit Dom Ndre Zadeja, si për shembull tek melodrama “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës”, apo “Ruba e Kuqe”.

Në moshën 10 vjeçare ai ishte edhe pjesëtar i “Schola Cantorum” të Katedrales së Shkodrës. Dhe ja se çfarë përsëriste shpesh sa herë që përmendej emri i Dom Ndreut: “O bir, e lumja Shkodër që të lindi e që të ka. Shkodra, me dasht, me lulet që ka ngre një kala. Shkodra lind e perëndon si dielli, vdes e ngjallet”.

Duke punuar për më se një gjysmë shekulli, sigurisht që la një pasuri të vyer në fushën e fotografisë. Kjo fototekë që ai na e la, përfshin në vetvete të gjitha vlerat e qytetit të Shkodrës. Pushofsh në Paqe!

 

Lec Zadeja

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster