|
LEGJIONARËT E MARISË RIPËRTËRIJNË PREMTIMIN
Jemi në vazhdimin
e atmosferës së festës së Pashkëve, në përjetimin e gëzimit të
Ngjalljes së Jezu Krishtit, Zotit tonë. Legjionarët e Marisë në
dioqezën Shkodër-Pult me datën 2 prill 2008 u mblodhën së bashku
në katedralen e Shkodrës për të ripërtërirë premtimin e tyre
ndaj Zojës së Bekuar, premtim ky që përsëritet çdo vit.
Meshën e shenjte e
kryesoi Dom Dritan Ndoci, në bashkëkremtim me Dom Rozario,
meshtar i ardhur nga Malta së bashku me Joseph Micallef, anëtar
i Legjionit të Marisë Maltë - për të vizituar Legjionin e Marisë
në Shqipëri, duke qenë se ky i fundit i është besuar mbikëqyrjes
së Legjionit të Maltës.
Pas predikimit
secili anëtar i Legjionit u afrua tek truporja e Zojës së Hireve
dhe shqiptoi fjalët e kushtimit ndaj Saj duke thënë: “Unë jam i
(e) yti (jotja), Mbretëresha ime, Nëna ime, dhe gjithçka që unë
kam është e jotja”.
Pas premtimit
personal të secilit dhe pas premtimit të përbashkët Mesha
vazhdoi si normalisht.
Pasditen e kësaj
date miqtë tanë maltezë patën një takim me Sh. T. Imzot Angelo
Massafra, për t'i paraqitur atij përshtypjet dhe planet që ata
kishin rreth Legjionit të Marisë në këtë dioqezë, dhe për të
pranuar udhëzimet e tija.
Në datat 4 dhe 5
prill u zhvillua në ambientet e Fshatit të Paqes një seminar
kombëtar për formimin e legjionarëve, të cilin e drejtuan Dom
Rozario dhe vëlla Jozefi duke ftuar këtu edhe meshtarë të tjerë
për të mbajtur disa ligjërata. Ishin ditë mjaft të këndshme ku
ndërthureshin lutja, Mesha e Shenjtë, meditimi, ligjëratat
ndërhyrjet dhe pyetjet e të pranishmëve si edhe momentet e
çlodhjes.
Emocione gëzimi
solli sidomos prania e Imzot Angelo Massafrës në ditën e dytë të
këtij seminari, i cili përshëndeti dhe falënderoi miqtë tanë nga
Malta, por edhe të gjithë legjionarët për angazhimin e tyre të
sinqertë në këtë ecje brenda Kishës së Hyjit.
Seminari u mbyll
me një moment të shkurtër adhurimi ku pati një pjesëmarrje të
fortë nga ana e të pranishmëve, e kjo dallohej nga heshtja e
plotë që ato mbanin përballë Jezusit në Eukaristi.
Pastaj të rinjtë e
famullisë së Bardhajve na emocionuan shumë më vënien në skenë të
dramës “Në vorbullën e martirit” me regji të prof. Gjovalin
Stefës, ku paraqiteshin fillimet e përndjekjes komuniste ndaj
klerit katolik në Shqipëri.
Të gjithë të
pranishmit shprehën gëzimin e tyre për ushqimin e mirë
shpirtëror që morën gjatë këtyre dy ditëve të formimit.
Gjithashtu edhe në
dioqezën e Sapës në këto ditë u zhvillua ACIES në praninë e vetë
Imzot Lucian Avgustinit.
Edhe në dioqezën e
Lezhës u bë ripërtëritja e premtimit nga legjionarët e kësaj
dioqeze, në Meshën e kryesuar nga Dom Emanuele e Imzot Ottavio
Vitale, ipeshkëv i kësaj dioqeze.
Luçie Preçi
titujt kryesore |