ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

“Mos e fik driten! Ndize shpresen!”

Seminar mbi mbrojtjen ndaj varesive

 

 

Si një vit më parë Ambasadorët e Paqes, duke pasur parasysh rezultatet e pyetësorëve që u kishin shpërndarë rreth 3.000 të rinjve në projektin që ata zhvillojnë prej disa vitesh “Këtu është dikush që të dëgjon”, menduan të organizonin një Seminar, i cili të kishte si qëllim parandalimin, informimin dhe sensibilizimin e edukatorëve, të mësuesve dhe të përgjegjësve të të rinjve, si edhe të vetë të rinjve mbi mbrojtjen ndaj varësive të ndryshme që rrezikojnë secilin prej nesh.

Nuk deshën ta bënin vetëm, ashtu siç është në stilin e tyre, dhe për këtë kërkuan bashkëpunimin e Komunitetit Emanuel Shqipëri dhe të Shoqatës Papa Gjoni XXIII dhe së bashku punuan, për gati një vit, për organizimin e Seminarit “Mos e fik dritën! Ndize shpresën!”.

Deshën ta bënin në tri ditë. Dy ditë u zhvilluan në Shkodër, në Kinema Millenium, drejtuar edukatorëve, pedagogëve, drejtorëve, mësuesve, studentëve të universitetit dhe përgjegjësve të të rinjve. Në ditën e parë, më 11 maj, e cila qe më shumë formuese, fjalën e tyre e mbajtën Arqipeshkvi i Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra, Z. Ridvan Troshani Nënkryetar i Bashkisë Shkodër, Znj. Madalena Gega Eksperte në Fushën e Formimit, Motër Mariglena Gjoni Motër e Përshpirtshme Venerini, Z. Gjergj Sinani Profesor në Universitetin e Tiranës si dhe Z. Luciano Gialdi, Përgjegjës i Komunitetit Emanuel. Në ditën e dytë, më datën 12 maj, që më së shumti ishte përvojore, folën Imzot Lucjan Avgustinit, Ipeshkëv i Sapës, Znj. Juli Cepi, Përgjegjëse e Sektorit të Shërbimeve Sociale të Shkodrës, Z Sokol Morina, Shef i Departamentit të Shëndetësisë Tiranë dhe Atë Lello Lanzilli s.j., Profesor në Institutin Filozofiko-Teologjik të Shkodrës. Shoqata “Papa Gjoni XXIII”, Organizata Ëorld Vision, Komuniteti Emanuel dhe Ambasadorët e Paqes, paraqitën punën që çdo ditë zhvillojnë në sektorin e vet përkatës.

Gjatë këtyre dy ditëve, edhe disa përfaqësuese të nxënësve të Gjimnazit Jopublik “Atë Pjetër Meshkalla”, që kanë marrë pjesë në Rrugëtimin “Takim me emocionet”, promovuar nga Komuniteti Emanuel Shqipëri, kanë paraqitur punimet e tyre: “Njeriu në udhëkryq” dhe “Lumturia është e vërtetë vetëm kur bashkëndahet”, duke e pasuruar edhe më tej përmbajtjen e Seminarit.

Shkolla e Mesme Jopublike “Maria”, kishte formuar një kënd me disa prej punimeve që nxënësit e vitit të parë kanë krijuar gjatë këtij viti shkollor në projektin e sensibilizimit për mos përdorimin e drogës, sidomos nga të rinjtë.

Dita e tretë, më datë 14 maj, e cila u zhvillua në Lezhë, në Shkollën Profesionale Rogacioniste, drejtuar nxënësve të shkollave të mesme dhe drejtorëve të shkollave, ku në qendër do të ishin vetë të rinjtë, folën Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës, Z. Viktor Tushaj, Kryetar i Bashkisë së Lezhës; Z. Gjergj Lulaj, Drejtor i Shërbimeve Sociale të Lezhës dhe Znj. Dila Frani, Përfaqësuese e Drejtorisë Arsimore të Lezhës.

Ambasadorët e Paqes për këtë ditë kishin përgatitur një DVD me intervista, ku të intervistuarit u përgjigjeshin disa pyetjeve si: cili ishte kuptimi i tyre i lirisë, cila ishte dhimbja më e madhe që të rinjtë provojnë, si e shihnin ata veten në moshën 35 vjeç, se çfarë donin të ndryshonin në jetën e tyre dhe në qytetin e tyre, se cilat mund të ishin varësitë e të rinjve e kështu me radhë.

Pas projektimit të DVD-së të rinjtë u ndanë në gjashtë grupe dhe për 45 minuta reflektuan mbi intervistat e dëgjuara.

Rezultatet e punimeve në grupe iu dorëzuan Zotit Gjergj Lulaj, Drejtor i Shërbimeve Sociale Lezhë, duke shprehur në këtë mënyrë simbolike dëshirën e tyre që, ajo që ata kishin përjetuar në këtë ditë të mos mbetej aty, por të shërbente si nevojë e kërkesë që Shteti t'i ndihmonte ata jo aq për të bërë një jetë më të mirë, sesa për të qenë njerëz më të mirë.

E gjithë kjo favorizoi krijimin e një klime të ngrohtë dhe rritëse, pikërisht sepse rridhte nga një përvojë konkrete, realiste dhe pozitive.

Ky ishte edhe qëllimi i këtyre tre ditëve! Jemi të gëzuar që ia kemi arritur pikësynimit tonë. Falënderojmë Zotin që ishte gjithmonë i pranishëm në ne dhe mes nesh.

Loreta Tomaj

Komuniteti Emanuel Shqipëri

Moderatore e Seminarit

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster