|
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Aleluja!
(Ps
118,24)
Ditë me të vërtetë të paharrueshme,
datat 16 e 17 prill 2010, në të cilat kemi kremtuar 150 vjetorin
e themelimit të Seminarit Papnor Shqiptar. Duke përshkuar
historinë e tij të gjatë prej një shekulli e gjysmë në dy degë,
përpara regjimit komunist dhe, 47 vjet më pas, me emrin e ri
“Mater Boni Consilii”, kemi zbuluar fillin e artë të veprimit të
Hyjit për Kishën në këtë tokë. Ndryshimet socio-politike të
këtyre 150 vjetëve kanë vënë në provë të vështirë më shumë se
një herë institucionin e Seminarit Shqiptar, por për një plan të
mistershëm të Hyjit dhe për një vullnesë të caktuar njerëzore,
ai gjithmonë ka gjetur një gjallëri të re për të vazhduar
misionin e vet formativ.
Për këtë arsye kremtimi i këtij
përvjetori ka qenë rast që ne të marrim nga e kaluara një hov të
ri drejt të ardhmes dhe të forcojmë shpresën që të mund ta
paraqesim vizionin katolik si tharm bashkësie dhe si vend
shkëmbimi e dialogu me vëllezërit tanë Ortodoksë e afërsie me
Myslimanët.
Tre kanë qenë momentet më
domethënëse të kremtimit.
- Pasditen e datës 16 prill,
studentët e Institutit Filozofiko-Teologjik kanë paraqitur një
dramë, me titull “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit”
(Rom 8,35), për të vënë në pah ndikimin e fortë të formimit të
Seminarit në kulturën shqiptare dhe se si nga vitet që kanë bërë
së bashku në Seminar disa meshtarë kanë gjetur forcën për t'u
bërë ballë provave më të vështira në kohën e përndjekjeve
komuniste.
- Momenti i dytë ka qenë mëngjesi
i datës 17 maj, ku, në prani të Kardinalit Prefekt i Kongregatës
për Edukimin Katolik, Kard. Zenon Grocholewski, të Nuncit
Apostolik të Tiranës, të Ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvnore
Shqiptare dhe të Delegacionit të Akademisë Teologjike Ortodokse
të Durrësit, pas përshëndetjes së Rektorit që ka lexuar edhe një
mesazh të Atit Gjeneral të Shoqërisë së Jezusit, është paraqitur
një historik i shkurtër mbi seminarin Papnor në Shqipëri të
ndjekur nga paraqitja e librit të Dom Marcus Peters, “Përballjet
e Historisë në Shqipëri 1919-1996”, që me këtë rast është botuar
në gjuhën shqipe.
Në hyrje të Seminarit ishte
përgatitur një ekspozitë me foto dhe dokumente, që ilustronin
jetën dhe momentet domethënëse të jetës së Seminarit në dy fazat
e historisë së tij, para dhe pas komunizmit.
- Momenti i tretë kremtues është
zhvilluar në Katedralen e Shkodrës në Meshën Pontifikale të
udhëhequr nga Shkëlqesia e Tij Kardinal Grocholewski. Kanë
bashkëkremtuar Shkëlqesia e Tij Nunci Apostolik, të gjithë
Ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe shumë
meshtarë dioqezanë e rregulltarë që vinin nga e gjithë Shqipëria.
Homelia e Kardinalit, në sintoni me leximet e ditës, ka theksuar
rëndësinë e Eukaristisë në jetën e meshtarit dhe në ecjen
formative të seminaristëve dhe ka ftuar si Ipeshkvijtë, ashtu
edhe besimtarët që ta ndiejnë si të tyret jetën dhe frytshmërinë
e Seminarit.
Në fund të kremtimit eukaristik,
Kardinali i ka dorëzuar Atë Rektorit një pergamenë me Bekimin
apostolik, me autografin e Atit të Shenjtë Benedikti XVI, për
Seminarin. Duke vazhduar veprën formative sot, në fillim të
Mijëvjeçarit të Tretë, ndiejmë shumë përgjegjësi për t'i
qëndruar besnikë një tradite, si edhe për të qenë të aftë për
atë përditësim të nevojshëm, që kohët e reja gjithmonë e
kërkojnë.
U jemi shumë mirënjohës të gjithë
atyre që kanë ndërhyrë – dhe kanë qenë shumë dhe shumë më shumë
seç ishte parashikuar – dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar
në realizimin e kësaj ngjarjeje. Mund të themi se në Shkodër
gjithçka është vënë në dispozicionin tonë, nga Katedralja deri
te Teatri. Një faleminderit të përzemërt korit që e ka pasuruar
Eukaristinë. Një falënderimit edhe për të gjithë bashkëpunëtorët
e dramës: regjisorin, aktorët, figurantët dhe teknikët, për
vënien në skenë të së cilës 50 vjet janë angazhuar për rreth 2
muaj.
Shumë e rëndësishme dhe
domethënëse ka qenë prania dhe pjesëmarrja e krejt Konferencës
Ipeshkvnore dhe u jemi me të vërtetë mirënjohës për mesazhin e
urimit që i kanë dërguar Seminarit me këtë rast.
Falënderojmë Shkëlqesinë e Tij
Nuncin Imzot Ramiro Moliner Ingles, i cili ka ndërmjetësuar për
ardhjen e Kardinalit Prefekt të Kongragatës për Edukimin
Katolik, Kard. Zenon Grocholewski, dhe e ka shoqëruar për gjatë
gjithë kohës së qëndrimit të tij në tokën shqiptare.
Atë Armando
Ceccarelli s.j.
titujt kryesore |