|
JUNIORET SHQIPTARE NË MEGJUGORJE
Me datën 30 prill
një grup junioresh të 9 kongregatave të ndryshme që veprojnë në
Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi shtegtuam drejt Bosnjës.
Me datën 30 prill
në drekë kemi arritur në Megjugorje. Pasdite kemi shtegtuar
drejt kodrës së Zojës - vendi ku thuhet se është shfaqur Zoja.
Atë Fran Dushaj na ka përcjellë me meditime dhe shpjegime të
ndryshme. Ai vend të fliste vetë për mrekullinë e madhe dhe për
shumë mrekulli të tjera që kanë ndodhur aty. Rruga sa e vështirë
dhe plot me gurë ishte e mbushur plot me njerëz dhe ajo që na ka
bërë më shumë përshtypje ishin të rinjtë që, zbathur dhe me
rruzare në dorë, e përshkonin atë. Gjatë rrugës kishte pllaka
të ndryshme që paraqitnin momentet kryesore të jetës së
Zojës, Nënës sonë.
Në lutje e përshkuam edhe ne këtë rrugë duke i ofruar Zojës edhe
popullin tonë që ajo të ndërmjetësonte për të gjithë.
Të nesërmen në
mëngjes herët kemi përjetuar mundimet e Jezusit duke përshkuar
udhën e Kryqit gjatë rrugës për në kodrën e Kryqit. Grupe të
ndryshme të ardhura nga e gjithë bota e përshkonin këtë rrugë
dhe secili lutej në gjuhën e vet amtare e, padyshim, edhe ne
kemi kujtuar mundimet e Zotit tonë Jezusit në gjuhën shqipe të
drejtuara nga meditimet e disa junioreve.
Nga maja e malit
ku ishte i vendosur Kryqi shihej i gjithë qyteti ku shtëpitë
ishin të vendosura anash dhe gjithë fushat në mes. Qyteti merrte
kështu pamjen e një unaze dhe jo rastësisht njerëzit e quanin
Unaza e Zojës.
Këto janë momentet
që kemi përjetuar në lutje, por Megjugorja na paraqet edhe
mrekullitë e shumta që kanë ndodhur në atë vend. Ishin
pikërisht momentet që kemi kaluar me djem dhe vajza që e kanë
përjetuar mrekullinë në jetën e tyre. Të droguar, njerëz që nuk
kanë pasur asnjë shpresë më në jetën e tyre janë të mbledhur në
shtëpi të quajtura Çenakull, shtëpi të cilat janë themeluar nga
motër Elvira pikërisht për të rinj në vështirësi të tilla.
Të rinj të ardhur
nga e gjithë bota kanë përjetuar këtu “Terapinë e Zojës” d.m.th.
ndërmjetësinë e Zojës duke arritur edhe shërimin e plotë. Dhe jo
vetëm kaq: ishin ato që kanë përjetuar shërimin që tani po
ndihmonin të tjerët. Gjithashtu kishte edhe shtëpinë e jetimëve
të themeluar nga Atë Slafko Barbariq “Fshati i Nënës” për të
ndihmuar jetimët e mbetur nga lufta.
Aty takuam edhe
një vajzë shqiptare e cila kishte përjetuar kthimin dhe shërimin
pikërisht në shtëpinë Çenakull. Dëshmia e saj na tregoi qartë
për mrekullinë që ajo kishte përjetuar. 10 vjet konsumuese e
drogës tani është bërë një dëshmitare e gjallë e mrekullive të
ndodhura me ndërmjetësinë e Zojës së Megjugorjes. Këto dhe
momente të tjera që kemi përjetuar në Megjugorje na kanë
paraqitur në mënyrë të prekshme dhe të pashme mrekullitë që po
ndodhin edhe në ditët tona . Mjafton të lëshohemi në dorë të
Nënës sonë dhe çdo gjë e mirë do të arrihet. Ne junioret i
falënderojmë përzemërsisht të gjithë ato që na e mundësuan këtë
shtegtim.
Motrat Juniore
titujt kryesore |