|
FAMULLISË
“SHËN SHTJEFNI”
FAMULLISË
“ZOJA RRUZARE”
Shumë të dashur:
Dom Gjovalin
Sukaj, Administrator Famullitar
Dom Gjovalin
Simoni, Zëvendës Adm.
Atë Vladimir
Mamala, Famullitar
Atë Dedë Gjoka
Anëtarë të
Këshillit Baritor Famullitar
Atë Fran
Perlala OFM, Rektor i Kishës së Shën Françeskut
Dom Gino
Martucci SDB, Rektor i Kishës së Shën Gjon Boskos
Dom Martin
Thomson, Rektor i Kishës së Shën Kollit
Dom Juan
Francisco, Përgjegjes i Qendrës “Nëna Tereza” në Dobraç
Përgjegjësve të
Qendrave: “Mbretëresha e Paqes (tek Stacioni i Trenit) e “Bariu
i Mirë” (tek Fermentimi)
Rregulltarë dhe
Rregulltare të pranishëm në Qytet
Përgjegjesë të
Shoqatave të ndryshme bamirësie
Shumë të dashur
Besimtarë
Nuk mund të mos
e falënderoj Zotin dhe juve për ditët që kam kaluar ndër ju
gjatë Vizitës Baritore që kam kryer që nga 7 shkurt deri më 3
prill 2008.
Në mënyrë të
veçantë dua ta falënderoj Dom Gjovalin Sukaj, Dom Gjovalin
Simoni, të gjithë Meshtarët, Rregulltarët dhe Rregulltaret,
Këshillin Baritor Famullitar dhe të gjithë bashëpunëtorët për
punën fetare, për katekizmin, për formimin dhe edukimin e të
rinjve dhe të fëmijëvë, për shkollat e ndryshme, për shërbimin
ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.
Ju falënderoj
për të gjitha kishat, kuvendet dhe strukturat e tjera kishtare
të ndërtuara në Shkodër dhe për angazhimin e jashtëzakonshëm në
qendrat periferike të qytetit.
Falënderoj të
gjithë Rregulltarët dhe Rregulltaret për hapjen e mbajtjen e
shkollave, nga kopshtet deri në shkollat e mesme dhe
profesionale.
Falënderoj të
gjitha Shoqatat e bamiresisë katolike për praninë e tyre dhe për
angazhimin e tyre amnor ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuar, për
familjet në nevojë, për fëmijët e braktisur, për të sëmurët etj.
Falënderoj të
gjithë bamirësit që na japin mundësinë për të qenë afër atyre që
vuajnë.
Sa do të
dëshiroja që Shteti me Entet dhe strukturat e tij të ishte më
afër nevojtarëve të çdo lloj nevoje...duke vepruar me më shumë
drejtësi; dhe që punonjësit, duke e bërë zemrën më njerëzore,
t’u shërbejnë fëmijëve dhe njerëzve në nevojë si familjarëve të
vet.
Sa do të
dëshiroja që, për sa i përket të mirës së përbashkët, të mund të
realizohet një ndërthurje shumë më interesante e me më shumë
fryte midis “Parimit të subsidiaritetit dhe atij të
solidaritetit”!
Falënderoj për
pranimin e ngrohtë Z. Sulejmani, Myftiu i Myftinisë së Shkodrës
dhe Atë Aleksander Petani, Famullitar i Kishës Ortodokse, dhe të
gjithë Pushtetarët Vendore, Drejtorët e Galerisë së Arteve, të
Muzeumit, të Kalasë, të Fototekës Marubi; Familjen Jubani;
falënderoj nxënësit e studentët, Dekanin e Juridikut e Drejtorët
e shkollave që më pranuan me shumë ngrohtësi.
Ju falënderoj
për përvojën e Udhës së Kryqit në Tarabosh dhe të Udhës së
Kryqit nga Katedralja deri në Varrezat e “Rrëmajit” në mbarimin
e Vizitës Baritore, duke medituar mundimet e Krishtit dhe të
“Martirëve” tanë.
Nuk mund të mos
kujtoj se gjatë Vizitës Baritore Imzot Zef Simoni ndërroi jetë.
Përfitoj nga rasti për ta falënderuar edhe një herë për
dëshminë e tij dhe për dashurinë që ka patur për Kishën, për
Shkodrën si edhe për Atdheun! Pushoftë në paqe!
Në fund
falënderoj Murgeshat Klarise për praninë e tyre në Shkodër, në
ish - gjimnazin e Fretërve dhe tek ish-dega e Brendëshme, ku,
duke jetuar një jetë kontemplative – dëshmojnë qendërsinë e
Hyjit dhe rëndësinë e lutjes; si edhe për kujdesin e tyre të
“memorialit” të “martirëve tanë”.
Së bashku me
falënderimet ndaj Meshtarëve, Rregulltarëve dhe Rregulltareve
për pranim, për punën e palodhshme, njëkohësisht i nxis që të
bashkëpunojnë më shumë dhe më ngushtë midis tyre dhe me
famullitarin duke dhënë secili kontributin e vet për
funksionimin e Zonës Baritore n. 1.
Të dashur
prindër, në takimet që kam patur, në kishë dhe në shkollë, kam
admiruar praninë e fëmijëve, që janë bekimi i Zotit për popullin
tonë. Ndërsa i përshëndesja, ndieja brenda vetes shpresën se
ditë më të mira do të vijnë për popullin tonë, se më të fortë do
të jemi nesër pasi jeta do të përtërihet nga brezat e rinj, të
cilët duke qenë të rrënjosur në vlera e ideale të shenjta, do ta
zbukurojnë shoqërinë dhe popullin tonë edhe pse shumë kanë
shkuar dhe vazhdojnë të shkojnë në mërgim.
I njoh
sakrificat dhe mundin tuaj për të rritur me dinjitet fëmijët,
por jini të sigurtë se secili nga ata është një bekim nga Zoti;
prandaj hapja ndaj jetës nuk na tremb.
Besimtarë të
dashur ju jap këto porosi që dalin nga zemra ime:
1. Nga sa
thashë më lart dua t'ju nxis ju të dashur prindër, që të jeni
edukuesit e parë të fesë dhe këtë pasuri të paçmueshme t'ua
trashëgoni edhe fëmijëve tuaj brez pas brezi. Le të jetë feja në
Krishtin lidhja e thellë shpirtërore me Mbretërinë e Zotit dhe
me të parët tanë. Jam i bindur se të dyja këto elemente i japin
nder secilit nga ne. Familja atëherë – ashtu siç na mësonte edhe
Papa Gjon Pali II – le të jetë kisha e parë ku fëmijët tanë
takojnë Zotin e mësojnë t'i luten Atij me të gjithë fuqinë e
shpirtit. Nga Familjet e mira do të kemi edhe thirrje të mira.
2. Jeni ju, të
dashur prindër, që të parët i shoqëroni këta fëmijë në Kishë dhe
jeni ju që në ditën e pagëzimit (ligjimit) hyni garant para
Zotit e para Kishës se këta fëmijë do të rriten në fenë e
Krishtit. Prandaj ju porosis që të vazhdoni ta frekuentoni
Kishën e Meshën ashtu sikurse na mësojnë Urdhërimet e Zotit e të
Kishës. Nga jeta juaj fetare fëmijët tuaj do të mësojnë ta duan
Zotin. Më vjen keq se shumë fëmijë nuk frekuentojnë vazhdimisht
as katekizmin as Meshën e Shenjtë të së Dielës.
Ju kërkoj që
t’i shkolloni fëmijët. Lejoni që edhe vajzat të vazhdojnë
shkollën!
Gjithashtu ju
kujtoj se Kisha Nënë ka disa norma për marrjen e sakramenteve
dhe këto norma ju ftoj t'i respektoni, sidomos për sa i përket
fejesës dhe sakramentit të martesës.
3. Për sa u
përket thirrjeve: ju nxis të gjithëve, meshtarë, motra, prindër,
të rinj dhe të reja: lutuni shumë! Duhet një klimë më pozitive
ndaj jetës dhe ndaj Kishës për t'iu përgjigjur Zotit, i cili
edhe sot thërret. Ju, prindër, mos i kundërshtoni fëmijët tuaj.
Mos i pengoni fëmijët tuaj nëse shprehin dëshirën e tyre për ta
ndjekur rrugën e Zotit në meshtari ose në jetën rregulltare. Ata
që Zoti thërret nuk vlejnë më pak se të tjerët; përkundrazi,
janë shenja e qartë e dashurisë së Zotit për të gjithë. Dhe ju,
fëmijë, jini më bujarë nëse Jezusi ju thërret për të qenë
meshtar ose motër-murgeshë.
Adhurimi i
Shenjtërueshmit është i pazëvendësueshëm për lutjet për
thirrjet.
4. Gjithashtu,
nxis të gjithë katolikët që të angazhohen më shumë, sipas rolit
dhe detyrave të secilit, për zhvillimin e qytetit dhe të lagjeve
me një bashkëpunim më të mirë midis familjeve dhe njerëzve të
ngarkuar në Bashki dhe të angazhohen më shumë për të ndërtuar
një bashkëjetesë qytetare dhe fetare më të vërtetë dhe me
tolerancë konstruktive.
Katolikët e
angazhuar në jetën politike dhe në çdo vend-pune duhet të
dallohen për korrektesë, për shpirtin e shërbimit dhe për
trasparencë pa korrupsion.
Nga ana tjetër
e ndiej që edhe t'ju nxis që të mos ju rrehet zemra për t'u
pasuruar në mënyrë abuzive apo siç bëjnë mëkatarët e të pazotët.
Për asnjë rast nuk është e lejueshme që i krishteri të vjedhë
gjë apo ta plaçkitë tjetrin; nuk mund të mbjellë apo të shesë
drogë; apo të ketë përfitime materiale e morale nga cilado punë
që na e ndalojnë 10 Urdhërimet e Hyjit apo mësimi i Kishës.
Nderi i shpirtit nuk mund të shitet as nuk mund të luhet me të.
5. Angazhimi i
besimtarëve shekullarë në Kishë: të gjithë të pagëzuarit kanë
përgjegjësinë për mirëvajtjen e Kishës-tempull dhe të Kishës
shpirtërore, sipas dhuratave dhe talenteve që kanë, në fushat e
liturgjisë, të katekizmit, të bamirësisë, të formimit e të
sportit: gjithmonë në kordinim me Famullitarin, me Përgjegjësit
e kishave dhe me Motrat. Duhet një angazhim më i kordinuar dhe
më i vazhdueshëm me adoleshentët, të rinjtë, Universitarët dhe
njerëzit e kulturës.
Kërkohet edhe
një vetëdije, një angazhim dhe një gatishmëri më të madhe nga
ana e besimtarëve shekullarë (ose laikë) në vetëformimin dhe në
formimin e brezave të rinj, në shërbimin ndaj Kishës dhe në
dëshminë e përditshme, duke u sjellë gjithmonë si të krishterë
të vërtetë.
6. Falënderojmë
Zotin, Selinë e Shenjtë, Meshtarët, Motrat dhe bamirësit për
ndërtimin e kishave dhe të objekteve të tjera. Por tani ju takon
juve, të dashur besimtarë, që të kujdeseni për mirëmbajtjen e
tyre. Njëkohësisht ju ftoj që të keni një kujdes më të madh për
varrezat: është respekt ndaj të afërmëve tuaj dhe besim në
ringjalljen e trupave. Evitoni luksin në ndërtimin e varreve dhe
respektoni varret e të tjerëve.
7. Me ndjenjat
e Krishtit e prej Ipeshkvi:
a. ju nxis që
të largoni urrejtjen ndaj njëri-tjetrit. Të ndalet hakmarrja e
gjakmarrja për hatrin e Zotit dhe të zbatohet Urdhri i pestë i
Zotit që thotë: Mos vra. Vetëm Zoti ka në dorë jetën e njerëzve.
Boll kemi probleme e vështirësi e nuk është e drejtë që të
çohemi kundër njëri-tjetrit. Falni e do të gjeni faljen e paqen
prej Zotit.
b. Mos shkoni
tek fallxhorët: ju kujtoj se është ndaluar rreptësisht për
katolikët që të shkojnë tek fallxhorët. Ata që kanë vërtetë
besim në Krishtin e në Zotin nuk kanë nëvojë të njollosen duke i
kërkuar ndihmë dikujt që është vetëm njeri dhe në shumë raste
kërkon vetëm të na mashtrojë.
8. Në fund ju
kujtoj detyrën që kemi të gjithë për të ndihmuar tjetrin. Kërkoj
një kujdes më të madh ndaj familjeve që kanë persona të sëmurë.
Duke përsëritur parimin tim: “shqiptari të ndihmojë shqiptarin”,
propozoj konkretisht që në çdo kishë të mblidhen ushqime për të
varfrit e famullisë.
Zoja, Nëna e
Këshillit të Mirë, Pajtorët e Kishave tona, “Martirët tanë” dhe
e Lumja Nënë Tereza Ju ndihmofshin për të qenë besimtarë më të
mirë. Dhe mbi të gjitha e thërras mbi ju bekimin e begatë të të
Madhit Zot që gjithmonë e gjithkund të mund të shndrisë mbi ju
drita e ëmbël e dashurisë së Krishtit Shëlbues. Atij i qoftë
nderi dhe lavdia ndër shekuj. Amen!
†Angelo
Massafra
titujt kryesore
|