|
Komunikatë për shtyp, Tiranë
11.05.2010
Në ditët 4 dhe 5 maj 2010 u mbajt
në Tiranë Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvnore të
Shqipërisë.
Konferenca diskutoi mbi disa
çështje me rëndësi të Kishës Universale dhe asaj vendore. Nje
vend të veçantë zuri diskutimi mbi çështjen e abuzimeve seksuale
me të mitur nga anëtarë të klerit që ka përfshirë Kishën
Universale, por dhe për sulmet e padrejtja që kanë përfshirë
Atin e Shenjtë Benedikti XVI. U paraqit letra që papa i ka
dërguar Kishës që është në Irlandë në lidhje me abuzimet që kanë
ndodhur në atë vend.
Ipëshkvinjtë theksuan se me siguri
nuk ka kurrfarë arsyetimi për këto sjellje të turpshme e të
dënueshme të atyre personave që kanë abuzuar seksualisht,
veçanërisht me të mitur. Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë,
sikurse edhe shumë Konferenca të tjera, i dënon abuzimet
seksuale që kanë ndodhur në rradhët e klerit.
Ipeshkvinjtë e Shqipërisë, lidhur
me problemin në fjalë, angazhohen plotësisht në zbatimin e
direktivave nga Vatikani, që tashmë janë bërë publike, në rast
shfaqjesh të këtyre fenomeneve.
Gjithashtu është vendosur që
ipeshkvinjtë në mbarim të vitit meshtarak t'u drejtojnë një
letër meshtarëve në Shqipëri.
KISH më datë 5 maj 2010, duke
përjetuar me shqetësim klimën politike që është krijuar në
Shqipëri këto ditët e fundit, iu drejtua me një apel
institucioneve dhe politikës në Shqipëri për një zgjidhje sa më
të shpejtë të situatës.
Në letër u theksua se, sikurse
thotë Papa Benedikti XVI në Enciklikën Deus Caritas est,
“(Kisha) nuk dëshiron t'u imponojë atyre që nuk ndajnë besimin e
saj, perspektiva dhe mënyra sjelljeje, që i përkasin Kishës. Ajo
thjesht dëshiron të japë ndihmesën e vet për pastrimin e arsyes
dhe të bëjë të mundur që çka është e drejtë të mund, këtu dhe
tani, të pranohet e pastaj edhe të realizohet.”
Në këtë apel Ipeshkëvinjtë u
angazhuan që të luten dhe të nxisin besimtarët në mënyrë që të
arrihet në një zgjidhje sa më të shpejtë.
Më tutje Konferenca ka diskutuar
për disa pika me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin sa më të
mirë baritor. Pikat për të cilat është diskutuar në vazhdim
ishin: Universiteti Katolik në Tiranë; çështja e kthimit dhe
kompensimit të pronave të Kishës; ribotimi i Biblës në shqip;
Dita Kombëtare e Rinisë që do t'i mbledhë të rinjtë e Shqipërisë
në Lushnje me datë 29 maj 2010; përfundimi i Vitit Meshtarak, që
në Shqipëri do të mbahet me datën 1 qershor në Lezhë; Viti
Jubilar i 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës; Seminari
ndërdioqezan.
Asambleja e ardhshme plenare do të
jetë në nëntor 2010.
Zyra e Shtypit e
KISH
titujt kryesore |