|
IMrekulli
të mëdha ka bërë Zemra e Shenjtë e Jezusit në lagjen “Mark Lulaj”,
veçanërisht në këto dhjetë vite të ngritjes së institucionit
shkollor kushtuar pikërisht Zemrës së Shenjtë të Jezusit e
quajtur në gjuhën latine “Cor Jesu”. Prandaj motrat Apostulle,
stafi pedagogjik dhe vetë nxënësit u angazhuan për realizimin e
një feste të madhe për të gëzuar për punën dhe rezultatet e
arritura deri më sot.
Kjo festë u organizua më 15 maj 2009 me angazhimin e palodhur të
shumë bashkëpunëtorëve, nën drejtimin e regjisorit Gjon Kola. Ky
program mbante titullin “Pranverë në Mark Lulaj”, titull i cili
simbolizon objektivin që ka shkolla: të realizojë pranverë në
zemrat e brezave të rinj nëpërmjet edukimit të fëmijëve në të
gjitha nivelet e personit dhe u paraqit në Teatrin “Migjeni”.
Fillimisht vijoi me një dokumentar ku paraqitej qartë fillimi i
ndërtesës së kësaj shkolle, vënia e gurit të parë dhe ngritja e
ndërtesës. Gjithashtu shihen disa nga motrat Apostulle, të parat
në fillimin e kësaj veprimtarie. Nuk mund të mungonte prania e
Imzot Angelo Massafrës i cili e bekon këtë institucion. Pastaj
vërehen aktivitetet didaktike dhe veprimtaritë kulturore të
ndryshme që janë zhvilluar në këtë dekadë për fëmijët.
Menjëherë pas këtij dokumentari radha vazhdon me Fjalën poetike
e cila përmbante karakter patriotik si dhe paraqitjen e vlerave
të ndryshme. Poetët e zgjedhur ishin:
Atë Gj. Fishta, Dom N. Mjeda, G. Copporoccio, M. Camaj, I.
Badare, Z. Staku.
Programi vazhdoi me interpretime të tjera nga nxënësit, të cilët
nëpërmjet poezive shprehën bukurinë e natyrës, të stinës së
pranverës, stinë që fëmijët tashmë po përjetonin. I veçantë
ishte edhe interpretimi i vëlla-vrasjes, i cili vuri në dukje
devijimin e njeriut që i shtyrë nga vesi për të vjedhur vret
vëllain pa ditur se kush ishte. Theksojmë se në këtë program
janë përfshirë të gjitha nivelet e moshave të fëmijëve duke
filluar që nga arsimi para-arsimor deri tek nxënësit e klasës së
nëntë.
Përveç interpretimeve u kënduan këngë të ndryshme nga vetë kori
i shkollës, i përbërë nga nxënës të klasave të ndryshme si dhe
nga nxënës solistë, të përgatitur nga mësuesja: Anjeza Gjeluci.
Vallet e gërshetuara me pjesët e ndryshme të shfaqjes i dhanë
një atmosferë edhe më festive dhe të gëzueshme të gjithë të
pranishmëve, realizuar këto nga puna e palodhshme e koreografit
Altin Golemi.
Në fund të interpretimeve dy prezantuese të klasës së nëntë:
Amela Malaj dhe Sidorela Kroni me gëzim të madh ftuan dy nga
motrat Apostulle si përfaqësuese aktuale të Institutit,
drejtoreshën e shkollës motër Raffaella De Zan dhe motrën
provinciale Carmen Lombardi e cila pati ardhur pikërisht për
këtë festë.
Më pas përshëndetjen e bëri Inspektori i Drejtorisë Arsimore, Z.
Luigj Gjonaj, cili përshkroi pak a shumë ecurinë e kësaj shkolle.
Edhe kryesenatori i Qeverisë së Nxënësve: Xhulio Haxhia,
ish-nxënës i shkollës sonë, në emër të gjithë Qeverisë së
Nxënësve dha titullin me “Motivacion” si për drejtoreshën ashtu
edhe për shkollën.
Në fund skena u mbyll me duartrokitje, me shkëmbim urimesh e me
fjalët e prezantueseve: “Mirupafshim në festa të tjera”.
Motrat Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit
titujt kryesore
|