|
|
LAJME NGA
DIOQEZA E SAPËS
SHTEGTIMI NË SHËN MARK
Në ditën e Shën
Markut Ungjilltar, mijëra besimtarë nga zonat e ndryshme të
Dioqezës së Sapës dhe të Shkodrës, shtegtuan në Kalanë e Dejës,
drejt shenjtërores së Shën Markut, drejt kësaj Kishe të lashtë,
që dikur ka qenë Kishë Katedrale e Dioqezës së Dejës. Në nderim
e përkujtim të këtij shenjti, besimtarët përcollën njetin e
përshpirtërinë e tyre duke kërkuar ndërmjetësinë e Shën Markut,
përmes lutjes dhe përjetimit të Meshës shoqëruar me këngët nga
kori i katedrales “Nënë Tereza”. Ky shtegtim, që tashmë është
bërë tradicional, nga ana e besimtarëve, vit për vit po tregon
përshpirtërinë dhe gjallërinë e fesë dhe të besimit, si dhe
zgjon në kujtesën e më të moshuarve, traditën e bukur që e
stoliste këtë ditë.
Në qendër të këtij
shtegtimi ishte kremtimi solemn i Meshës Shenjte udhëhequr nga
Ipeshkvi i vendit, Shkëlqesia e tij, Imzot Lucjan Avgustini në
bashkëkremtim me 10 meshtarë të tjerë. Pas liturgjisë hyrëse,
pasoi homelia e Imzot Lucianit, i cili mes të tjerash theksoi se
“në këtë mijëvjeçar të tretë Kisha nuk lodhet së shpalluri
Ungjillin që dhuron shpëtimin dhe lumturinë e vërtetë. Secili
prej nesh duhet të jemi lajmëtarë dhe dëshmitarë të Krishtit.
Shpallja e Ungjillit nuk është detyrë vetëm e meshtarëve, por e
gjithë bashkësisë së krishterë. Dhe në këtë detyrë të madhe të
misionit ungjillëzues të Kishës, askush nuk mund të bëjë rolin e
spektatorit”.
Duke porositur,
Shkëlqesia theksoi se “i krishteri, pavarësisht nga pengesat apo
kundërshtimet, duhet të vazhdojë të jetë lajmëtar i Ungjillit
dhe i mësimeve të Krishtit, të jetë njeri i shpresës duke e
mbështetur besimin e vet jo në mjetet e veta njerëzore, por në
dashurinë e pafundme dhe besnike të Hyjit”.
Duke ndjekur gjurmët e traditës, dhe për ta ngjallur edhe një
herë këtë traditë të lashtë, në ditën e Shën Markut, u shfaq
panairi i përgjithshëm me vlera të mëdha kulturore, historike,
turistike e tregtare. Në këtë panair u paraqiten punime
artizanale, vegla bujqësore të hershme, prodhime blegtorale,
punime nga fusha e artit, si dhe veshje popullore kombëtare
krahinore, të cilat ia shtuan së tepërmi vlerat e këtij panairi
dhe festës. Për ta bërë sa më të larmishme këtë ditë feste,
qendra e kulturës Vau-Dejës, në bashkëpunim me të rinjtë e
famullisë “Shën Nikolli” shfaqën edhe një koncert me këngë,
recitime e melodi të luajtur me vegla të ndryshme muzikore.
titujt kryesore |
|