|
|
IPESHKVIJTË E SHQIPËRISË NË VIZITË AD LIMINA
Me datë 19-24 maj 2008 ne, Ipeshkvinjtë e Kishës Katolike të
Shqipërisë, kemi qenë në Romë për Vizitën “ad Limina
Apostolorum”. Kjo vizitë është një punë e fesë, e bashkimit me
Papën dhe e dhënies llogari. Kemi patur takime me Kongregatat e
ndryshme dhe takim personal dhe të përbashkët me Papën Benedikti
XVI, i cili na dha porosin që vijon:
Të nderuar e të dashur Vëllezër,
Me gëzim të madh
ju pres të gjithë së bashku, ndërsa jeni duke kryer shtegtimin
tuaj ad Limina. Ky është rast i përshtatshëm që Pasardhësi i
Shën Pjetrit t'i njohë nga afër vështirësitë që duhet të
përballoni në tokën e dashur të Shqipërisë. Ju përshëndes
përzemërsisht dhe ju falënderoj që më folët me zemër të hapur
për realitetin e ndërlikuar të Kishës në Shqipëri, ngarkuar me
vështirësi, por jo më pak edhe me shpresa. Ju shpreh mirënjohjen
time posaçërisht për fjalët që më drejtoi Kryetari i Konferencës
suaj Ipeshkvnore në emër të të gjithëve, duke më shprehur kështu
ndjenjat tuaja. Ju falënderoj, të dashur Sivëllezër në
Ipeshkvni! E mirë se erdhët!
E njohim të gjithë
tashmë trashëgiminë e trishtuar që i la Shqipërisë regjimi i
kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmim si
ideologji të Shtetit. Është e qartë se një orientim i tillë
antidemokratik i marrëdhënive ndërmjet qytetarëve, ju la
trashëgim vështirësi jo të pakta në planin njerëzor e ju ngarkon
me detyrën për të zbuluar një gramatikë të përbashkët, që mund
ta mbështesë përsëri ndërtesën e shoqërisë. Por ju, pasardhës të
Apostujve, jeni të thirrur të jeni, mbi të gjitha, dëshmitarë të
një trashëgimie tjetër, mirëbërëse e ndërtimtare: asaj të
mesazhit të shëlbimit që solli Krishti në botë. Në këtë kuptim,
pas natës së errët të diktaturës komuniste, e cila nuk qe e aftë
ta kuptonte popullin shqiptar e traditat e tij stërgjyshore,
Kisha mundi të rilindë për virtyt të Provanisë hyjnore, falë
edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar,
Shërbëtorit të Hyjit, Gjon Palit II, që erdhi mes jush për
vizitë në vitin 1993, duke rindërtuar Hierarkinë e qëndrueshme
katolike, për të mirën e besimtarëve dhe për dobinë e popullit
shqiptar.
Një nga aktet e
para të Papës së madh, qe njohja e heronjve të fesë: kujtoj
këtu, posaçërisht, dëshminë e shkëlqyer të kardinalit Koliqi,
korife i një grupi të madh martirësh. Rikrijimi i Hierakisë
katolike ishte njëkohësisht edhe njohje e lidhjes së ngushtë të
popullit tuaj me Krishtin si dhe ndihmesë për t'u krijuar
hapësirën e duhur forcave të reja të katolicizmit në trojet e
Shqipërisë. Ju jeni rojtarë të kësaj lidhjeje, e ju takon
posaçërisht juve detyra ta promovoni në veprimtaritë tuaja e në
nismat tuaja, këtë unitet, që duhet të shprehë misterin themelor
e jetëdhënës të Korpit të Krishtit, në bashkim me shërbimin e
Pasardhësit të Pjetrit.
Në këtë
perspektivë, nuk mund të mos shikojmë sa themelor është
bashkëpunimi i ngushtë i ipeshkvijve, pikërisht për t'u bërë
ballë me sukses problemeve dhe vështirësive të Kishës në
Shqipëri. Si mund të mendohet që njëra dioqezë do të mund ta
zhvillojë me sukses veprimtarinë e saj, në se nuk e ka parasysh
edhe mendimin e Ipeshkvijve të tjerë, bashkëpunimi me të cilët
është i domosdoshëm për t'iu përgjigjur si duhet shpresave të
një populli të vetëm, të cilit i drejtohet Kisha? Vetëm
bashkëpunimi i përzemërt e vëllazëror ndërmjet Barinjve, mund
t'i sjellë dobi të madhe popullit të dashur shqiptar, si në
planin shoqëror, ashtu edhe në atë ekumenik e ndërfetar.
Prandaj, të nderuar Sivëllezër, duhet të jeni një gjë e vetme në
Krishtin në shpalljen e Ungjillit e në kremtimin e Mistereve
hyjnore; shpreheni bashkimin me Kishën universale me vëllazërim
të thellë e të vërtetë ipeshkvnor. Do të ishte e pakonceptueshme
nisma e një Bariu i cili, në përpjekjen për të përballuar
situata konkrete, nuk do të shqetësohej për ta koordinuar
veprimtarinë personale me atë të Sivëllezërve Ipeshkvij. Ka
çështje të veçanta, që lidhen me probleme të veçanta, të cilat
duhen zgjidhur me ndihmesën e të gjithëve e me një frymë
dashurie e durimi baritor. Ju porosis të gjithëve të punoni me
maturi ungjillore, me dashuri të vërtetë të krishterë, duke
kujtuar se kanunet kishtare janë mjete që shërbejnë për të
promovuar në mënyrë të rregullt bashkimin në Krishtin dhe
veprimtarinë për të mirën e grigjës së Shëlbuesit. Kjo ka të
bëjë edhe me veprimtaritë ungjillëzuese e katekistike dhe gjen
shprehjen e vet edhe në veprimtarinë shoqërore. Kam parasysh
sidomos fushën e shëndetësisë, të arsimit, të përpjekjes për t'i
paqëtuar shpirtërat dhe për gjithçka nxit bashkëpunimin ndërmjet
përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë e të traditave përkatëse
fetare.
Fenomeni i
emigracionit, si brenda, ashtu edhe jashë vendit, ju krijon
probleme të vështira baritore, që duhen përballuar me zemër
Ipeshkvi, jo vetëm për besimtarët që jetojnë në trojet tuaja,
por edhe për ata të diasporës. Kjo kërkon nga ju bashkëpunimin
me Sivëllezërit në vendet e tjera, që të mundni kështu, të jepni
ndihmesën baritore të nevojshme e urgjente. I njoh vështirësitë,
që kanë të bëjnë me mungesën e klerit. Jam në dijeni edhe se
shumë meshtarë, ndonëse punojnë në kushte të vështira, i
ndihmojnë pa kursim besimtarët katolikë me origjinë shqiptare në
dhe të huaj. Kjo ju nderon, të dashur Sivëllezër, që tregoni
kujdes, sipas zemrës së Krishtit, për jetën shpirtërore të
njerëzve tuaj edhe jashtë kufijve të Atdheut. E kjo nderon edhe
meshtarët, që ndajnë me ju shqetësimet baritore.
Ka edhe shumë
probleme të natyrës praktike, për të cilat duhet të ndihmojnë
edhe instancat civile, përmes propozimeve, që nuk kanë të bëjnë
vetëm me shqetësime të natyrës politike, por edhe me situata
konkrete shoqërore. Në këndvështrimin katolik, si në Atdhe,
ashtu edhe në rrethanat e mërgimit, është e nevojshme t'i ndiqni
me vëmendje njerëzit tuaj në mënyrë që, duke ua ruajtur
identitetin e veçantë, të mos lihet pas dore edhe përfshirja e
tyre në gjirin e shoqërisë ku jetojnë. Në këtë këndvështrim,
është e nevojshme që, posaçërisht meshtarët e caktuar për
kujdesin baritor të emigrantëve, të mos harrojnë se të gjithë u
përkasin Korpit të vetëm të Krishtit, që është i njëjtë në të
katër anët e tokës. Të shprehesh kështu, të nderuar vëllezër, do
të thotë të pohosh se duhen ndjekur me kujdes të madh të gjithë
ata, të cilët Zoti i thërret të ecin pas Tij. Prandaj theksoj se
problemi i thirrjeve për rrugën e meshtarisë, duhet të jetë
gjithnjë shqetësimi juaj kryesor: nga kjo varet ardhmëria e
Kishës.
Dëshiroj, së
fundi, t'ju shpreh kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara pak
kohë më parë me autoritetet e Republikës: besoj se këto masa do
të ndihmojnë për rindërtimin shpirtëror të vendit, duke pasur
parasysh rolin pozitiv që luan Kisha në shoqëri. Nga ana ime, ju
jap zemër të vijoni shërbimin tuaj, për të realizuar programet
që keni hartuar së bashku. Ndërsa ia besoj mbrojtjen tuaj
ndërmjetësimit qiellor të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ju
jap, me kënaqësi, juve, priftërinjve e rregulltarëve,
rregulltareve dhe të gjithë besimtarëve që i janë besuar
kujdesit tuaj baritor, një Bekim të posaçëm Apostolik.
Nga Osservatore
Romano
titujt kryesore |
|