ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

NË LURDË NË150 VJETORIN E SHFAQJES SË ZOJËS

 

 

Me rastin e jubileut të 150 vjetorit të shfaqjes së Zojës në Lurdë të Francës, një grup prej pesë meshtarësh nga dioqeza e Shkodrës, së bashku me Arqipeshkvin Imzot Angelo Massafra, iu bashkëngjitëm një grupi shtegtarësh të krahinës së Pulias për të marrë pjesë në këtë shtegtim të shenjtë.

Pasi kemi vizituar disa vende të bukura në dioqezën e Tarantos dhe krahinave përreth, jemi ndalur edhe në San Marzano, vendlindjen e Arqipeshkvit tonë. Dreka e shtruar nga familja e tij tregoi qartë bujarinë dhe mikëpritjen e shqiptarit që tejkalon kufijtë e kohës dhe të vendit.

Me datën 30 qershor jemi nisur me një tren brenda te cilit gjendeshin rreth 1200 shtegtarë nga Castelaneta. Udhëtimi qe shumë i gjatë dhe i lodhshëm, por pikërisht kjo na bëri ta përjetojmë më bukur shpirtërisht. Gjatë rrugës vihej re dëshira dhe përshpirtëria e shumë njerëzve për Zojën, sidomos tek të sëmurët, të cilët me shumë përshpirtëri lusnin pandërprerë rruzaren kushtuar Virgjërës Mari.

Më 1 korrik kemi mbërritur në Lurdë, në qytetin e dashur të Zojë, aty ku 150 vjet më parë Ajo iu shfaq Shën Bernardetës duke i thënë edhe emrin e saj: “Unë jam të nxënët e pa mëkat” (Zoja e Papërlyer), emër i cili vuloste dogmën e shpallur vetëm katër vite më parë nga papa Piu IX, pikërisht atë të Zojës së Papërlyer.

Sapo kemi zbritur nga treni i jemi drejtuar shpellës ku ishte shfaqur Zoja dhe secili kishim mbetur në heshtje të mrekulluar nga ajo mrekulli ku me mijëra besimtarë të kombeve të ndryshme pëshpëritej në gjuhë të ndryshme lutja: “Të falem o Mari hirplote!”.

Të nesërmen u kremtua një meshë ndërkombëtare në bazilikën nëntokësore të Piut X, në praninë e gati 20.000 besimtarëve, shtegtarë nga kombe të ndryshme. Mesha e shenjtë udhëhiqej nga Kardinali i Barcelonës në praninë e shumë ipeshkvijve dhe meshtarëve të tjerë. Më pas kemi vizituar edhe vende të tjera si, shtëpinë e shën Bernardetës, kishën famullitare etj, që ishin pjesë e shtegtimit për të marrë ndjesën e plotë.

Moment i bukur ka qenë edhe ai i së mërkurës në darkë kur në orën 23.00 kemi bashkëkremtuar një meshë të udhëhequr nga Imzot Angelo në shpellën e shfaqjes së Zojës ku gjatë adhurimit Eukaristik pas meshës Arqipeshkvi është lutur Zojës për popullin shqiptar dhe për meshtarë të shenjtë të popullit tonë.

Ditën e premte më 4 korrik kemi kremtuar një liturgji pendestare në Kishën e shën Bernardetës dhe në darkën e po asaj dite kemi lutur rruzaren në oborrin e Shenjtërores me mijëra besimtarë të gjuhëve të ndryshme, të cilët mbanin në duart e tyre nga një qiri të ndezur. Në misterin e katërt jemi lutur edhe në gjuhën shqipe përballë mijërave besimtarëve që i kërkonin Zojës hire dhe bekime për jetën e tyre dhe të të dashurve të vet. Të shtunën në mëngjes Imzot Angelo drejtoi meshën përfundimtare para kthimit në shtëpitë tona.

Të gjithë kanë shkuar me dëshira në zemër për t'ia kërkuar Zojës, të gjithë e kanë ndier afërsinë e Nënës qiellore dhe kujdesin e saj për fëmijët e vet sidomos për të sëmurët. Ne meshtarët shqiptarë të pranishëm në këtë shtegtim vërtetë të çmuar, e falënderojmë përzemërsisht Arqipeshkvin tonë që na e mundësoi një hir të tillë.

O Zojë e Papërlyer, ruaji familjet tona, prindërve jepu këshillin dhe durimin e shenjtë, të rinjve pastërtinë dhe lutjen, të sëmurëve shpresën e dashurisë së Zotit, meshtarëve tanë qëndrueshmërinë dhe shpirtin e lutjes. Na qëndro gjithmonë pranë dhe na drejto kah Biri yt, Jezusi. Amen

 

Dom Gjovalin Simoni

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster