|
|
Shënim i
kërkuar don Pasquale Ferraro-s,
Koordinator
kombëtar për shqiptarët në Itali
ROMË
(Migranti-press) – Në rrethana të ndryshme jemi kthyer të
analizojmë procesin e integrimit të emigrantëve shqiptarë në
Itali dhe, prej përfundimeve të kuvendeve të fundit të
Fondacionit Migrantes të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kanë
dalë risi të ndryshme pozitive dhe për shumë aspekte
ngushëlluese për punën dhe përkushtimin e shumë vepruesve
baritorë të bashkësive të ndryshme etnike të pranishme në Itali.
Veçanërisht,
për etninë shqiptare, risitë i përkasin para së gjithash
shërbimit të rregullt liturgjik në gjuhën shqipe, në të cilin
marrin pjesë grupe të rinjsh dhe familje të reja të ndërtuara
kohët e fundit, aq sa tashmë përditësohen me rregullsi edhe
regjistrat për sakramentet e hyrjes së krishterë dhe për
martesat; praktikisht mund të themi se mund të ndiqen nga afër
familja shqiptare që formohet dhe zgjerohet, si dhe rrënjoset në
strukturën shoqërore të mirëpritjes. Por, të dhënat statistike
të këtij konsiderimi të parë na ftojnë të reflektojmë mbi një
aspekt më rrënjësor dhe të rëndësishëm baritor që, në fillim të
punës sonë rreth tetë vjet më parë, na kishte shqetësuar shumë,
pra, mundësia e një mbushjeje efektive të zbrazëtirës
kulturoro-fetare që regjimi i hekurt komunist ua kishte hequr
atyre. Përkatësia fetare e deklaruar në fillim prej individëve,
vetëm se në të kishte bërë pjesë një familjar i largët, sot
deklarohet si personale, sepse në gjirin e bashkësive të reja të
lindura në Itali, është bërë një zgjedhje e pjekur, që ka buruar
dhe është mbështetur prej kurseve të rregullta të katekezës dhe
prej propozimeve konkrete të jetës së fesë.
Në të vërtetë,
edhe këtë vit regjistrohet me entuziazëm një grup trembëdhjetë
personash që, në Kishën e Shën Gjonit të Malvës në Trastevere,
që dioqeza e Romës ia ka caktuar bashkësisë shqiptare,
përgatiten për të marrë sakramentet e fillimit të krishterë. E
njëjta gjë ndodh në gati të gjitha bashkësitë e tjera të
emigrantëve shqiptarë të pranishëm në Itali, duke u bërë kështu
nata e Pashkëve edhe më e gëzueshme dhe e pasur me elementin e
krishterë të shpresës që duhet ta shoqërojë gjithmonë çdo
besimtar dhe edhe më shumë emigrantin që të jetë gjithnjë e më i
gatshëm për t'u përballur e për të treguar identitetin e vet
kulturor. Shpesh është diskutuar mbi identitetin kulturor në
tokë të huaj, mbi vështirësitë e ndeshura në të deklaruarit si
shqiptarë, sepse paragjykimet e pamotivuara e kishin bërë konfuz
dhe të vështirë përfshirjen e tyre edhe në vendet e punës. Këto
paragjykime sot në më të shumtën janë kapërcyer dhe në shumë
raste janë shndërruar në lavdërime ndaj tyre, aq sa në disa
realitete janë shumë të lavdëruar dhe të dashur.
Pra, krenaria
dhe shpresa lakojnë foljen “integrohem”, aq sa ta bëjë bartëse
të një limfe të re jetësore në Kishën italiane që, në dëshmimin
e Krishtit të ngjallur, është gjithmonë e gatshme të hapë dyert
dhe ta pranojë të huajin si vëlla.
Shënime të
Migrantes
- Trembëdhjetë
personave që do të marrin sakramentet e fillimit të krishterë në
Kishën e “shqiptarëve” duhet t'u shtohen edhe të tjerë që do t'i
marrin në famullitë e tyre përkatëse, për një tërësi prej 19
neofitësh. Gjithnjë në temën e integrimit kishtar është rasti të
vëmë në dukje, nga sa rezulton prej shumë anësh, se tërësia e
nxënësve shqiptarë përdorin mësimin e besimit katolik në shkolla.
- Në lidhje me
shqiptarët ka shenja të dukshme edhe të një integrimi progresiv
civil, i pari ndër të cilët është numri i madh i ripërbërjes së
njësisë familjare dhe i pranisë në shkollë të një brezi të dytë
ashtu si edhe rënia e nivelit të devijimit.
titujt kryesore
|
|