ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

DITA KOMBËTARE E RINISË

 

 

Mëngjesin e 31 majit qyteti i Lezhës nuk u zgjua si zakonisht, por ishte i tëri i mbipopulluar nga të rinj katolikë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në takimin kombëtar të tyre, në përkujtim të ditës botërore të rinisë që këtë vit Papa Benedikti do ta zhvillojë në Sidney- Australi. Me pamundësinë për të marrë pjesë atje, të rinjtë u mblodhën të gjithë së bashku në Lezhë për ta kuptuar dhe për ta marrë me vete mesazhin e Papës.

Në stadiumin “Besëlidhja” të rinjtë u pritën ngrohtësisht nga ipeshkvijtë e tyre dhe nga grupi organizativ. Takimi filloi në një klimë lutjeje dhe vallëzimi meditativ, përgatitur me mjaft mjeshtëri prej grupit nga Shkodra.

Mesazhi i Papa Benediktit të XVI iu përcoll të rinjve përmes dëshmive, këngëve e valleve të ndryshme. Të dëshmosh Zotin nuk është një art i veçantë që mund ta mësosh në ndonjë shkollë speciale, por të dëshmosh Zotin do të thotë para së gjithash ta njohësh, ta duash e të jetosh në prani të Tij.

Mjaft interesante ishin dëshmitë e ndryshme të disa personave që në jetën e tyre e kanë eksperimentuar Zotin, dhe atë që e kanë marrë për vete ua dëshmuan edhe të rinjve.

Në mesin e të ftuarve që dëshmuan domethënëse ishte dëshmia e gazetarit të njohur shqiptar Enkel Demit, i cili në dëshminë e vet në jetën me Zotin iu kujtoi të rinjve që ta duan më shumë Zotin duke kryer detyrimet e tyre si të krishterë, të praktikojnë meshën e së dielës e ta bëjnë pjesë të jetës leximin e Biblës, t'u kthehen studimeve e t'u rrinë larg jetës së dhënë pas veseve si drogës, alkoolit, bareve etj., sepse Shqipërisë dhe Kishës i duhen të rinjtë që studiojnë dhe që promovojnë vlerat e krishtera. Por, para së gjithash Zotin duhet ta dëshmojmë secili me jetën tonë në vendin dhe pozitën e vet.

Surprizë tjetër e takimit ishte ardhja e kantautorit italian don Giosy Cento, i cili kishte ardhur enkas për këtë takim së bashku me miqtë e tij për ta zmadhuar festën me këngët e tyre ritmike, ku secili nga të rinjtë nuk mund të rrinte indiferent ndaj atij ritmi që i bënte edhe më të gëzuar.

Gjithashtu i ftuar ishte edhe kantautori i mirënjohur Frederik Ndoci e shumë të tjerë.

Mes shumë dëshmive, këngëve e valleve takimi u mbyll rreth orës 2. 30. Sigurisht secili ka marrë me vete gëzimin e asaj dite, zellin dhe nxitjen për të jetur sa më mirë jetën e tyre të krishterë sepse feja rritet e dëshmohet së bashku.

Faleminderit Zot që na ke dhënë një rini kaq të mirë, e cila ka etje dhe dëshirë për të të njohur ty, për të të dashur dhe për të të takuar Ty.

 

Motër Luiza Milani

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster