|
|
Në pragun e mbylljes së procesit
rreth Shërbëtorëve të Hyjit, Kryeipeshkvi i Shkodër - Pult,
Imzot Angelo Massafra i shoqëruar nga Fra. Vincenzo Focà dhe Dom
Nikë Ukgjini, nga data 27-30, prill të këtij viti, qëndruan në
Kroaci, për të kërkuar dhe ca dëshmi shtesë. Ndalimi i parë i
tyre, gjatë udhëtimit për në Zagreb, ishte qyteza e vogël Vodice
në afërsi të Shibenikut, ku takuan dëshmitarin e parë, meshtarin
e vyer të Administraturës Apostolike të Prizrenit Dom Ivica
Çolak. Ai foli rreth famës që gëzon tek populli i Zymbit,
Gjakovës, dhe Novoselës, Atë Luigj Paliq. Njëherësh shprehu
bindjen se shërbëtori i Hyjit Atë Paliqi është martir i gjallë i
Kishës Katolike. Me pas, Komisioni në fjalë, vazhdoi rrugën me
makinë për në Zagreb, duke arritur atje në orët e vona të
mbrëmjes, për t'u sistemuar në Misioni Katolik Shqiptar të
mirëpritur nga misionari Dom Agim Qerkini. Të nesërmen (dt. 28)
Imzot Massafra dhe Fra. Vincenzo të shoqëruar nga misionari ynë
atje, takuan kushërinjtë e Atë Paliqit z. Tomo Paliqi dhe z.
Drago Paliqi nga të cilët morën dëshmi të vyera për shërbëtorin
e Hyjit.
Qëndrimin e tyre në Zagreb, Imzot
Massafra dhe përcjellësit tij e shfrytëzuan për të bërë dhe ca
vizita rasti, si: takimi në Konferencën Ipeshkvnore të Kroacisë,
vizita Provincialatit të fretërve Minorë në Zagreb etj.
Pas përfundimit të detyrimeve të
caktuara, përgjatë rrugës në kthim për në Shqipëri, grupi në
fjalë bëri vizita rastit në Seminarin e Lartë të fretërve Minorë
në Split dhe njëherësh vizitoi pallatin e Perandorit Dioklecian
të shek. IV. Më pas, duke vazhduar rrugën përgjatë autostradës,
ndalesa e tyre e radhës qe Dubrovniku. Aty vizituan qytetin
magjik të Raguzës (Dubrovnikun), duke parë nga afër objektet me
vlera të rralla si: Katedralen e të “Ngjiturit të Zojës së
Bekuar në Qiell”, kishën e “Shën Vlashit”, kishën françeskane të
të “Ngjiturit të Krishtit në Qiell”, pallatet e qytetit etj.
Vizita e cila la mbresa të veçanta në këtë qytet, ishte ajo në
Kuvendin e fretërve Minorë të “Shën Françeskut” dhe bibliotekës
së tyre, e cila është më e njohura në Kroaci, themeluar në vitin
1310. Sa për të kujtuar, kjo bibliotekë sot përmban më tepër se
rreth 70. 000 ekzemplarë libra, 20.000 dokumente dhe shumë
pergamenë të shek. X dhe XI etj.
Duke pasur parasysh se veprimtaria
e Imzot Pjetër Bogdanit lidhet ngushtë më këtë qytet dhe
bibliotekën në fjalë, dom Nika shfrytëzoi rastin për të bërë
filmime të caktuara në kuadër të realizimit të filmit të tij
dokumentar për Imzot Bogdanin. Gjatë qëndrimit të tyre në
Dubrovnik, mysafirët qenë të mirëpritur nga ndihmës mbikëqyrësi
i këtij Kuvendi, Atë Prel Gjurashaj. Në orët e mbrëmjes të datës
30, Imzot Massafra së bashku me shoqëruesit u kthyen për në
Shkodër.
Dom Nikë Ukgjini
titujt kryesore |
|