|
|
Më datën 11 deri më 14 Maj, Papa
Benedikti XVI ka bërë një vizitë në Fatima dhe në kapelën e
shfaqjes afër shenjtërores, si zëvendes i Pjetrit i është
drejtuar Zojës me lutjen që vijon:
O Nënë e Papërlyer, në këtë vend
hiri, të mbledhur prej dashurisë së Birit tënd Jezus,
Kryemeshtarit të Amshuar, ne, bij të Birit dhe meshtarë të tij,
i kushtohemi Zemrës tënde amënore, për ta përmbushur me
besnikëri Vullnetin e Atit.
Jemi të vetëdijshëm se, pa Jezusin,
nuk mund të bëjmë asgjë të mirë (krh. Gjn 15,5) dhe se, vetëm
nëpër Të, me Të dhe në Të, do të jemi për botën mjete të
shëlbimit.
Nuse e Shpirtit Shenjt, na nxjerr
dhuratën e paçmueshme të shndërrimit në Krishtin. Për të njëjtën
fuqi të Shpirtit që, duke shtrirë mbi Ty hijen e vet, të bëri
Nënë të Shëlbuesit, na ndihmo që Krishti, Biri yt,të lindë edhe
në ne. Kështu që Kisha të mund të përtërihet prej meshtarëve të
shenjtë, të shndërruar prej hirit të Atij që i bën të reja të
gjitha gjërat.
Nënë e Mëshirshme, Biri yt Jezus
na ka thirrur për t'u bërë si Ai: dritë e botës dhe kripë e
tokës (krh. Mt 5,13-14).
Na ndihmo, me ndërmjetësimin tënd
të fuqishëm, që të mos e tradhtojmë kurrë këtë thirrje sublime,
që të mos u lëshojmë udhë egoizmave tona, joshjeve të botës dhe
tundimeve të të Keqit.
Na mbro me dëlirësinë tënde, na
ruaj me përvujtërinë tënde dhe na mbështill me dashurinë tënde
amënore, që pasqyrohet në shumë shpirtra që ty të janë kushtuar
e që janë bërë për ne etër të vërtetë shpirtërorë.
Nënë e Kishës, ne, meshtarët, duam
të jemi barinj që nuk kullosin vetveten, por i dhurohen Hyjit
për vëllezërit, duke gjetur në këtë gjë lumturinë e tyre. Jo
vetëm me fjalë, por me jetë, duam të përsërisim përvujtërisht,
ditë pas dite, fjalën tonë “ja ku jam”.
Të udhëhequr prej teje, duam të
jemi Apostuj të Mëshirës Hyjnore, të lumtur që të kremtojmë çdo
ditë Flinë e Shenjtë të Altarit dhe t'ua japim atyre që na e
kërkojnë sakramentin e Pajtimit.
Pajtore dhe Ndërmjetësuese e hirit,
ti që je krejt e zhytur në ndërmjetësimin e vetëm të
gjithëmbarshëm të Krishtit, kërko prej Hyjit, për ne, një zemër
krejtësisht të përtërirë, që ta dojë Hyjin me të gjitha forcat e
veta dhe t'i shërbejë njerëzimit sikurse ti ke bërë.
Përsëritja Zotit fjalën tënde
efikase: “nuk kanë më verë” (Gjn 2,3), që Ati dhe Biri të
derdhin mbi ne,si në një derdhje të re, Shpirtin Shenjt.
Plot me mahnitje e mirënjohje për
praninë tënde të vazhdueshme mes nesh, në emër të të gjithë
meshtarëve, edhe unë dua të thërras: “Nga e pata fatin të vijë
tek unë Nëna e Zotit tim?” (Lk 1,43).
Nëna jonë e përhershme, ti nuk
lodhesh duke na “vizituar”, duke na ngushëlluar, duke na
mbështetur.
Na eja në ndihmë dhe na liro prej
çdo rreziku që na afrohet. Me këtë akt besimi dhe kushtimi, duam
të të mirëpresim në mënyrën më të thellë e rrënjësore, për
gjithmonë dhe tërësisht, në ekzistencën tonë njerëzore dhe
meshtarake.
Prania jonë le ta rilulëzojë
shkretëtirën e vetmive tona dhe le ta bëjë të ndriçojë dielli
mbi errësirat tona, le të bëjë të kthehet qetësia pas stuhisë,
që çdo njeri ta shohë shëlbimin e Zotit, që ka emrin dhe fytyrën
e Jezusit, të reflektuar në zemrat tona, përgjithmonë të
bashkuara me zemrën tënde!
Amen!
Nga
Osservatore Romano
titujt kryesore |
|