ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Simpozium per Nene Terezen e Kalkutes

 

 

Të shtunën me datë 15 maj 2010 në Aula magna të Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë u mbajt një simpozium për Nënë Terezën e Kalkutës me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj. Në simpozium kanë qenë të pranishëm pesonalitete nga fusha fetare, politike dhe akademike. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Imz. Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë e cila është edhe organizuesja e këti simpoziumi. Përshëndeti simpoziumin Kryetarja e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli dhe Nunci Apostolik në Tiranë Imz. Ramiro Molner Ingles.

Simpoziumi ka parashikuar disa ligjërata. Atë Brian Kolodiejchuk, M.C., i cili është edhe i ngarkuari që po ndjek çështjen e shenjtërimit të Nënë Terezës pranë Vatikanit, foli rreth viteve të saj të errësirës shpirtërore nëpërmjet letrave intime të Nënë Terezës të cilat së shpejti do të dalin edhe në gjuhën shqipe. Një motër e nënë Terezës, motra Ancila Kërhanaj M.C. foli për Nënë Terezën dhe fillimet e misionit të saj në Shqipëri. Motër Ancila e ka shoqëruar nënë Terezën në udhëtimin e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989 dhe në fillimet e misionit të saj në Shqipëri.

Në pjesën e tretë kemi patur ligjëratat e disa akademikëve nga trevat shqiptare. Z. Anton Serreqi nga Shkupi foli për lidhjet e Nënë Terezës, që bota e quajti nënë, me vendlindjen e saj dhe me shqiptarët. Prof. Dr. Mark Camaj, ish ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në Shqipëri dhe profesor i letërsisë klasike në Universitetin e Podgoricës, foli mbi Nënë Terezën në Literaturën botërore. Prof. Dr. Anton Nikë Berisha nga Kosova, një njohës i mirë i Nënë Terezës, foli mbi Nënë Terezën në poezinë bashkëkohore. Në fund Atë Gazmend Tinaj foli për përshpirtërinë e Nënë Terezës, duke komentuar dy vargjet të Biblës që kanë frymëzuar Nënë Terezën, në kuptimin e misionit të saj.

Kanë qenë të pranishëm në këtë takim përfaqësues të Presidencës, të Ambasadave të ndryshme si dhe Znj. Liri Berisha që udhëheq edhe një fondacion me emrin e Nënë Terezës. Pritet së shpejti dalja e librit me letrat intime të Nënë Terezës dhe promovimi që do të bëhet me këtë rast. Gjithashtu me rëndësi është edhe data 26 gusht në të cilën do të kremtohet një meshë solemne në Katedralen e Laçit të Vaut të Dejës e cila i është kushtuar Nënë Terezës.

Dom Gjergji Meta

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster