ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

DREJTËSI DHE PAQE KUNDER TRAFIKIMIT

 

 

 

Nga data 12 deri me 21 maj 2009,  në qytetin e Lvivit në Ukrainë, u zhvillua veprimtaria me temë “Lufta kundër varfërisë dhe trafikimit të qënieve njerëzore në Ukrainë”. Duke qenë se trafikimi i qënieve njerëzore është një fenomen mjaft i shëmtuar i cili cënon rëndë të gjitha të drejtat dhuruar njeriut nga Hyji, Kisha Katolike  nuk mund të rrijë indiferente.

Në këto kushte Komisionet Europiane Drejtësi e Paqe dhe Karitaset e vendeve të ndryshme europiane organizuan në Ukrainë veprimtarinë e lartpërmendur, sipas metodologjisë së “Ekspozimit dhe Dialogut”. Kjo metodë konsiston në një vizitë disa ditore që një çift pjesëmarrësish bën në një familje që ka vuajtur pasojat e trafikimit njerëzor. Në këtë mënyrë pjesëmarrësve u jepet mundësia  të kuptojnë nëpërmjet shembullit konkret, shkaqet e problemit në fjalë dhe pasojat e dhimbshme që ai sjell.

Po ashtu është tejet e rëndësishme të theksohet ndjenja e ndërsjellë e ngrohtësisë dhe e mirënjohjes që vendoset midis familjarëve dhe pjesëmarrësve. Situata të tilla prekëse nuk mund të shprehen me gjuhën e thatë të statistikave. Ukraina u zgjodh si vendi europian më i prekur nga trafikimi. Veprimtaria u organizua nën kujdesin e Komisioneve Drejtësi e Paqe të Francës,e cila aktualisht mban presidencën, Ukrainës dhe me asistencën e grupit gjerman të specializuar ne organizimin e EDP (Exposure and Dialogue Program). Pjesëmarrësit vinin kryesisht nga vendet e zhvilluara të Europës perëndimore si: Gjermania, Franca, Hollanda, Suedia, Italia dhe ishin përzgjedhur nga radhët e aktivistëve  të Karitasit Ose Komisioneve Drejtësi e Paqe në vendet përkatëse. Kishte ndërmjet tyre përfaqësues të lartë të klerit katolik, avokatë, mjekë, sociologë, njerëz të shtypit si dhe përfaqësues të OJQ-ve që punonjnë për të drejtat e grave dhe fëmijëve.

Shqipëria mori pjesë me dy anëtarë të komisonit  të Drejtësi e Paqe: Znj. Luçiana Dodani dhe Z. Vladimir Banushi. Të dy këta anëtarë kanë shërbyer si lehtësues në të njëjtin program organizuar dy vjet më parë në Shkodër me teme mbi varfërinë dhe shkaqet e emigracionit. Shqipëria ofroi një pikëpamje kyçe në këtë veprimtari, për sa i takon analizës, për shkak të ngjashmërive në problematikat shoqërore që vendi ynë ka me Ukrainën ku mund të përmendim kohën e gjatë nën regjimin komunist, përballjen e beftë me pluralizmin dhe ekonominë e  tregut.

Kjo përvojë do t`i shërbejë komisionit shqiptar të Drejtësi e Paqe në të ardhmen për të ndërhyrë në problematika të ngjashme.

 

Vladimir Banushi

 

 titujt kryesore

 

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster