ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 

TË RINJTË NË HOT TË RI ME LUTJEN E TAIZE-së

 

 

Me datën 06.04.2008 në Hot të Ri u mbajt takimi i të rinjve me vëlla Bernardin, i ardhur nga Franca (me kombësi gjermane) i cili është anëtar i “Bashkësisë së Lutjes Ekumenike TAIZE” e themeluar nga Vëlla Roger, tashmë e njohur pothuajse në mbarë botën, si bashkësi e cila organizon takime të ndryshme mes të rinjve nga të gjitha vendet e botës, duke i ftuar ata në lutje dhe adhurim.

Atë Luigi Cannato, vazhdon i palodhur të jetë sa më aktiv dhe të organizojë - së bashku me bashkëvëllezërit e tij Vinçencianë si edhe me motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, në mënyrë të veçantë me motër Albina Përgjoken (katekiste) që veprojnë në këtë famulli gjithashtu edhe me Bijat e Dashurisë Hyjnore, të cilat veprojnë në famullinë e Grudës së Re, -  mbajtjen e takimeve të të rinjve, në adhurimin e kryqit sipas mënyrës së TAIZE-së.

Në takimin e fundit morën pjesë një numër i madh të rinjsh të ardhur edhe si mysafirë nga zona 3. Të rinjtë vinin nga Hoti i Ri, Gruda e Re, Golemi, Vinoteka si dhe të rinjtë e famullisë së Koplikut dhe të Jubicës së bashku me famullitarin e tyre atë Artanin dhe me bashkëvëllanë e tij salvatoria, Vojtekun.

Vëlla Bernardi, kishte përgatitur një meditim dhe u foli të rinjve mbi “Faljen dhe paqen”.

Ai vazhdoi të theksojë se kur njerëzit falin, atëherë ata më së tepërmi i ngjajnë Hyjit, duke qenë se edhe në lutjen Ati ynë kështu lutemi “Na i fal fajet tona, sikurse ne i falim fajtorët tanë...”.

Kur ne falim, njëkohësisht përjetojmë edhe paqen e brendshme, sepse falja dhe paqja shkojnë së bashku, pra janë një. Ne falim edhe atëherë kur jemi në heshtje, i falim të tjerët duke u lutur vazhdimisht për ta.

Pastaj vazhdoi koha e adhurimit me disa çaste heshtjeje, e më pas vijuan këngë të ndryshme dhe të përshtatshme për adhurim, me lutje të përpiluara për nevojat e ndryshme të Kishës dhe për nevojat e mbarë njerëzimit, por të rinjve u ofrohej gjithnjë mundësia edhe për lutje spontane.

Në fund u bë edhe nderimi i Kryqit të Krishtit të kryqëzuar, ku të gjithë të pranishmit vinin me radhë dhe e nderonin kryqin, duke u gjunjëzuar disa çaste në heshtje dhe duke e puthur atë.

Kjo pasdite e mrekullueshme lutjeje dhe adhurimi përfundoi me një koktej të vogël.

Vëlla Bernardi u propozoi të gjithë të rinjve që t'i vazhdojnë këto takime lutjeje dhe se, adhurimin, sipas programit të TAIZE-së, ta mbajnë rregullisht edhe me të rinjtë e tjerë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e shtete të tjera.

 

Motër Flora Gjinaj

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster