ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 

DOM SIMON JUBANI

50-VJETORI I MESHTARISË

 

 

Dhjetë ditë pas kremtimit të 100 vjetorit të bekimit të gurit të parë të Kishës Katedrale - në prillin e vitit 1958 - Imzot Ernesto M. Çoba shuguronte meshtar Dom Simon Jubanin, konkretisht me 2. 05. 1958. Përsëri dhjetë ditë pas mbarimit të Kohës Jubilare me rastin e 150 vjetorit të bekimit të gurit të parë të Katedrales, ky meshtar, me datën 05. 05. 2008  feston një ngjarje tejet të bukur për jetën e tij meshtarake: 50 vjetorin e shugurimit të tij meshtarak dhe të Meshës së tij të parë.

Me pjesëmarrjen e mjaft besimtarëve, të familjes e të farefisit, ai kryesoi Meshën e kësaj date jubilare në bashkëkremtim me dhjetë meshtarë të tjerë. Në fillim të Meshës Dom Gjovalin Sukaj, Administrator-Famullitar i famullisë së Shën Shtjefnit do të shprehej me fjalët: “Edhe një datë tjetër për Kishën tonë: sot jemi mbledhur për të festuar së bashku 50 vjetorin e shugurimit meshtarak të Dom Simon Jubanit. Emri i tij, qoftë dje qoftë sot, është i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, e sidomos pas vitit 1990, vit kur u rihapën Kishat”.

Homelinë e kësaj Meshe e mbajti vetë Dom Simoni. Në fillim ai falënderoi të pranishmit. Më pas bëri një biografi të shkurtër të jetës së tij e duke u ndal tek aktivitetet e ndryshme që zhvilloi para shugurimit të tij meshtarak, ku ndër të tjera është marrë edhe me sport - si futbollist i skuadrës “Puna” dhe “Vllaznia” - foli për punën e palodhur që si meshtar ka bërë në zonat e Mirditës, para mbylljes së kishave dhe pas hapjes së tyre, për arrestimin që iu bë në vitin 1963, për dënimin dhe vuajtjen e këtij dënimi në burgun famëkeq të Burrelit për 26 vite, deri në vitin 1989, viti i lirimit të tij.

Por emri u bë edhe më i njohur më rastin e 4 dhe 11 nëntorit të vitit 1990, kur do të kremtonte Meshët e para në kapelën e varrezave të Rrmajit, duke u bërë kështu nismëtari i rihapjes së Kishës në Shqipëri. Ky veprim e bëri atë të njohur edhe në botën e jashtme. Në vitin 1991 dekorohet në San Francisko me çmimin “Honoris Causa”, nderim që iu bë për shkak të qëndrimit të tij antikomunist në burgjet e Shqipërisë.

Para përfundimit të Meshës së shenjtë, nga grupi i korit të grave i bëhet një dhuratë simbolike: një foto e tija e datës 4 nëntor 1990, gjatë kremtimit të Meshës së parë publike pas rihaphjes së Kishës.

Mesha u shoqërua nga kori i grave dhe i motrave rregulltare të cilat në fund të Meshës, në shenjë respekti dolën në fotografi së bashku me Dom Simonin dhe me Dom Gjovalinin.

Këtë jubile Dom Simoni e priti me një shëndet të plotë, plot gjallëri, si në vitet e rinisë, megjithëse i ka kaluar të 80-at. Kushdo që do të vijë gjatë ditës në Kishën Katedrale, tek njëra ndër rrëfyestoret e saja do të gjejë patjetër Dom Simonin. Jo rastësisht Imzot Angelo Massafra, me datën 25 prill 2008, ditën e mbylljes së Kohës Jubilare, krahas falënderimeve që bëri në fundin e Meshës, do të përmendte edhe emrin e Dom Simonit, për ndihmesën tejet të madhe të dhënë nga ai me dëgjimin e palodhshëm e rrëfimeve të shumë besimtarëve, duke u mundësuar shumëkujt marrjen e ndjesës së plotë.

E sigurisht që urimi më i mirë që mund t'i bëhet dhe që vërtet e meriton është ai i shprehur në gjuhën latine: AD MULTOS ANNOS (Për shumë vjet)!

 

Lec Zadeja

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster