ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS

 

 

 

TAKIMI I RINISË DIOQEZANE NË KABASH – PUKË

 

Në kuadër të ditës së Rinisë Dioqezane, të rinjtë e dioqezës së Sapës me në krye bariun e tyre, Imzot Lucjan Avgustini, me datën 9 maj 2009, zhvilluan ditën e rinisë në Abacinë e Shën Palit në Kabash të Pukës, vend ky i cili që në lashtësi e deri nga fillimi i shek. XVII ka qenë qendra më e rëndësishme ekonomike, politike, kulturore dhe asaj të kultit për mbarë krahinën e Pukës.

Tematika e kësaj dite ishte mbështetur në mesazhin e Atit të Shenjtë, “Shpresojmë në Hyjin e gjallë” dërguar të rinjve të mbarë botës, pjesë e së cilës është edhe rinia e Dioqezës së Sapës.

Ajo çka i bashkoi më shumë të rinjtë në këtë ditë ishte kremtimi i Meshës së shenjtë nga Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me meshtarët që kishin shoqëruar të rinjtë.  Gjatë fjalës së rastit Imzot Lucjani bëri të njohur të rinjve pse ishte zgjedhur pikërisht Kabashi për të organizuar ditën e të rinjve. “Arsyeja, tha ai, është se, edhe pse kemi ecur rreth 2 orë e gjysmë me këmbë, dëshira ime ka qenë të kujtojmë apostullin e popujve me një kremtim pikërisht në Kishën që ka qenë e kushtuar Shën Palit, e të njohim historinë e popullit tonë.  Së dyti, nëpërmjet mesazhit të Atit të Shenjtë të kërkojmë edhe ne të gjejmë shpresën dhe gëzimin në Krishtin Zot në shumë pyetje, të cilat, dita-ditës i mundojnë të rinjtë tanë”. 

I gjithë takimi më pas ka vazhduar me momente lutjeje, dëshmie, meditimi dhe feste, ku të gjithë të rinjtë e jetuan këtë ditë ashtu siç na mëson Kisha Nënë, në paqe, dashuri e shpresë, duke kërkuar ta mbajmë të gjallë e ta ndezim flakën e shpresës së madhe. Kjo shpresë mund të jetë vetëm në Hyjin e gjallë, që me vdekjen dhe ringjalljen e tij ka përqafuar gjithësinë dhe mund të na ofrojë atë çka ne të vetëm nuk mund ta arrijmë.

 

NË ISHULLIN E SHURDHAHUT

 

Pas kremtimeve dhe festimeve me popullin e Zotit dhe bashkësitë ku ata shërbejnë, në thirrjen e ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, i gjithë kleri dioqezan me datën 16 prill 2009, festoi Ngjalljen e Krishtit me njëri-tjetrin në Emausin e organizuar  në ishullin e Shurdhahut, dikur Dioqeza e Sardës.

E veçantë ishte se, këtë herë, në këtë Emaus me ftesë të Ipeshkvit të vendit, Imzot Lucjan Avgustinit nderuan me pjesëmarrjen e tyre Nunci Apostolik i Shqipërisë, Imzot Ramiro Moliner Igles, e njëkohësisht edhe titullar i Dioqezës së Sardës,  Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Malit të Zi, Imzot Zef Gashi si dhe  Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Të ftuar ishin edhe ipeshkvijtë e tjerë të Shqipërisë, por për arsye të angazhimeve që kishin, nuk patën mundësi të merrnin pjesë.

Pas udhëtimit me varka dhe anije në liqenin e Vaut të Dejës, e pasi  u mblodhën në vendin historik, në ishullin e Shurdhahut, Imzot Lucjani zhvilloi një takim të shkurtër duke bërë një analizë pune me meshtarët e motrat gjatë kohës së Kreshmëve.

Në orën 12.00 u kremtua Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga Nunci Apostolik, në bashkëkremtim me ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm.

Në këtë ditë të Emausit u kujtua edhe ditëlindja e Papa Benediktit XVI, ku të gjithë u lutën për të duke e kujtuar edhe gjatë Meshës.

Pas kremtimeve bashkë me ipeshkvijtë u bë edhe një vizitë në gjithë territorin e Sardës, ku përmes shpjegimeve historike mbajtur nga Imzot Lucjani, u njohën më mirë me historinë dhe lashtësinë e ish dioqezës së Sardës. Dreka vëllazërore mbylli dhe ditën e këtij Emausi, që me të vërtetë la mbresa për të gjithë pjesëmarrësit.

 

VIZITA BARITORE NË FUSHË – ARRËS

 

Nga data 2-9 maj 2009, Ipeshkvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini zhvilloi Vizitën e tij Baritore në zonat malore, në famullinë e Shën Jozefit në Fushë-Arrës dhe fshatrat përreth  saj. I pritur nga famullitari Atë Andres Waltermann dhe Motrat Françeskane të Zojës Papërlyer, misionarë këto nga Gjermania që prej vitesh janë të pranishme në këtë zonë, ipeshkvi filloi vizitën e tij me kremtimin eukaristik të së dielës së katërt të Pashkëve.

Mes kremtimeve të shumta që Imzot Lucjani bëri sa në një fshat në tjetrin, ai krezmoi edhe shumë të rinj e të reja në fshatin Lumbardhë, ku për herë të parë pas kaq vitesh u organizua një ceremoni e tillë në këtë fshat të thellë malor.

Një takim me mjaft rëndësi Ipeshkvi zhvilloi edhe me përfaqësuesit e pushtetit lokal. Në këtë vizitë të zhvilluar për herë të parë nga një ipeshkëv në këtë famulli, Imzot Lucjani është ndeshur edhe me një fenomen tjetër, një grup të rinjsh protestantë po shpërndajnë nëpër shkolla pako me ndihma, duke mashtruar fëmijët. Madje, me anën e një formulari, ato iu bëjnë thirrje fëmijëve: “plotësojeni dhe ejani tek ne, se do kemi akoma surpriza edhe më të mëdha për ju!”

Gjatë Vizitës Baritore, Bariu i Sapës po prek më nga afër realitetin e kësaj zone, që në të vërtetë është një zonë mjaft e vështirë si nga shtrirja gjeografike, ashtu edhe nga ana ekonomike, e për pasojë varfëria vende-vende është ulur pothuajse këmbëkryq në mesin e këtyre banorëve. Një rol mjaft të rëndësishëm kanë luajtur misionaret motra, që me kontributin e tyre janë munduar ta zbusin sadopak këtë varfëri.

 

Violeta Marashi

 

DOM GERT GJONI - SHUGUROHET DIAKON

 

Me daten 3 maj në orën 18. 00 në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, u bë shugurimi diakonal i seminaristit Gert Gjoni, seminarist i dioqezës së Shkodrës. Shugurimi u bë nga duart dhe lutja e Imzot Angelo Massafra dhe gjatë këtij kremtimi ishin të pranishëm edhe shumë meshtarë e diakonë të tjerë. Gjithashtu katedralja ishte e mbushur edhe nga shumë besimtarë të ardhur nga qyteti e shumë të tjerë të ardhur nga fshatrat e ndryshëm, të cilët kishin ardhur ta ndiqnin nga afër këtë dhurim total që Gerti po i bënte Hyjit dhe Kishës së Tij. Në vijim janë fjalët e vetë Gertit që flet për përshtypjet e tija të kësaj dite dhe se ç'është diakonati në Kishën e Hyjit.

         «Nuk ju thërras më shërbëtorë,…por miq!» Gj. 15,15

«Diakonati është hapi i parë drejt hirit të Urdhrit Meshtarak. Është diakoni ai i cili ndihmon Ipeshkvin në kremtimin e Meshës së Shenjtë, si edhe kryen, mes të tjerash, edhe disa shërbime të veçanta si p.sh.: kremton sakramentin e pagëzimit, kryen salikimet në rast vdjekjeje si edhe kremton Sakramentin e Martesës.

Për mua personalisht, shërbesa diakonale më ka bërë përshtypje. Aty kam vënë re se Kisha është vendi i shërbimit, i ndihmës së ndërsjellë, i dhurimit të kohës të tjerëve në shërbim të Hyjit. Vetë Jezu Krishti është diakon i Atit, të cilit i shërben si Bir i amshuar me durim e gëzim.

Kjo Shërbesë e veçantë më ndihmon të kuptoj më mirë rëndësinë e Meshtarisë, vendi ku shërbimi përqendrohet në shugurimin e bukës dhe verës, qendra dhe burimi i jetës së krishterë. Vetëm përmes shërbimit mund ta përjetojmë miqësinë më Krishtin, sepse edhe ai i thotë apostujve:”Nuk ju thërras më shërbëtorë,...por miq.” Diakonati është dera e një lidhjeje më të ngushtë e Atit me Birin përmes Shpirtit të Shenjtë».

 

FRA PRELË SYLA, OFM Kap - SHUGUROHET DIAKON

 

Me datë 16 maj 2009, në ora 18.00, në Bari (Itali) në kishën “Shën Fara” e fretërve françeskanë kapuçinë u shuguruan diakonë me vendosjen e duarve e lutjen e shugurimit të Shkëlqesisë së tij Imzot Angelo Massafra, OFM, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult, tre akolitë: Fra Antonello Gravante, Fra Sabino Perillo dhe Fra Prel Syla.

Për këto shugurime ishin në gëzim Eterit Kapuçinë të Provincës së Barit dhe Foggia-s dhe familjarët e tyre. Ishte dhe është një gëzim i madh edhe për ne shqiptarë sepse Fra Prel Syla është diakon i parë kapuçin shqiptar. Imzot Massafra falënderoi qoftë të shuguruarit dhe Provincialin, Atë Francesco Neri, për ftesën, qoftë Arqipeshkvin e Bari-t, Imzot Francesco Cacucci për lejen; dhe në predikimin e tij ndër të tjera tha: “Të forcuar nga dhurata e Shpirtit Shenjt ju do të ndihmoni Ipeshkvin dhe presbiterin e tij në shërbesën e Fjalës, të Altarit e të Bamirësisë, duke qenë në shërbim të vëllezërve...do të predikoni mëshirën e Zotit, si thoshte shën Françesku i Asizit, me fjalë të thjeshta dhe plot dashuri... Jini shembull që me jetën tuaj të mund të tërhiqni të rinj në jetën meshtarake dhe misionare...”

 

 

 

 titujt kryesore

 

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster