|
|
Data 4 maj 2009 për Meshtarët e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (Dehonianë),
për famullinë e Gurëzit (Shqipëri), për fshatin e Portokanone
(Itali), si dhe për shumë miq shqiptarë dhe italianë ka qenë një
ditë e veçantë për të përkujtuar Atë Mikel Bulmetin, në 10
vjetorin e tij të vdekjes, një misionar të madh dhe të shenjtë,
që gjatë itinerarit të shkurtër të jetës së tij ka përshkuar
rrugët e Mozambikut, të Madagaskarit dhe të Shqipërisë për të
kumtuar lajmin e mirë të Ungjillit. Kremtimi, do të thoja, ka
pasur disa momente të veçanta dhe domethënëse.
Më 3 maj, në Gurëz (Laç) ku pushojnë eshtrat e tij, u kremtua
solemnisht Mesha e Shenjtë, e cila u udhëhoq nga Shkëlqesia e
Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit,
dhe nga Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv
Metropolit i Shkodër-Pultit, të dy këta shumë të lidhur me Atë
Mikelin. Mesha u bashkëkremtua nga shumë meshtarë të klerit
rregulltar dhe atij shekullar. Ishin të pranishëm familjarët (vëllai,
motra binjake, të afërm), Kryetari i Bashkisë së Portokanones,
një këshilltar dhe natyrisht të gjithë fshatarët e Gurëzit dhe
të Bashkisë së Fushkuqes, që aq shumë e kanë vlerësuar
angazhimin e tij meshtarak dhe bamirës.
Më 10 maj, në fshatin arbëresh të Portokanones, vendlindja e Atë
Mikelit, Ipeshkvi i Termoli-Larinos, udhëhoqi kremtimin e Meshës
së Shenjtë, ku qe i pranishëm edhe Imzot Angelo Massafra, i cili
dëshmoi afektin e tij për Atë Mikelin duke e përkufizuar:
“Martir i bamirësisë” për angazhimin e tij sidomos në kohën e
kosovarëve. Kanë bashkëkremtuar bashkëvëllezër të ndryshëm mes
të cilëve Ati Provincial i Dehonianëve, famullitari, dhe shumë
meshtarë dioqezanë që kanë njohur Atë Mikelin. Ishin të
pranishëm edhe autoritetet civile që me kujdes kishin përgatitur
këtë ngjarje dhe natyrisht të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij.
Pas Meshës së Shenjtë Imzot Angelo Massafra ka bekuar një pllakë
me mbishkrimin: “Martir i Bamirësisë”.
Pasdite kemi shkuar tek shkolla kur ishte hapur një ekspozitë
fotografike. Fjalën e ka marrë Atë Angelo Massafra i cili ka
paraqitur figurën dhe veprën e Atë Mikel Bulmetit. Ishte i
pranishëm edhe TELE DEHON-i ynë me drejtor Atë Elia Ercolino.
E kemi mbyllur takimin me këto fjalë të miat:
“Shumë i dashur Atë Mikel, më ka takuar mua, dhjetë vjet më parë,
të përgatis fjalimin e jetës tënde, përpara se t'ia besonim
trupin tënd tokës, e kam bërë siç bëhet me mikun më të mirë, në
një ditë që e dija se ishte e afërt, por që shpresoja që të mos
vinte kurrë. Po e bëj përsëri sot në vendin tënd të bukur
Portokanone, ditën e përkujtimit tënd, në prani të autoriteteve
civile dhe fetare, të familjareve të tu, të bashkëfshatarëve të
tu, të grupit SUPERFAC dhe të prani të të gjithë atyre që kanë
mundur të të takojnë dhe të të duan. Këtu janë të pranishme edhe
dy motra dhe një grup i madh shqiptarësh, prej këtij populli të
vogël dhe të madh, që të ka parë duke vrapuar nga njëri cep në
tjetrin, ku kishte një lot për të fshirë, një plagë për të
shëruar, një shpresë për të ndezur dhe askujt nuk i ke treguar
se edhe ti kishe plagët e tua, lotët e tu, vetmitë e tua,
nevojat tuaja për dashuri.
Historia jote tokësore përfshihet në pak data domethëse që
mbulojnë një hark kohor prej 59 vjetësh. Ke lindur në një vend
arbëresh-Portokanone, në Itali, prej një familjeje të mirë, më 8
gusht 1940. Ende djalosh ke hyrë në Seminarin Dehonian të
Shtëpisë së Zojës Mari (Paliare - AP). Aty të kam takuar për të
parën herë, postulant, në vitin 1958. Më 29 tetor 1959 i je
kushtuar Hyjit. Studimet e tua të filozofisë dhe të teologjisë i
ke bërë në Folinjo dhe në Asizi. U bëre meshtar më 12 korrik
1968. Jetove për njëfarë kohe në Andria si animator thirror dhe
më pas realizove ëndrrën tënde për të qenë misionar në Afrikë
dhe vendi ku do të shkosh është Mozambiku. Aty qëndrove rreth 8
vjet dhe punove pa u kursyer, por t'u desh të largoheshe për
shkak të diktaturës komuniste që vinte në rrezik jetën tënde.
U ktheve në Itali dhe gati menjëherë u nise për në Madagaskar,
kur qëndrove vetëm 3 vjet dhe u detyrove të ktheheshe në Itali
për shkak të sëmundjes tënde të rëndë, astmës, të cilën e more
për një akt bujarie dhe e cila do të shoqërojë deri në vdekje.
Pasi u ktheve në Itali, punove më parë në Paliare, ku le shenja
të pashlyeshme të stilit tënd misionar, dhe pastaj në Andria,
por sapo u hapën kufijtë e Shqipërisë, ndieve mallin e origjinës
tënde dhe shkove në tokën e të parëve të tu ku ëndërrove të bësh
sërish të fluturojnë shqiponjat, dhe këtu prej vitit 1990,
luajte jetën tënde, deri ditën e fundit, më 4 maj 1999, kur u
shove, në orën 15.00, në kuvendin e etërve françeskanë të Laçit.
I dashur Atë Mikel, e di se ajo që do të them më poshtë nuk do
të të pëlqejë, meqë nuk të pëlqente asnjë formë protagonizmi,
por duhet ta bëj për drejtësi dhe për t'i dhënë lavdi Hyjit. E
ke dashur tokën e Shqiponjave dhe popullin shqiptar më shumë se
veten tënde dhe është e drejtë që unë të flas për këtë gjë. Ke
ndërtuar një kishë të mrekullueshme, të cilën nuk ke mundur ta
shugurosh dhe një kambanare të cilës nuk ke mundur t'i ngjitesh.
Varrimin na është dashur ta bëjmë jashtë, sepse kisha ishte
kthyer në një magazinë për ndihmat humanitare, por edhe sepse
nuk do të kishte mundur t'i zinte të gjithë ata besimtarë të
Kishës së gjallë të cilët kishin ardhur për të të dhënë
lamtumirën e fundit dhe për të të falënderuar si martir të
vërtetë të bamirësisë.
Ke qenë i aftë për të krijuar marrëdhënie të thella njerëzore,
për të buzëqeshur, për të luajtur, për të sjellë gëzim. Janë të
njohura për mua netët e tua të gjata të ankthit, të pagjumësisë
dhe të krizës së astmave dhe kur kolla u qetësonte, tashmë ishte
mëngjes dhe ti filloje veprimtarinë tënde si pa gjë të keq,
gjithmonë i gatshëm për të thënë po, nëse dikush kishte nevojë.
Njeri i thjeshtë dhe i pastër, ashtu siç thotë për veten e vet
themeluesi ynë, e ke njohur botën pa u ndotur prej saj. Ke pasur
miliarda para nëpër duar për të tjerët dhe ke jetuar shumë i
varfër, madje nuk kishe asnjë kostum të mirë, për të veshur
ditën e vdekjes tënde, por me atë kostum shumë të bukur e të
bardhë që more në pagëzim dhe që e ruajte për t'u paraqitur
përpara Hyjit.
I ke besuar atij Hyji që të kishte thirrur dhe që e ka ushqyer
jetën tënde, për këtë arsye mes një krize astme dhe një
kortizoni filloje çdo ditë sikur të mos kishte ndodhur asgjë,
gjithmonë i gatshëm për t'i dalë përpara Zotit. Ke pasur mundësi
të ngriheshe në përgjegjësi, por përvuajtëria jote të ka
penguar. Ke qenë një mik i vërtetë dhe besnik, i prerë, i aftë
për t'u ndezur për një çast dhe për t'u shuar menjëherë më pas,
një mik i vërtetë i Hyjit dhe i njerëzve.
Me karakterin tënd të zjarrtë ndonjëherë dukej se dëshiroje të
haje ndokënd, por në fakt e ke lënë veten të hahesh prej
njerëzve, ditë për ditë, deri në fund, duke vdekur në vendin
tënd të shërbimit. Ke pasur një zemër të madhe sa vuajtjet e
botës, ke qenë i aftë për të shkuar kudo ku kishte nevojë. Një
zemër që përballë tragjedisë së Kosovës është copëtuar dhe tani
bota është më e varfër. Më kujtohet dita kur më kanë gjuajtur me
armë (4 shkurt 1998), kur ke marrë vesh lajmin e plagosjes sime,
ke shkuar pa frymë tek ushtarët spanjollë, të cilët kishin
fushuar në Shëngjin për të kërkuar një lejekalim për në Shkodër
dhe përpara mospranimit të tyre, sepse rrugët ishin të
rrezikshme, ke kërkuar një Tank, dhe je qetësuar vetëm pasi ke
mësuar se isha gjallë.
I dashur Mikel, duke ia dorëzuar shpirtin tënd Hyjit, trupin
tënd tokës dhe emrin tënd historisë, jemi ndier pak jetimë dhe
të humbur, por kemi rifilluar udhën dhe për këtë arsye ndodhemi
këtu të mallëngjyer, por më të fortë. Është e vështirë, për pak,
të mos shohim fytyrën tënde, por nuk i kemi thënë njëri-tjetrit
lamtumirë, por mirupafshim dhe, të fortë në fe nuk i themi Hyjit
pse, kaq shpejt, të ka marrë prej nesh, por e falënderojmë që të
ka krijuar dhe të ka dhuruar neve.
Atë Mario Bosio, dehonian
titujt kryesore
|
|