ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Shugurohen dy meshtare salezian

 

 

Më 10 Prill 2010 ishte një ditë e veçantë për Salezianët dhe për krejt Kishën sepse u shuguruan dy meshtarë të rinj në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër: Don Pavlin Zefi dhe Don Tom Mihaj. Meshën e udhëhoqi Imz. Zef Gashi Arqipeshkëv i Tivarit. I pranishëm në Meshë ishte edhe Inspektori Salezian don Pasquale Martino si dhe shumë bashkëkremtues të tjerë. Mes emocionesh të shumta, morën pjesë edhe familjarët dhe të afërmit e meshtarëve të rinj.

Gjatë predikimit Imzot Gashi foli mbi meshtarinë dhe traditën e saj, përgjatë gjithë historisë biblike dhe në vazhdim. Don Pavlin Zefi e falënderoi Zotin për dhuratën e thirrjes dhe të gjithë besimtarët për lutjet dhe mbështetjen e tyre, bashkësinë Salezianë që e kanë mbështetur e familjarët e tyre. Ai falënderoi edhe në emër të don Tomës. Pas Meshës, tek etërit Salezian u shtrua një koktej për të pranishmit si dhe një program artistik.

Meshën e parë Don Toma e kremtoi më 11 Prill në Kishën e “Shën Gjon Bosko” Shkodër, ndërsa Don Pavlini më 12 Prill në Kishën e “Zemra e Krishtit” në Kallmet.

Don Pavlin Zefi  u lind më 20 prill 1983, në  Lezhë. Pas përfundimit të shkollës fillore në Kallmet, nga viti 1997-2001, kreu shkollën e Mesme të Përgjithshme “Atë Pjetër Meshkalla”. Më 6 Shtator 2001 hyri në Rishtari (noviciat), tek Salezianët në Shkodër. Studimet i bëri pranë Seminarit Papnor në Shkodër dhe në Messina të Italisë. Më 21 qershor 2009 mori shugurimin diakonal dhe më 10 Prill 2010 shugurimin meshtarak, në Katedralen e Shën Shtjefnit Shkodër.

Don Tomë Mihaj u lind më 25 mars 1981, në  Bogë. Pas përfundimit të shkollës fillore në vendlindje, gjatë vitit 1997-2001, kreu shkollën e Mesme të Përgjithshme “Atë Pjetër Meshkalla”. Më 6 shtator 2001 hyri në Rishtari (noviciat), tek Salezianët në Shkodër. Studimet i bëri pranë Seminarit Papnor në Shkodër dhe në  Universitetin Papnor Salezian në Romë. Më 20 qershor 2009 mori shugurimin diakonal dhe më 10 prill 2010 shugurimin meshtarak, në Katedralen e Shën Shtjefnit Shkodër.

Gjergj Dushkja

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster