|
|
Më 8 maj 2009
Papa Benedikti XVI u nis për në Lindjen e Mesme, në Tokën e
Shenjtë: shtegtimi i Papës në vemjet ku Jezusi lindi, jetoi,
vdiq dhe u ngjall është gjithmonë një ngjarje e jashtëzakonshme.
Ky shtegtim ka pasur një rëndësi të madhe shpirtërore, fetare,
politike, ndërfetare dhe ekumenike. Papa ka vizituar Krerët e
Shteteve, Xhamin në Amman dhe në Jerusalem, duke takuar shumë
përfaqësues Islamikë. Ka qenë Në Murin e qarjes dhe në
Mauzoleumin e Holokaustit, duke takuar përgjegjësit e Bashkësisë
Hebraike.
Krishterimi,
Hebraizmi dhe Islami, janë tre besime që në Jerusalem kanë pikën
e tyre të referimit. Por nuk ka paqe në Jerusalem!
Papa Benedikti
XVI ka qenë lajmëtar i pajtimit. Lexuesi mund të gjejë në vijim
tre fjalime të Papës në largimin e tij nga tre Shtetet ku ka
qenë: Jordani- Gaza - Izrael.
NË AMMAN –
JORDANI
ërshëndetja e
fundit e Papës në Aeroportin Ndërkombëtar Queen Alia – Amman më
11 maj 2009
Madhëri,
Shkëlqesi, të dashur Miq,
ndërsa po
përgatitem për etapën tjetër të shtegtimit tim në tokat e Biblës,
dëshiroj t'ju falënderoj të gjithëve ju për mikpritjen e ngrohtë
që më është bërë në Jordani këto ditë. Falënderoj Madhërinë e
Tij Mbretin Abdullah II që më ka ftuar të vizitoj Mbretërinë
Ashemite, për mikpritjen e tij dhe fjalët e tij të sjellshme.
Shpreh edhe vlerësimin tim për punën e madhe të bërë me qëllim
që të bëhej e mundur vizita ime dhe të sigurohej zhvillimi i
rregullt i takimeve të ndryshme e kremtimeve që janë bërë.
Autoritetet publike, të ndihmuara prej një numri të madh
vullnetarësh, kanë punuar gjatë dhe me këmbëngulje për t'i
drejtuar turmat e për të organizuar ngjarjet e ndryshme. Mbulimi
i mass-mediave u ka lejuar personave të panumërt që të ndjekin
kremtimet, edhe pse nuk kanë mundur të jenë fizikisht të
pranishëm. Ndërsa i falënderoj ata që e kanë bërë të mundur këtë,
dëshiroj t'u jap një falënderim të veçantë të gjithë atyre që
janë duke dëgjuar radion apo duke parë televizionin, sidomos të
sëmurëve dhe atyre që janë të detyruar të rrinë në shtëpi.
Ka qenë një
gëzim i veçantë për mua të jem i pranishëm në fillimin e nismave
të shumta e të rëndësishme të nxitura prej bashkësisë katolike
këtu në Jordani. Krahu i ri i Qendrës Regina Pacis do të hapë
mundësi konkrete për t'u dhënë shpresë atyre që luftojnë me
vështirësi të llojeve të ndryshme dhe familjeve të tyre. Dy
kishat që do të ndërtohen në Betani do t'ua bëjnë të mundur
bashkësive përkatëse mikpritjen e shtegtarëve dhe nxitjen e
rritjes shpirtërore të atyre që do të luten në atë vend të
shenjtë. Universiteti i Madabas duhet t'i japë një ndihmesë
veçanërisht të rëndësishme bashkësisë më të gjerë, duke formuar
të rinj të traditave të ndryshme në kompetencat që do t'i
aftësojnë për ta modeluar të ardhmen e shoqërisë civile. Të
gjithë atyre që janë të angazhuar në këto projekte u bëj urimet
më të mira dhe premtimin e lutjeve të mia.
Një ditë
veçanërisht e ndritshme mes atyre që jam duke jetuar ka qenë ajo
e vizitës sime në xhaminë al-Hussein bin-talal, ku kam pasur
kënaqësinë të takoj krerët myslimanë së bashku me anëtarët e
Trupave diplomatikë dhe Rektorët e Universitetit. Do të
dëshiroja t'i nxisja të gjithë jordanezët, si të krishterët
ashtu edhe myslimanët, që të ndërtojnë mbi themelet e
qëndrueshme të tolerancës fetare që i bën anëtarët e bashkësive
të ndryshme të aftë të jetojnë së bashku në paqe dhe respekt të
ndërsjellë. Madhëria e Tij Mbreti ka qenë shumë aktiv në nxitjen
e dialogut ndërfetar dhe dëshiroj të theksoj se sa i çmuar është
angazhimi i tij në lidhje me këtë. Me mirënjohje vë në dukje
edhe konsideratën e veçantë që ai tregon ndaj bashkësisë së
krishterë të Jordanisë. Ky shpirt hapjeje jo vetëm i ndihmon
anëtarët e bashkësive të ndryshme etnike në këtë Vend që të
jetojnë së bashku në paqe e mirëkuptim, por ka ndihmuar edhe në
nismat politike largpamëse të Jordanisë për të ndërtuar paqen në
të gjithë Lindjen e Mesme.
Të dashur Miq,
sikurse e dini, në Jordani kam ardhur sidomos si shenjta dhe
momentet e lutjes që kemi kremtuar së bashku. Edhe një herë
dëshiroj të shpreh vlerësimin e gjithë Kishës ndaj atyre që i
ruajnë vendet e shtegtimit në këtë tokë dhe dëshiroj të
falënderoj edhe personat e shumtë që kanë ndihmuar në
përgatitjen e Mbrëmësores së të Shtunës në Katedralen e shën
Gjergjit dhe të Meshës së djeshme në Stadiumin Ndërkombëtar. Ka
qenë vërtet një gëzim për mua të përjetoj këto kremtime
Pashkvore me besimtarë katolikë të traditave të ndryshme, të
bashkuar në njësinë e Kishës dhe në dëshminë e tyre të Krishtit.
I nxis të gjithë së bashku që t'i mbeten besnikë angazhimit të
tyre pagëzimor, duke kujtuar se vetë Krishti e ka marrë
pagëzimin prej Gjonit në ujërat e lumit Jordan.
Duke u ndarë
prej jush, dëshiroj ta dini se unë e mbaj në zemër popullin e
Mbretërisë Ashemite dhe të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë.
Lutem që të keni gëzimin e paqes dhe të prosperitetit, tani dhe
për të gjitha breznitë e ardhshme. Edhe një herë, faleminderit.
Dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!
NË BETLEHEM –
GAZA
Përshëndetja e
fundit e Papës në oborrin e Pallatit Presidencial më 13 maj 2009
Zoti President,
Të dashur Miq,
ju falënderoj
për mirësjelljen e madhe që keni treguar ndaj meje këtë ditë që
kalova në shoqërinë tuaj, këtu në Territoret Palestineze. I jam
mirënjohës Presidentit, Zotëri Mahmoud Abbas, për mikpritjen e
tij dhe për fjalët e tij të mirësjellta. Ishte një emocion i
madh për mua të dëgjoj edhe dëshmitë e banorëve që na kanë folur
për kushtet e jetës këtu në Zonën Perëndimore dhe në Gaza. Ju
siguroj të gjithëve ju se ju mbaj në zemrën time dhe dëshiroj të
shoh paqe e ripajtim në këto toka të munduara.
Ka qenë me të
vërtetë njëra ndër ditët më të paharruara, që kur kam arritur në
Betlehem sot në mëngjes, dhe kam pasur gëzimin të kremtoj Meshën
me një shumicë të madhe besimtarësh në vendin ku ka lindur Jezu
Krishti, drita e kombeve dhe shpresa e botës. Pashë kujdesin që
u kushtohet fëmijëve të sotëm në Caritas Baby Hospital. Me
dhimbje pashë situatën e refugjatëve që, si Familja e Shenjtë, u
është dashur t'i braktisin shtëpitë e tyre. Dhe pashë murin që
gjendet në territoret tuaja, i cili ndan fqinjët e familjet,
rrethon fushën e afërt dhe fsheh një pjesë të madhe të
Betlehemit.
Megjithëse
muret mund të ndërtohen lehtë, të gjithë e dimë se ata nuk
zgjasin për gjithmonë. Mund të shemben. Por, para së gjithash
është e nevojshme të hiqen muret që ne ndërtojmë përreth zemrave
tona, barrierat që ngrejmë kundër të afërmit tonë. Ja se përse,
në fjalët e mia përmbyllëse, dua të bëj një thirrje të përtërirë
për hapje dhe shpirtmadhësi, që t'i jepet fund mostolerancës dhe
përjashtimit. Nuk ka rëndësi se sa i patrajtueshëm dhe
rrënjësisht i rrënjosur mund të duket një konflikt, ka gjithmonë
arsye për të shpresuar se ai do të mund të zgjidhet, se
përpjekjet e durueshme dhe këmbëngulëse të atyre që veprojnë për
paqen dhe pajtimin, në fund do të sjellin fryte. Urimi im i
gjallë për ju, popull i Palestinës, është që kjo të ndodhë
shpejt, dhe që ju më në fund të mund të gëzoni paqen, lirinë dhe
stabilitetin që ju kanë munguar për kaq shumë kohë.
Ju siguroj se
do të shfrytëzoj çdo mundësi për t'i nxitur ata që janë të
përfshirë në bisedimet e paqes që të punojnë për një zgjidhje të
drejtë që respekton aspiratat e ligjshme të të dy palëve,
izraelianëve dhe palestinezëve. Si hap të rëndësishëm në këtë
drejtim, Selia e Shenjtë dëshiron që shpejt, në marrëveshje me
Autoritetin Palestinez, të caktojë Komisionin e Dyanshëm të
Përhershëm që është përvijuar në Marrëveshjen bazë, të firmosur
në Vatikan më 15 shkurt 2000 (krh. Marrëveshja bazë mes Selisë
së Shenjtë dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, neni 9).
Zoti President,
të dashur Miq, edhe një herë ju falënderoj dhe të gjithëve ju
besoj mbrojtjes së të Gjithëpushtetshmit. Hyji e ktheftë
shikimin e vet plot dashuri mbi secilin prej jush, mbi familjet
tuaja dhe mbi të gjithë ata që i keni për zemër. Ai e bekoftë
popullin palestinez me paqe.
NË TEL AVIV –
IZRAEL
Përshëndetja e
fundit e Papës në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion – Tel
Aviv, e premte më 15 maj 2009
Zoti President,
Zoti
Kryeministër,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,
Ndërsa po
përgatitem të kthehem në Romë, dëshiroj të bashkëndaj me ju disa
përshtypje të forta që ky shtegtim në Tokën e Shenjtë ka
ngjallur në mua. Kam pasur bisedime të frytshme me autoritetet
civile qoftë në Izrael qoftë në Territoret Palestineze, dhe kam
asistuar në përpjekjet e mëdha që të dy qeveritë bëjnë për të
garantuar mirëqenien e popullit. Kam takuar përgjegjës të Kishës
katolike në Tokën e Shenjtë dhe kam ndier gëzim duke parë
mënyrën me të cilën veprojnë së bashku për t'u kujdesur për
grigjën e Zotit. Kam pasur edhe mundësinë të takoj përgjegjës të
Kishave të ndryshme të krishtera, të bashkësive kishtare dhe të
besimeve të tjera në Tokën e Shenjtë. Kjo tokë faktikisht është
një terren pjellor për ekumenizmin dhe për dialogun ndërfetar.
Lutem që larmia e pasur e dëshmive fetare të pranishme në këtë
zonë të sjellë fryte të një kuptimi dhe të një respekti të
ndërsjellë gjithnjë në rritje.
Zotëri
President, ju dhe unë kemi mbjellë një pemë ulliri pranë banesës
suaj ditën e arritjes sime në Izrael. Sikurse e dini, pema e
ullirit është një shëmbëlltyrë që shën Pali përdor për të
përshkruar marrëdhënien shumë të ngushtë mes të krishterëve dhe
hebrenjve. Në Letrën drejtuar Romakëve, Pali përshkruan mënyrën
me të cilën Kisha e paganëve është si një ulli i egër i shartuar
në një ulli të kultivuar që është Populli i Besëlidhjes (krh.
11, 17-24). Na ushqejnë të njëjtat rrënjë shpirtërore. Takohemi
si vëllezër, që, nganjëherë, gjatë historisë sonë, kanë pasur
një marrëdhënie të tendosur, por që tani janë vendosmërisht të
angazhuar për të ndërtuar ura miqësie të qëndrueshme.
Ceremoninë
pranë Pallatit Presidencial e ka pasuar njëri ndër momentet më
solemne të qëndrimit tim në Izrael, vizita ime në Memorialin e
Holokaustit “Yad Vashem”, ku kam takuar disa të mbijetuar që
kanë vuajtur prej të këqijave të Shoah-ut. Ato takime
thellësisht prekës më kanë kujtuar vizitën e tri vjetëve më parë
në kampin e përqendrimit të Aushvicit, ku aq shumë hebrenj, nëna,
baballarë, bashkëshortë, bashkëshorte, vëllezër, motra, miq,
qenë vrarë në mënyrë brutale nën një regjim pa Zot që përhapte
një ideologji antisemitizmi dhe urrejtjeje. Ai kapitull i
llahtarshëm i historisë nuk duhet harruar apo mohuar kurrë.
Përkundrazi, ato kujtime të trishtuara do të duhej ta
përforconin vendosmërinë tonë për t'u afruar me njëri-tjetrin si
degë të të njëjtës pemë ulliri, të ushqyera prej të njëjtave
rrënjë dhe të bashkuar prej dashurisë vëllazërore.
Zoti President,
ju falënderoj për ngrohtësinë e mikpritjes suaj, shumë të çmuar,
dhe dëshiroj të kujtoj se kam ardhur ta vizitoj këtë Vend si mik
i izraelianëve dhe si mik i popullit palestinez. Miqve u pëlqen
të kalojnë kohë në shoqëri të njëri-tjetrit dhe ndiejnë një
turbullim të thellë kur shohin vuajtjen e ndërsjellë. Asnjë mik
i izraelianëve dhe i palestinezëve nuk mund të mos vërejë me
trishtim tensionin e vazhdueshëm mes popujve tuaj. Asnjë mik nuk
mund të mos qajë për vuajtjen dhe humbjen e jetëve që të dy
popujt kanë pësuar në gjashtë dhjetëvjeçarët e fundit. Më lejoni
t'ia bëj këtë thirrje të gjithë njerëzve të këtyre tokave: Kurrë
më gjakderdhje! Kurrë më luftime! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më
luftëra! Përkundrazi, të mundohemi ta prishim rrethin vicioz të
dhunës! Le të bëjmë që të ketë një paqe të qëndrueshme të bazuar
në drejësinë, që të ketë pajtim dhe shërim të përnjëmendtë! Që
të njihet universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtën të
ekzistojë dhe të gëzojë paqen e sigurinë brenda kufijve të
njohur në nivel ndërkombëtar! Të pranohet po ashtu se populli
palestinez ka të drejtën për një atdhe të pavarur e sovran, të
jetojë me dinjitet dhe të udhëtojë lirisht! Bëni që zgjidhja e
dy-shteteve të bëhet realitet, të mos mbetet një ëndërr! Le të
bëjmë që paqja të përhapet në këto toka! Që ato të jenë “drita e
kombeve” (Is 42,6), kështu që t'u sjellin shpresë edhe shumë
zonave të tjera të goditura prej konfliktit!
Gjatë vizitës
sime në këto toka, njëra prej shëmbëlltyrave më të trishtuara
për mua ka qenë ajo e murit. Duke kaluar pranë tij, jam lutur
për një të ardhme në të cilën popujt e Tokës së Shenjtë të mund
të jetojnë së bashku në paqe e në harmoni pa nevojën për këto
mjete sigurie e ndarjeje, por duke e respektuar njëri-tjetrin,
duke pasur besim në njëri-tjetrin dhe duke hequr dorë prej të
gjitha formave të dhunës e të agresionit. Zoti President, e di
se sa e vështirë do të jetë të arrihet ky objektiv. E di se sa e
vështirë është detyra juaj dhe ajo e Autoritetit Palestinez.
Megjithatë, ju siguroj se lutjet e mia dhe ato të katolikëve në
të gjithë botën janë me ju ndërsa i vazhdoni përpjekjet tuaja
për të ndërtuar një paqe të drejtë e të qëndrueshme në këtë zonë.
Më mbetet vetëm
t'u shpreh falënderimin tim të sinqertë të gjithë atyre që kanë
ndihmuar në shumë mënyra për zhvillimin e qetë të vizitës sime.
Qeverisë, organizatorëve, vullnetarëve, mediave dhe të gjithë
atyre që më kanë dhënë mikpritje mua dhe atyre që më shoqërojnë,
jam thellësisht mirënjohës. Të jeni të sigurtë se do të
kujtoheni me dashuri në lutjet e mia. Juve të gjithëve ju them:
Faleminderit, dhe Zoti qoftë me ju. Shalom!
Nga
Osservatore Romano
titujt kryesore |
|