ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

DITA XLVI BOTËRORE E LUTJES PËR THIRRJET

 

 

 

 

Si çdo vit, Ati i shenjtë na porosit dhe na nxit që të lutemi e të punojmë më shumë për thirrjet. Edhe këtë vit, Papa Benedikti i XVI në mesazhin e tij me temë “Besimi në nismën e Hyjit dhe përgjigjja njerëzore” vuri theksin në iniciativën e Zotit në lidhje me atë që thërret, pra është Zoti që na zgjedh dhe ne i përgjigjemi Atij: “Unë ju zgjodha ju e jo ju më zgjodhët mua” (krh Gjn 15).

Duke u ndalur pikërisht në nismën e Zotit që thërret, Ati i Shenjtë Benedikti XVI theksoi “Thirrja në meshtari dhe në jetën e kushtuar është një dhuratë e veçantë hyjnore që ndërfutet në planin e gjerë të dashurisë dhe të shpëtimit që Hyji ka për çdo njeri dhe për mbarë njerëzimin.” Por nga ana tjetër është e nevojshme që edhe ne të angazhohemi e të punojmë në ndihmë të përgjigjes ndaj thirrjes së Zotit. Prandaj edhe Papa na nxit që “detyra jonë e parë është të mbajmë gjallë, me lutje të pandërprerë, këtë thirrje të nismës hyjnore në familje dhe në famulli”.

Në lidhje me këtë ditë edhe Dioqeza Shkodër-Pult ka organizuar një Vigjilje lutjeje në kapelën e Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër ditën e premte me datë 01.05.2009. Vigjiljen e Lutjes e udhëhoqi Sh.T. Imzot Angelo Massafra, i cili i nxiti të rinjtë e pranishëm që të mos kenë frikë që t'i përgjigjen “Po” Zotit nëse Ai i thërret.

Gjatë Vigjiljes seminaristi Gert Gjoni bëri premtimet Diakonale në prani të Arqipeshkvit dhe të dy dëshmitarëve Dom Martin Thompson e Dom Gjovalin Simoni.

Pas vigjiljes së lutjes, Seminaristët  kishin përgatitur një dramë mbi Shën Palin me temë: “Shën Pali i pushtuar nga Krishti.” Pa dyshim që figura e Shën Palit e sjellë në aktrimin profesional të seminaristëve do të shprehte se vetë Shën Pali është një model i thirrjes dhe i braktisjes totale në duart e Zotit.

 

Dom Gjovalin Simoni

 

 

 titujt kryesore

 

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster