|
|
Pjesë e fjalimit të Dom Dritan
Ndocit, ditën e bekimit të kryqit: “E falënderojmë Zotin që e
bëri të mundur ndërtimin e këtij Kryqi. Ndërtimi i tij ishte një
ide që lindi në një mënyrë shumë të thjeshtë. Një grup
besimtarësh nga famullia jonë, kur u kthyen nga një pelegrinazh
që kishin bërë në Medjugorje, patën dëshirën që edhe në
famullinë tonë të ndërtonin një kryq të ngjashëm me kryqin e
madh që gjendet atje. Ideja në fillim u duk si e parealizueshme
nga shumëkush, por pastaj filloi t'u dukej jo vetëm e mundshme,
por edhe shumë e bukur. U desh që të caktohej vendi. U mendua
kodra Majë-Shtog. Falënderojmë Tonin Deden – kryeplakun e
fshatin – dhe Pjetër Gjonin që ia kanë dhuruar Kishës terrenin e
nevojshëm për këtë ndërtim. Ideja u pëlqye dhe u mbështet edhe
nga famullitari Dom Huani, dhe meshtarët e tjerë që ndërkohë
shërbinin këtu, Dom Rafaeli dhe Dom Françesku. Kështu, pasi
morën edhe pëlqimin e Monsinjor Angelo Massafrës, u fillua
ndërtimi i tij.
Të bën vërtet përshtypje të madhe
mbështetja ekonomike që të gjithë besimtarët e Sheldisë – por
edhe më gjerë – kanë bërë për ndërtimin e këtij kryqi rreth 10
metra të lartë.
Sot u përfunduan punimet për
ndërtimin e Kryqit, por në fakt mungon akoma diçka tjetër: kanë
mbetur veçse në fillim punimet për ndërtimin e “Udhës së Kryqit”
që të çon nga qela deri tek kryqi dhe që e kemi quajtur “Në
gjurmët e martirëve”. Kjo sepse një pjesë e këtij segmenti është
përshkuar nga Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja dhe Dom Dedë
Maçaj, që në Sheldi kanë qenë famullitarë e që sot presim të
shpallen martirë të fesë. Do të dalë një vepër e vetme, e plotë
dhe, jam i bindur shumë e bukur dhe e dobishme si për famullinë
tonë, ashtu edhe për shumë besimtarë të famullive të tjera.
Për ta përmbyllur gjithë këtë,
dëshiroj të theksoj dy detaje që ngjajnë si koincidencë, por që
besoj se është e mundur të shihen edhe si vepër e Provanisë së
Zotit. Në një libër të tijin të titulluar “Sheldija” zoti Prek
Ejlli shkruan: “Për ndërtimin e Kishës në Sheldi, gojëdhana
thotë se një pjesë e banorëve (rreth vitit 1720) kërkonin me e
ndërtue kishën në Majë-Shtog. Kurse një pjesë tjetër e donin
kishën pranë rrugës në hyrje të fshatit... Mbas pleqnimit u
vendos që kisha të ndërtohej pranë rrugës ku gjindet edhe sot”.
Pra, vendi ku sot është ndërtuar kryqi, ishte menduar si i
përshtatshëm për vend kulti. Tani u realizua. Ky ishte detaji i
parë.
Detaji i dytë ka lidhje me shumë
vite më vonë. Dikush prej besimtarëve po më tregonte një ditë se
Hallës Kushë, murgeshës së dashur prej të gjithë besimtarëve të
këtyre zona, një herë i kishte thënë Dom Ndre Zadeja se kishte
dëshirë të ndërtonte një “Udhë Kryqi” që shkonte nga qela deri
tek Kisha. E i kishte thënë se, nëse ai nuk do të arrinte ta
realizonte, një gja të tillë t'ia thoshte meshtarëve që do të
vinin pas tij. Erdhi komunizmi e dëshira të tilla u banë të
parealizueshme. Sot doli në dritë ëndrra e Dom Ndre Zadejës. Kjo
ëndërr nuk është realizuar krjet ashtu siç e kishte Dom Ndreja.
Ne nuk e kemi çuar deri tek Kisha, por tek Kryqi në kodrën
Majë-Shtog. Por ndoshta Zoti e kishte menduar që të pritej edhe
pak deri sa kjo “Udhë Kryqi” të njomej edhe nga gjaku i tij dhe
i meshtarëve të tjerë, e atëherë do të merrte formën e saj të
plotë. Mendoj se këto dy detaje mund t'i shohim si vepër e
provanisë së Zotit dhe falënderojmë që na bëri pjesëtarë të
këtij plani.
Prandaj, sa herë që ta shohim këtë
kryq dhe të përshkojmë këtë Udhë Kryqi, le të nxitemi edhe më
fort në kryerjen e vullnesës së Zotit”.
Dom Dritan Ndoci
titujt kryesore |
|