|
|
Më 17-18 Prill, Papa Benedikti XVI
ka vizituar Maltën dhe ndalesa e Tij e parë në këtë tokë ka qenë
në shenjtëroren e Shën Palit në Rabat. Pasi është lutur para të
Shenjtërueshmit Papa zbriti në shpellën e Apostullit i cili
është ungjillëzuesi i parë i Maltës.
I dashur Arqipeshkëv Imzot
Cremona,
Të dashur vëllezër e motra,
shtegtimi im në Maltë ka filluar me një moment lutjeje të
heshtur në shpellën e Shën Palit, që i pari solli fenë në këta
ishuj. Kam ecur në gjurmët e atyre shtegtarëve të panumërt, që
në këtë vend të shenjtë, përgjatë shekujve, janë lutur, duke ia
besuar vetveten, familjet e tyre dhe begatinë e këtij Kombi
ndërmjetësimit të Apostullit të Popujve. Gëzohem që më në fund
jam mes jush dhe ju përshëndes të gjithëve me dashuri të madhe
në Zotin.
Anijethyerja e Palit dhe qëndrimi
i tij për tre muaj në Maltë kanë lënë një shenjë të pashlyeshme
në historinë e Vendit tuaj. Fjalët e tij drejtuar shokëve para
se të arrinin në Maltë janë paraqitur në Veprat e Apostujve dhe
kanë qenë një temë e veçantë në përgatitjen tuaj për vizitën
time. Këto fjalë – “Jeħtieg iżda li naslu fi gżira” [“Na duhet
të ndeshemi patjetër në një ujdhesë”] (Vap 27,26) – në
kontekstin origjinal janë një ftesë për guxim përballë të
panjohurës dhe për besim të patundur në provaninë e mistershme
të Hyjit. Në të vërtetë, ata të cilëve iu thye anija, u
mirëpritën ngrohtësisht prej popullit të Maltës, duke ndjekur
shembullin e dhënë prej Shën Publit. Në planin e Hyjit, Shën
Pali u bë, për këtë arsye, ati juaj në fenë e krishterë. Falë
pranisë së tij mes jush, Ungjilli i Jezu Krishtit u rrënjos fort
dhe solli shumë fryte në jetën e individëve, të familjeve dhe të
bashkësive, por edhe në formimin e identitetit kombëtar të
Maltës, si edhe në kulturën e saj emocionuese e të veçantë.
Mundimet apostolike të Palit
sollën edhe të korra të mëdha në brezin e predikatarëve që
ndoqën gjurmët e tij, dhe veçanërisht në numrin e madh të
meshtarëve dhe të rregulltarëve që imituan zellin e tij misionar
duke lënë Maltën për ta çuar Ungjillin në brigje të largëta. Jam
i lumtur që pata mundësinë të takoj sot shumë prej tyre në këtë
Kishë të Shën Palit, dhe t'i nxis në thirrjen e tyre plot sfida
dhe shpesh heroike. Të dashur misionarë: falënderoj secilin prej
jush, në emër të mbarë Kishës, për dëshminë tuaj mbi Zotin e
Ngjallur dhe për jetët e shpenzuara në shërbim të të tjerëve.
Prania dhe veprimtaria juaj në kaq shumë Vende të botës e nderon
Atdheun tuaj dhe dëshmon shtytjen ungjillore të shartuar në
Kishën e Maltës. Le t'i lutemi Zotit që të nxisë edhe më shumë
burra e gra, që ta vazhdojnë misionin fisnik të shpalljes së
Ungjillit dhe të veprimit për përparimin e Mbretërisë së Hyjit
në çdo tokë dhe në të gjithë popujt!
Arritja e Shën Palit në Maltë nuk
ishte e programuar. Sikurse e dimë, ishte duke shkuar në Romë
kur ia behu një stuhi e fortë dhe anija e tij u përplas në këtë
ishull. Marinarët mund të caktojnë një drejtim, por Hyji, në
dijen dhe provaninë e tij, cakton itinerarin e vet. Pali, që e
kishte takuar në mënyrë dramatike Zotin e Ngjallur në rrugën e
Damaskut, e dinte këtë gjë shumë mirë. Rrjedha e jetës së tij
ndryshoi papritmas; prandaj, për të, jeta ishte Krishti (krh.
Fil 1,21); çdo veprim dhe çdo mendim i tij kishin si qëllim
shpalljen e misterit të kryqit dhe të mesazhit të tij të
dashurisë së Hyjit që pajton.
Po ajo fjalë, fjala e Ungjillit,
edhe sot ka pushtetin të hyjë në jetët tona dhe ta ndryshojë
rrjedhën e tyre. Sot, po ai Ungjill që Pali predikoi vazhdon ta
nxisë popullin e këtyre ishujve për t'u kthyer, në një jetë të
re dhe në një të ardhme plot shpresë. Ndërsa gjendem mes jush si
Pasardhës i Pjetrit apostull, ju ftoj ta dëgjoni fjalën e Zotit
me shpirt të ri, sikurse bënë paraardhësit tuaj, dhe të lejoni
që ajo t'i sfidojë mënyrat tuaja të të menduarit dhe mënyrën me
të cilën e jetoni jetën.
Prej këtij vendi të shenjtë
ku predikimi apostolik u përhap fillimisht në këta ishuj, ftoj
secilin prej jush që ta bëjë të vetën sfidën ngazëllyese të
ungjillëzimit të ri. Jetojeni fenë tuaj në mënyrë edhe më të
plotë së bashku me anëtarët e familjeve tuaja, me miqtë tuaj, në
lagjet tuaja, në vendet e punës dhe në krejt rrjetin e shoqërisë
malteze. Në mënyrë të veçantë i nxis prindërit, mësuesit dhe
katekistët që t'u flasin të tjerëve për takimin tuaj me Jezusin
e Ngjallur, veçanërisht të rinjve që janë e ardhmja e Maltës.
“Feja forcohet kur u
ofrohet të tjerëve” (krh. Redemptoris missio, 2). Ta dini se
momentet tuaja të fesë sigurojnë një takim me Hyjin, i cili në
gjithëpushtetësinë e vet prek zemrën e njeriut. Kështu, do t'i
përfshini të rinjtë në bukurinë dhe në pasurinë e fesë katolike,
duke u dhënë atyre një katekezë të qëndrueshme dhe duke i ftuar
në një pjesëmarrje gjithnjë e më aktive në jetën sakramentale të
Kishës.
Bota ka nevojë
për këtë dëshmi! Përballë kaq shumë kërcënimesh ndaj shenjtërisë
së jetës njerëzore, ndaj dinjitetit të martesës dhe të familjes,
a nuk kanë nevojë bashkëmoshatarët tuaj që t'u flitet
vazhdimisht për madhështinë e dinjitetit tonë si bij të Hyjit
dhe për thirrjen sublime që kemi marrë në Krishtin? A nuk ka
nevojë shoqëria që t'i përvetësojë përsëri dhe t'i mbrojë ato të
vërteta morale themelore që përbëjnë bazën e lirisë së
përnjëmendtë dhe të përparimit të vërtetë?
Pikërisht tani,
ndërsa po rrija përpara kësaj shpelle, po reflektoja mbi
dhuratën e madhe shpirtërore (krh. Rom 1,11) që Pali i dha
Maltës, dhe u luta që ju të mund ta mbani të paprekur
trashëgiminë që Apostulli i madh ju ka dhuruar.
Zoti ju
ruajtë ju dhe familjet tuaja në fenë që vepron nëpërmjet
dashurisë (krh. Gal 5,6), dhe ju bëftë dëshmitarë të hareshëm të
asaj shprese që nuk zhgënjen (krh.
Rom 5,5). Krishti u ngjall! Ai vërtet u ngjall!
Aleluja!
titujt kryesore |
|