|
RADIO MARIA SHQIPTARE FESTON 5-VJETORIN
Data 19 korrik e
këtij viti shënon 5 vjetorin e hapjes së Radio Marisë në
Shqipëri.
Radio Maria e parë
në botë u hap në Itali në vitin 1983, vit nga ku lindi dhe u
zhvillua një mjet shumë efikas për përhapjen e Fjalës së Hyjit.
Pastaj, në vitin 1998 u formua familja botërore e Radio Marisë -
shtrirë në më shumë se 50 shtete të ndryshme - pjesë e së cilës
është që prej pesë vitesh edhe Radio Maria shqiptare, duke
filluar që me datën 19 korrik 2003. Fillimisht ajo filloi
transmetimet e veta vetëm nga qyteti i Shkodrës, por prej dy
vitesh edhe nga Tirana.
Për të festuar 5
vjetorin e hapjes së kësaj radioje, në katedralen e Shkodrës u
kremtua Mesha e Shenjtë, ku, si rrallë herë morën pjesë shumë
besimtarë, pjesa dërmuese e të cilëve vinin nga fshatrat.
Kremtimin e kryesoi Imzot Hilë Kabashi, Ipeshkëv i
Administraturës së Jugut, në bashkëkremtim me pesë meshtarë të
tjerë.
Në homelinë e tij
prelati foli gjerësisht për rëndësinë e dëgjimit të fjalës së
Hyjit dhe këtu del në pah edhe rëndësia e kësaj radioje, e cila
secilën ditë e fillon dhe e mbyll me fjalën e Tij.
Vetë pjesëmarrja e
një numri kaq të madh besimtarësh flet për vlerësimin që ata i
bëjnë programeve të kësaj radioje, valët e së cilës shtrihen
pothuajse në të gjithë Shqipërinë dhe, nëpërmjet internetit, në
të gjithë botën.
Para përfundimit
të Meshës përshëndeti edhe z. Tomë Preku, koordinator i Radio
Marisë në Shqipëri, si edhe Dom Prekë Lazraj, drejtori i
programacionit.
Më pas për të
pranishmit u shtrua edhe një koktej.
Lec Zadeja
titujt kryesore |