|
JUBILEU I KATEDRALES
150 VJETORI I BEKIMIT TË GURIT TË PARË TË KATEDRALES
Nuk mund të mos
falënderojmë Zotin për fenë dhe lirinë e fesë që Ai na ka
dhuruar. Mund ta themi me plot gojë këtë gjë, pasi shijuam hirin
dhe faljen e Zotit gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm që na fali
Papa Benedikti XVI për të kremtuar me dinjitet 150 vjetorin e
bekimit të gurit të parë të Katedrales së shtrenjtë të Shkodrës.
Ky Jubile zgjati nga tetori i 2007 deri më 25 prill të 2008:
kohë që në bashkim me Kishën fiksuam Atë, Jezusin dhe nga fjala
e sakramentet e tij u ndriçuam me urtinë se dyert e ferrit nuk
mund të ngadhënjejnë mbi dashurinë e Zotit, Kishën.
Gjatë kësaj kohe u
zhvilluan kremtime liturgjike: eukaristi e adhurime; vigjilje
lutjeje e shtegtime, të gjitha kulmuan në kremtimin e datës 12
janar 2008 kur i ftuar nga Sh. T. Imzot Angelo Massafra
arqipeshkëv i Shkodër-Pult, Hirësia e Tij, Franc Kardinal RODÉ
udhëhoqi Liturgjinë e Kushtimit të Katedrales së Shën Shtjefnit
Shkodër, pasi ajo qe dhunuar nga regjimi komunist. Atë ditë
ishim të gjithë së bashku: ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe meshtarë
të ardhur nga të katër anët, besimtarë laikë të Krishtit dhe
njerëz të kushtuar në heshtje dhe uratë fiksonim gjestet e
pranisë së Tejet të Shenjtit. Shkodra nuk do ta harrojë këtë
datë.
Një tjetër datë është ajo e kremtimit për mbylljen e Jubileut,
në kujtimin liturgjik të Shën Markut, më 25 prill 2008. Një datë
kjo që është plot me domethënie për popullin tonë
shqiptar, pasi po
në këtë datë, Shërbëtori i Hyjit, Papa Gjon Pali II erdhi në
Shqipëri dhe në Katedralen e Shkodrës shuguroi 4 ipeshkvijtë e
parë të Shqipërisë pas komunizmit e ndër ta Sh. T. Imzot Rrok
Mirdita dhe Sh. T. Imzot Zef Simoni. Po në këtë datë në vitin
1998 mori misionin e Ipeshkvit të Shkodrës Sh. T. Imzot Angelo
Massafra, dhe po në këtë datë u bë dhe mbyllja e Jubileut për
150 vjetorin e bekimit të gurit të parë të Kishës Katedrale.
Por nuk mund të
mos përmenden të gjitha ato shtegtime që u bënë nga besimtarët
në Kishën Katedrale gjatë këtij Jubileu. Të udhëhequr nga
famullitarët e tyre të dashur e të nderuar, së bashku me motrat
e kushtuara dhe me animatorët e jetës së krishterë, besimtarët
përjetuan në shtegtime hirin e Zotit dhe unitetin e Kishës që në
një mënyrë shprehet edhe nga prania e Kishës nënë në dioqezë që
është Katedralja. Do të veçoja këtu shtegtimet që bënë 4 Zonat
Baritore të Dioqezës si dhe atë që bëri Legjioni i Marisë, Rinia
Dioqezane, jubileun e të sëmurëve dhe atë të disa shkollave
katolike.
Zoti ua
shpërbleftë të gjithëve çdo hap që hodhën për ta takuar Atë edhe
në këtë Kishë.
Gjithashtu një
sërë aktivitetesh kulturore janë zhvilluar gjatë atmosferës së
Jubileut të përvjetorit të Katedrales. Nuk mund të mos
falënderoj në Zotin të gjithë ata burra e gra, të rinj e të reja
që janë angazhuar për një kremtim solemn të kësaj kohe. Por në
rrallë të parë dua të falënderoj Sh. T. Imzot Angelo Massafrën
për çdo nxitje, këshillë dhe ndihmë ekonomike si dhe të
Nderuarin dom Gjovalin Simonin për gatishmërinë dhe
bashkëpunimin e mrekullueshëm.
E shumë e shumë
laikë që po t'iu përmend emrat do t'u donin po aq faqe se janë
vitet e kësaj Katedrale. Por i mbaj në zemër dhe bekoj Zotin që
përkrah meshtarësh vendos njerëz me virtyte e dije dhe na bën të
ndihemi krenarë për ta. Ndër aktivitetet e zhvilluara do të
veçoja Koncertin e Korit të Kapelës Muzikore Sistina i ardhur
nga Vatikani; përkujtimin e 70 vjetorit të Melodramës “Ruba e
Kuqe”, montazhin dramatik “Nana e të gjithëve” me regji të Z.
Gjovalin Stefës; takimin studimor që ishte i një niveli të lartë
mbi faktet historike dhe kujtimet e ndërtimit të Kishës
Katedrale të Shkodrës; ardhjen dhe koncertin e Bandës frymore
nga Aradeo Lecce Itali dhe koncertin e grupit “Arte Giovane” nga
Trieste Itali.
Shumë takime të
tjera dhe aktivitete u zhvilluan në kuadër të kremtimit të 150
vjetorit të gurit të parë të Katedrales së Shkodrës, por jam i
bindur se nesër kur të kremtohet 250 vjetori, do të na kopjojnë
diçka e ndoshta do të festojnë më mirë se ne. Por për diçka jam
krejt i sigurt: shumë shkodranë që kremtuan 150 vjetorin ishin
dëshmitarë okularë dhe pjesë e asaj që quhet HISTORIA E KISHËS
KATEDRALE.
Dom Gjovalin
Sukaj
titujt kryesore |