|
“SHKONI
EDHE JU NË VRESHTIN TIM”
1. BESIMTARËT
LAIKË (Christifideles laici), “thirrja dhe misioni në Kishë e në
botë 20 vjet pas Koncilit II të Vatikanit” i të cilëve ka qenë
argumenti i Sinodit të Ipeshkvijve i vitit 1987, i përkasin atij
Populli të Hyjit, që simbolizohet nga punëtorët e vreshtit, për
të cilët flet Ungjilli i Mateut: “Mbretëria e qiellit është e
ngjashme me atë zotështëpie, i cili doli herët në mëngjes që të
gjejë punëtorë për vreshtin e vet. E, si u godit me punëtorët
nga një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet” (Mt 20, 1-2).
Shëmbëlltyra
ungjillore hap përpara syve tanë vreshtin e pamasë të Zotit dhe
numrin e madh të personave, burra dhe gra, që janë thirrur e
dërguar prej Tij, për të punuar në të. Vreshti është mbarë bota
(krh. Mt 13, 38), që duhet të shndërrohet sipas planit të Hyjit
duke pasur parasysh ardhjen përfundimtare të Mbretërisë së
Hyjit.
2. “Pastaj doli
edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në
treg e u tha: "Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t'ju jap sa
të jetë e drejtë"” (Mt 20, 3-4).
Thirrja e Zotit
Jezus “Shkoni edhe ju në vreshtin tim” nuk resht së kumbuari
prej asaj dite të largët përgjatë rrjedhës së historisë: i
drejtohet çdo njeriu që vjen në këtë botë.
Në kohët tona, në
ndikimin e ripërtërirë të Shpirtit të Rrëshajëve, që ka ndodhur
me Koncilin II të Vatikanit, Kisha ka pjekur një vetëdije më të
gjallë të natyrës së saj misionare dhe ka ridëgjuar zërin e
Zotit të vet, i cili e dërgon atë në botë si “sakrament
universal të shpëtimit”.
Shkoni edhe ju.
Thirrja nuk i përket vetëm Barinjve, meshtarëve, rregulltarëve e
rregulltareve, por shtrihet te të gjithë: edhe besimtarët laikë
janë personalisht të thirrur nga Zoti, nga i cili marrin një
mision për Kishën dhe për botën.
Këtë na e kujton
Shën Gregori i Madh, që, duke i predikuar popullit, e komenton
kështu shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht: “Kini kujdes se si
jetoni, vëllezër shumë të dashur, dhe verifikoni nëse jeni
tashmë punëtorë të Zotit. Secili ta vlerësojë atë që bën dhe ta
shqyrtojë nëse punon në vreshtin e Zotit”.
titujt kryesore |