|
|
E diela, 2 maj 2010 Papa Benedikti
bëri vizitën apostolike në Torino pë të nderuar Sindonën.
Të dashur miq,
ky është për mua një moment shumë
i pritur. Në shumë raste të tjera jam gjendur përpara Sindonës
së shenjtë, por këtë radhë e jetoj këtë shtegtim dhe këtë
ndalesë me një dendësi të veçantë: ndoshta sepse kalimi i viteve
më bën edhe më të ndjeshëm ndaj mesazhit të kësaj Ikone të
jashtëzakonshme; ndoshta, dhe do të thosha sidomos, sepse jam
këtu si Pasardhësi i Pjetrit, dhe mbaj në zemrën time gjithë
Kishën, madje, gjithë njerëzimin. Falënderoj Hyjin për dhuratën
e këtij shtegtimi, si dhe për mundësinë për të bashkëndarë me ju
një meditim të shkurtër, që më është sugjeruar prej nëntitullit
të kësaj Paraqitjeje solemne: “Misteri i të Shtunës së Madhe”.
Mund të thuhet se Sindona është
Ikona e këtij misteri, Ikona e të Shtunës së Madhe. Në të
vërtetë, ajo është një pëlhurë varri, që ka mbështjellë kufomën
e një njeriu të kryqëzuar që krejtësisht i përgjigjet asaj që
Ungjijtë na thonë për Jezusin, i cili, i kryqëzuar rreth
mesditës, dha shpirt nga ora tre e pasdites. Kur erdhi mbrëmja,
meqenëse ishte Parasheva, pra vigjilja e të shtunës solemne të
Pashkëve, Jozefi i Arimatesë, një anëtar i pasur dhe me
autoritet i Sinedrit, me guxim i kërkoi Ponc Pilatit që të mund
ta varroste Jezusin në varrin e tij të ri, që ishte gërmuar në
shkëmb jo larg Golgotës. Pasi mori lejen, bleu një çarçaf dhe,
pasi e ulën trupin e Jezusit prej kryqit, e mbështolli me atë
çarçaf dhe e vuri në atë varr (krh. Mk 15,42-46). Kështu referon
Ungjilli i shën Markut, dhe të një fjale me të janë edhe
Ungjilltarët e tjerë. Prej atij momenti, Jezusi mbeti në varr
deri në agimin e ditës pas të shtunës, dhe Sindona e Torinos na
jep imazhin se si ishte trupi i tij i shtrirë në varr gjatë asaj
kohe, që qe e shkurtër kronologjikisht (rreth një ditë e
gjysmë), por qe tejet e gjatë, e pafundme në vlerën e vet dhe në
domethënien e vet.
E Shtuna e Madhe është dita e
fshehjes së Hyjit, sikurse lexohet në një Homeli të vjetër:
“Çfarë ka ndodhur? Sot mbi tokë ka heshtje të madhe, heshtje dhe
vetmi të madhe. Heshtje të madhe sepse Mbreti fle... Hyji ka
vdekur në trup dhe ka zbritur për ta shkundur mbretërinë e
limbit” (Homelia mbi të Shtunën e Madhe, PG 43, 439). Në
Besojmë, ne dëshmojmë se Jezu Krishti “u kryqëzua nën Poncin
Pilat, vdiq e u varros, zbriti në ferr, dhe të tretën ditë u
ngjall së vdekuri”.
Të dashur vëllezër e motra, në
kohën tonë, sidomos pasi kemi përshkuar shekullin e kaluar,
njerëzimi është bërë veçanërisht i ndjeshëm ndaj misterit të së
Shtunës së Madhe. Fshehja e Hyjit bën pjesë në përshpirtërinë e
njeriut bashkëkohor, në mënyrë ekzistenciale, gati të
pavetëdijshme, si një zbrazëtirë në zemër që ka shkuar duke u
zgjeruar gjithnjë e më shumë. Nga fundi i Tetëqindës, Nietzsche
shkruante: “Hyji ka vdekur! Dhe ne e kemi vrarë!”. Kjo shprehje
e njohur, po ta shohim mirë, është marrë gati fjalë për fjalë
prej traditës së krishterë, shpesh e përsërisim në Udhën e
Kryqit, ndoshta pa e kuptuar krejtësisht atë që themi. Pas dy
luftërave botërore, lager-ave dhe gulag-ëve, Hiroshimës dhe
Nagasakit, epoka jonë është bërë në masë gjithnjë e më të madhe
një e Shtunë e Madhe: errësira e kësaj dite u bën thirrje të
gjithë atyre që pyesin veten mbi jetën, në mënyrë të veçantë na
bën thirrje ne besimtarëve. Edhe ne kemi të bëjmë me këtë
errësirë.
Dhe megjithatë, vdekja e Birit të
Hyjit, e Jezusit të Nazaretit, ka një aspekt të kundërt,
tërësisht pozitiv, burim ngushëllimi dhe shprese. Dhe kjo më bën
të mendoj për faktin se Sindona e shenjtë sillet si një dokument
“fotografik”, i pajisur me një “pozitiv” dhe me një “negativ”.
Dhe në të vërtetë është pikërisht kështu: misteri më i errët i
fesë në kohën tonë është shenja më e ndritshme e një shprese që
nuk ka kufij. E Shtuna e Madhe është “toka e askujt” mes vdekjes
dhe ngjalljes, por në këtë “tokë të askujt” ka hyrë Njëri, i
Vetmi, që e ka përshkuar me shenjat e Mundimeve të tij për
njeriun: “Passio Christi. Passio hominis”. Dhe Sindona na flet
pikërisht për atë moment, dëshmon pikërisht atë interval unik
dhe të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit dhe të
gjithësisë, në të cilën Hyji, në Jezu Krishtin, ka bashkëndarë
jo vetëm të vdekurit tonë, por edhe të qëndruarit tonë në
vdekjen. Solidariteti më rrënjësor.
Në atë “kohë-përtej-kohës”
Jezu Krishti ka “zbritur në limb”.
Çfarë do të thotë kjo shprehje? Do të thotë se
Hyji, i bërë njeri, ka arritur deri në atë pikë sa të hyjë në
vetminë e skajshme dhe absolute të njeriut, ku nuk arrin asnjë
rreze dashurie, ku mbretëron braktisja e plotë pa asnjë fjalë
ngushëllimi: “limbi”.
Jezu Krishti,
duke qëndruar në vdekjen, e ka kapërcyer derën e kësaj vetmie të
fundit për të na udhëhequr edhe ne në kapërcimin e saj me Të. Të
gjithë e kemi ndier ndonjëherë ndjesinë e frikshme të braktisjes,
dhe ajo që prej vdekjes na frikëson më shumë është pikërisht kjo,
sikurse kur jemi fëmijë kemi frikë të rrimë vetëm në errësirë
dhe vetëm prania e një personi që na do mund të na sigurojë.
Ja, pikërisht
kjo ka ndodhur të Shtunën e Madhe: në mbretërinë e vdekjes ka
jehuar zëri i Hyjit. Ka ndodhur e pamendueshmja: pra, që
Dashuria ka depërtuar “në limb”: edhe në errësirën e skajshme të
vetmisë njerëzore më absolute ne mund të dëgjojmë një zë që na
thërret dhe të gjejmë një dorë që na merr dhe na nxjerr jashtë.
Qenia njerëzore jeton për faktin se është e dashur dhe mund të
dojë; dhe nëse edhe në hapësirën e vdekjes ka depërtuar dashuria,
atëherë edhe aty ka arritur jeta. Në orën e vetmisë së skajshme
nuk do të jemi kurrë vetëm: “Passio Christi. Passio hominis”.
Ky është
misteri i të Shtunës së Madhe! Pikërisht prej aty, prej
errësirës së vdekjes së Birit të Hyjit, ka lindur drita e një
shprese të re: drita e Ngjalljes. Dhe ja, më duket se duke
vështruar këtë Pëlhurë të shenjtë me sytë e fesë, perceptohet
diçka prej kësaj drite. Në të vërtetë, Sindona është zhytur në
atë errësirë të thellë, por në të njëjtën kohë është e ndritshme;
dhe unë mendoj se nëse mijëra e mijëra njerëz vijnë për ta
nderuar atë – pa llogaritur ata që e sodisin nëpërmjet figurave
– kjo ndodh sepse në të nuk shohin vetëm errësirën, por edhe
dritën; jo aq mposhtjen e jetës dhe të dashurisë, por fitoren,
fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen; vërtet
shikojnë vdekjen e Jezusit, por dallojnë Ngjalljen e tij; në
gjirin e vdekjes tani rreh jeta, pasi në të banon dashuria.
Kjo është fuqia
e Sindonës: prej fytyrës së këtij “Njeriu dhimbjesh”, që mban
mbi vete mundimin e njeriut të çdo kohe dhe të çdo vendi, edhe
mundimet tona, vuajtjen tona, vështirësitë tona, mëkatet tona –
“Passio Christi. Passio hominis” –, prej kësaj fytyre rrezaton
një madhështi solemne, një zotëri paradoksale. Kjo fytyrë, këto
duar dhe këta këmbë, ky kraharor, i gjithë ky trup flet, ai vetë
është një fjalë që mund ta dëgjojmë në heshtje. Si flet Sindona?
Flet me gjakun, dhe gjaku është jeta!
Sindona është
një Ikonë e shkruar me gjak; gjaku i një njeriu të frushkulluar,
të kurorëzuar me ferra, të kryqëzuar dhe të plagosur në anën e
djathtë të kraharorit. Imazhi i lënë në Sindonë është ai i një
të vdekuri, por gjaku flet për jetën e tij. Çdo gjurmë gjaku
flet për dashuri dhe për jetë.
Sidomos ajo
njollë e bollshme afër kraharorit, e bërë prej gjaku dhe uji të
dalë në mënyrë të bollshme prej një plage të madhe të shkaktuar
prej një goditjeje me heshtë romake, ai gjak dhe ai ujë flasin
për jetën. Është si një burim që mërmërin në heshtje, dhe ne
mund ta dëgjojmë, në heshtjen e të Shtunës së Madhe.
Të dashur miq,
ta lëvdojmë gjithmonë Zotin për dashurinë e tij besnike dhe të
mëshirshme. Duke nisur prej këtij vendi të shenjtë, të bartim në
sy figurën e Sindonës, të bartim në zemër këtë fjalë dashurie,
dhe të lëvdojmë Hyjin me një jetë plot me fe, me shpresë dhe me
dashuri.
Faleminderit.
Nga Osservatore
Romano
titujt kryesore |
|