ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

“Don Albania” misionari qe e deshi Shkodren deri ne fund

 

 

Me rastin e vdekjes së Meshtarit  Italian: Don Carlo Zaccaro, ku në ceremoninë solemne të varrimit, që u bë me dt. 19. 05. 2010 në Firence, morën pjesë nga Shqipëria një grup prej me së 20 vetash i kryesuar nga Arqipeshkvi  Imzot Angelo Massafra, dhe  me praninë  e Prefektit Magjid Cungu.  Gjithashtu në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për të gjithë të mirat që i solli vendit dhe qytetit të Shkodrës, në Katedralen  e Shën Shtjefnit, me 24 maj  ora 18°° u kremtua Mesha e Shenjtë që e gjeti katedralen plot me besimtarë, duke u bashkuar në lutje për misionarin e paharruar  italian.

 Në fillimin të Meshës, para se të përshkruhej shkurtimisht jeta dhe vepra e Don Carlos,  falënderimet e përzemërta iu drejtuan Arqipeshkvit, për praninë e Tij në Firence  i cili u gjet përveç se me shumë bashkëkremtues ipeshkvij dhe meshtarë edhe me mijëra njerëz të ardhur nga Italia dhe jo vetëm për t'i dhënë nderimet e fundit don Carlos. Sot përsëri në Shkodër Ai, me meshtarë e rregulltarë, Autoritete lokale, Përfaqësues të besimit Mysliman dhe Ortodoks, Profesorë të Universitetit, Studentët e fort përzemërt për don Carlon, të fizioterapisë, përfaqësues të  shëndetësisë, bashkëpunëtorë dhe edukatorë të Shtëpi-familjeve, projekti Shpresa, Shoqata “I CARE”  formacioni i harqeve ”Clasic Sound” e të gjithë ata që kanë pasur fatin  ta takojnë këtë njeri të rrallë.

Ai  u lind në Prato me 16 gusht 1922 nga prindërit Francesko dhe Emilia Grassi. Ishin  dy fëmijë; Karlo dhe Tina. I ati ishte noter, prandaj edhe Karlo sipas prirjes familjare studion në Liceun Klasik “Dante Alighieri” ku pati mësues dhe drejtues shpirtëror Don Oreste Benzin.

Në vitin 1946 u diplomua me rezultate të shkëlqyeshme në fakultetin e Juridikut, Firence. Në universitet qe student i Prof. Giorgio La Pira, i cili përveç të tjerave ishte edhe  mik i ngushtë i Don Giulio Facibenit. Karlo vazhdimisht, dallohej për inteligjencën dhe zellin që kishte, tashmë, profesor, e ngarkojnë me përgjegjësinë e Federatës Universitare Katolike Italiane, dhe, njëkohësisht  bëhet frekuentues i rregullt me Corso Guigiardini dhe Fioretta Mazzei,  të misionit të Don Benzit.

Por ndryshe nga i Ati, edhe pse e ushtron për disa vite profesionin si Avokat, dalëngadalë ndjen thirrjen e tij duke zgjedhur njëherë e përgjithmonë jetën meshtarake.. Dhe, në vitin 1950, tashmë, meshtar në: “Opera  Madonnina del Grappa” Don Carlo vazhdon të jetë Profesor me famë për shumë vite në fakultetet e ndryshme të Firences, mjaftojnë vetëm pak vite, që të thirret me emrin:  “Juristi i kulturës së pakufi”, Redaktor revistash, Kërkues i shkencës, e mbi të gjitha  Baba për jetimët dhe të braktisurit, mision të cilin  disa vite më vonë do ta vazhdojë edhe në Shqipëri, duke mishëruar rrënjësisht në jetën e tij gjurmët e themeluesit:  Don Giulio Facibenit.

Detyrat dhe përgjegjësitë që i japin tashmë janë  të shumta, Por ajo që mbetet e gjallë edhe sot, është viti 1992, ku sipas ftesës së Nënë Terezës Don Carlo erdhi në Shqipëri, duke filluar misionin që sot  e njohim. Ai,  prek  në çdo skaj dhe në çdo fushë… Sikurse  kërkesat e misionit ishin të panumërta, kështu edhe rrjeti i miqve e tij u bë i tillë, mjafton të mendohet sa e sa personalitete ka sjellë në Shqipëri…  Për të sëmurët kërkon rrugët e  kurimit, për të rinjtë gjen rrugët e studimit,  gjithmonë me  qëllim që të rriten figura kompetente për të mirën e “vendit të shqipeve”. Për 18 vite me radhë pa marrë parasysh, moshën, vështirësitë, pengesat e ndryshme, Don Carlo vazhdoi të mbjellë shpresë, të shtojë besimin, të dhurojë kulturë, e zhvillim njerëzor dhe social. Ai la Veprat dhe aktivitetet si: Ambulatori, Fizioterapia në qytet dhe në zona të thella.  Në vitin 2007, në bashkëpunim me Universitetin e Firences me Prof. Giulio Masssoti dhe, nën drejtimin e Universitetit të Shkodrës arriti t'i japë jetë edhe, degës trevjeçare të Fizioterapisë, Konviktit për studente, Shkollën profesionale të gjuhëve, Kurseve të ndryshme profesionale, Mensën e të varfërve, shoqatën “I Care” duke mishëruar shpirtin dhe pedagogjinë e Don. Milanit, e sa e sa të tjera si këto. Ajo që  sot duhet te theksohet është; sikurse N. Tereza e bëri të njihej Shqipëria në Botë kështu D. Carlo e bëri  të njohur Shqipërinë në Itali dhe më tej.

 Mjafton të lexohen gazetat e këtyre ditëve, të cilat  shkruajnë artikuj me titull: “Don Albania” Kjo tregon se sa kontribuoi në çdo  fushë. Don Carlo qe vërtet Mbjellës i shpresës, dhurues i gëzimit  dhe dëshmitar i  dashurisë, shembull i vërtetë i pranisë së Zotit në këtë vend.  Në Itali ai hyri në figurat e njohura fiorentine siç  pohojnë gjithnjë  gazetat...  gjithashtu edhe  qyteti i Shkodrës, përveç të tjerave e deshi dhe e respektoi duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Sot, ndërsa ndihemi  fatlumë që  e njohëm, njëkohësisht lutemi që projektet apo ëndrrat e tija të realizohen sipas vullnetit të Zotit dhe, angazhimit të secilit prej nesh. Ai përgatiti rrugën, neve na takon që ta vazhdojmë me  guxim,  profeci, dhe perspektivë, në të mirën e të gjithëve. Don Carlo, të gjithë  të  jemi mirënjohës, por dhe  të bindur se sot e vazhdoni misionin Tuaj nga qielli.

Duke e lidhur fjalën e ungjillit gjithnjë me jetën dhe misionin e Don Carlos në homelinë e rastit, përveç të tjerave Ipeshkvi theksoi në mënyrë të veçantë Falënderimin ndaj Zotit për dhuratat e shumta që i ka dhënë këtij njeriu, i cili i ka shpenzuar për të mirën e të afërmit,  dhe ne mënyrë të veçantë të atyre që kishin me tepër nevojë. Ai u bë strehë për ata që ishin të braktisur, të harruar.  Don Carlo qe i aftë për të braktisur çdo gjë pa pasur frikë, për t'iu përgjigjur zërit të Zotit. Faleminderit Don Carlo për guximin, për dëshminë. Nëse Shkodra sot ndihet solidare ndaj të sëmurëve, duhet t'i jetë mirënjohëse Njerëzve si Don Carlo, Silvana e motrat e Nënë Terezës, por në të njëjtën kohë këta shembuj duhet të nxisin secilin prej nesh, sepse Zoti ,sikurse thirri Don Carlon për një mision shumë më të madh se sa karriera universitare apo profesioni i mëparshëm apo, siç thirri Nënë Terezën, sot, kërkon secilin prej nesh sipas dijes dhe mundësisë, që të punojmë me guxim, të bindur, së Zoti  ka nevoje për ne, që të realizojë projektin  e Tij të bamirësisë dhe të paqes  në botë. Gjithashtu duhet ta falënderojmë Zotin sepse, vërtet  nga ana njerëzore, vdekja është humbje, dhimbje, por nga  feja është ndryshe. Tashmë ne jemi akoma më fatlumë, sepse Don Carlo është në qiell dhe lutet për Kishën, lutet për të varfrit, lutet për Shqipërinë.

Në përfundim të Meshës, Fabrizio Nocchi: Përgjegjës i Shoqatës Madonnina del Grappa në Shqipëri, shprehu mirënjohjen më të thellë në emër të familjes, Shoqatës “Madonnina del Grappa” në Firence, dhe të Misionit në Shkodër. Ndaj gjithë atyre që morën pjesë shpirtërisht dhe fizikisht  në nderimet e fundit të Don Carlos, në mënyrë të veçantë Arqipeshkvin, Prefektin e Shkodrës, si dhe grupin e bashkëpunëtorëve dhe  miqve të ardhur nga Shqipëria në Firence. Gjithashtu falënderoi  për mesazhet e panumerta të  ngushëllimeve të dërguara nga miku më i vogël e deri tek Kryetarja  e  Parlamentit të Shqipërisë, duke pohuar se Don Carlo ishte Babë dhe mik,  për shumë njerëz në Shkodër  e më Tej.  “Më lejoni që të them me shumë bindje se,  Don Carlo e ka dashur thellësisht këtë tokë  dhe  këtë popull.  Me sigurinë që sot prej qiellit do të vazhdojë shikimin e Tij ndaj nesh do ta drejtojë lutjen e vazhdueshme mbi ne, me një forcë akoma me frytdhënëse.

Përsëri falënderoj përzemërsisht të gjithë ju që edhe sot, bashkoheni rreth nesh, duke dëshmuar respektin dh dashurinë vëllazërore. Të lutemi: ndërmjetëso   për Shoqatën:  Madonnina del Grappa, dhe për mbarë Shkodrën”.

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster