|
|
Motrat Françeskane të Zojës
Orvieto Todi nga Gjermania, 27 prilli i vitit 1995 do të
shënonte fillimin e një misioni të ri. Motrat vendosën të hapin
misionin e tyre në zonën e Veriut, në Famullinë e Shën Jozefit
në Fushë-Arrës. Ashtu si për këdo, edhe për këto motra, vetëm dy,
fillimi ishte i vështirë. Pikë së pari ishte mosnjohja e gjuhës;
situata e atyre viteve ekonomike dhe politike – shoqërore ishte
tejet kritike. Në një vend ku mbizotëronte varfëria e
tejskajshme, as vetë motrat nuk dinin se nga t'ia fillonin. Por
edhe pse në vështirësi dhe në sakrifica të mundimshme, në emër
të dashurisë së Krishtit motrat e mrekullueshme filluan të
realizonin planin e Hyjit në shërbim të popullit të Zotit, pa
dallim duke ofruar vetveten, kujdesin baritor dhe shpirtëror.
Tashmë kanë kaluar 15 vite që
Motër Gracia Ruf, Motër Benardeta Ebenhof shërbejnë në gjithë
zonën e Fushë - Arrësit. E pikërisht, me 27 prill 2010, në
famullinë e Shën Jozefit u organizua kremtimi i këtij 15-vjetori
të misionit të Motrave, me pjesëmarrjen e bashkësisë famullitare,
të autoriteteve civile të pushtetit lokal, meshtarë e motra, si
dhe Bariu i grigjës së Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, i cili
udhëhoqi kremtimin eukaristik në bashkëkremtim me Famullitarin,
misionarin kapuçin nga Gjermania, Atë Andres Walterman dhe
meshtarë të tjerë. Në fjalën e rastit, duke hedhur sytë nga e
kaluara, Imzot Lucjani tha se provania e Zotit ka dashur që në
këtë vend të jenë këto dy motra, të cilat nëpërmjet shërbimit të
tyre e kanë ringjallur dhe i kanë dhënë jetë kësaj zone duke i
ndihmuar në çdo drejtim: duke ia ushqyer fenë dhe besimin në
Jezu Krishtin, duke i mbështetur dhe ndihmuar në sëmundje, duke
buajtur të pastrehët, duke ushqyer të uriturit, duke u dhënë
dashuri të vobektëve e jetimëve, pra duke dhënë kontributin e
tyre në shumë e shumë drejtime të tjera. Duke përfunduar
Ipeshkvi falënderoi të gjithë bamirësit që kanë kontribuar, dhe
tha se gjithë ky shërbim, të gjitha këto vite të misionit në
këtë vend, kanë qenë të vendosura në themelin e patundur të çdo
të krishteri, në Jezu Krishtin.
Motrat Françeskane të Orvieto
Todit kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm edhe në
shkollimin e të rinjve, ku rreth 150 prej tyre kanë kryer
studimet qoftë në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Po ashtu janë
ndërtuar 60 shtëpi të reja dhe rikonstruktuar 150 të tjera. Falë
mbështetjes ekonomike të ofruar nga motrat dhjetëra pacientë
janë kuruar jashtë vendit në Gjermani.
titujt kryesore |
|