|
KUSHTOHET KISHA E SHËN ELISË NË BERDICË
Më 19 Korrik 2008
u bë Shugurimi i kishës së Shën Elisë profet në Berdicë. Nuk e
di se si mund të përshkruhet gëzimi i mijëra besimtarëve të
këtij fshati të cilët morën pjesë në shugurimin e kishës së tyre
të re.
Në orën 10 filloi
kremtimi i Meshës së Shenjtë udhëhequr nga Shkëlqesia e Tij
Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i dioqezës Shkodër - Pult, në
praninë e Shkëlqesisë së Tij Imzot Stanislav Hočevar,
Arqipeshkëv i Beogradit, Imzot Zef Gashi Arqipeshkëv i Tivarit
dhe don Paskuale Martino, Provincial Salezian.
Nderuan me
pjesëmarrjen e tyre edhe Autoritetet civile si, Zonja Jozefina
Topalli, kryetare e Kuvendit Popullor dhe Deputete e zonës, z.
Qamil Zhurreta, kryetar i komunës së Berdicës, z. Antonio
Gisolfi, kryetar i komunës së “Rignano Garganico”, provincë në
Itali si dhe prania e shumë besimtarëve që e mbushën plot e
përplot këtë kishë të mrekullueshme.
Në predikimin e
tij Imzot Massafra foli më tepër për rëndësinë e Kishës
shpirtërore sesa atë materiale. Pas predikimit u vazhdua me
ritet e kushtimit të Kishës e sigurisht që momentet më prekëse
ishin ato të këndimit të litanive të shenjtërve, të lutjes së
kushtimit, të lyerjes me vaj të altarit si dhe të dymbëdhjetë
kryqeve, të vendosura në shtyllat e kishës.
Në përfundim të
Meshës, Famullitari i kësaj famullie, Dom Michele Gentile,
përshëndeti të pranishmit si dhe i falënderoi përzemërsisht të
gjithë ata persona të cilët kontribuan fizikisht dhe
materialisht për ndërtimin e kësaj kishe. Pas Meshës u shtrua
një koktej për të gjithë besimtarët si dhe dreka për të ftuarit.
Gjergj Dushkja
titujt kryesore |