ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

KUSHTET E PËRJETSHME TË MOTËR NINA BERARDIT

 

 

 

Ka momente veçanërisht domethënëse për t'i dhënë lavd e për të falënderuar Zotin për gjërat e mrekullueshme që bën në jetën e atyre që janë të thirrur ta ndjekin atë më nga afër, në jetën e kushtuar. Dhe ne duam të falënderojmë e të bekojmë Zotin që ka zgjedhur motër Ninën në Kongregatën e Motrave Françeskane të Bamirësisë.

Motër Nina e ka realizuar dëshirën e vet për t'iu kushtuar tërësisht Zotit, me Kushtet Solemne, më 18 prill 2009, në Shenjtëroren e Shenjtes Mari të Kanetos në Rokavivara (Kampobaso), në praninë e Ipeshkvit të Dioqezës së Triventos Imzot Domenico Scotti dhe Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit.

Prania e këtij të fundit i detyrohet faktit se motër Nina prej më se 3 vjetësh është misionare në Shqipëri, më saktë në fshatin e Komanit, ku Motrat Françeskane të Bamirësisë veprojnë përkrah të varfërve, personave më nevojtarë, të munduar në trup e në shpirt, sidomos janë afër dhe veprojnë për ta bërë më të mirë jetën e fëmijëve, e gjithë kjo me shpirtin dhe pasionin e trashëguar prej vullnetit të Themeluesit tonë Imzot Vittorio Cordisco, i cili thoshte: “... dhe ju do të mbretëroni mbi vëllezërit që Hyji do t'ju besojë sikurse Krishti ka mbretëruar, duke ndriçuar me dritën e fesë, duke ngushëlluar dhe udhëhequr me buzëqeshjen e mirësisë, duke mbështetur me fuqinë e flijimit... sepse gjithçka është e madhe kur dashuria është e madhe! E ku ka mënyrë më të mirë për ta përdorur jetën se sa t'ia flijojmë atë Hyjit, në shërbim të vëllezërve, në të cilët Krishti jeton dhe fshihet? Sepse thirrje do të thotë aftësi për të dëgjuar zërat lutës të botës, zërat e shpirtërave të pafajshëm, të atyre që vuajnë, të atyre që janë pa paqe, pa ngushëllim, pa udhëheqje, pa dashuri... do të thotë të kuptosh misionin e vështirë, por të mrekullueshëm të kishës, të angazhuar për t'i mësuar njeriut qenien e tij të vërtetë, qëllimin e tij, fatin e tij, dhe për t'u zbuluar shpirtërave besnikë pasuritë e pafundme e të patregueshme të dashurisë së Krishtit. Do të thotë të jesh e të mbetesh i ri: të kesh syrin e mprehtë dhe zemrën të madhe, do të thotë të pranosh si program jete imitimin e Krishtit, heroizmin e tij, shenjtërinë e tij, misionin e tij të mirësisë dhe të shëlbimit!”.

I urojmë motër Ninës që të jetë një dëshmitare e vërtetë e dashurisë së zjarrtë të Krishtit për njeriun, e mëshirës së tij të pafundme, e dhembshurisë së tij për vuajtjen e çdo krijese, në besnikëri absolute ndaj thirrjes së vet.

 

Motër Cadia

 

 

 

 titujt kryesore

 

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster