|
SHTEGTIM NË TOKËN E SHENJTË
Nga data 16 deri
më 24 qershor të këtij viti Zoti na e dha hirin dhe na i
përputhi mundësitë që një grup shtegtarësh prej 52 vetash nga
Shqipëria të bënte një shtegtim në Tokën e Shenjtë.
Shtegtimi pati
pikërisht këtë qëllim, që të mund ta kundronim dhe soditnim
misterin e Zotit, duke prekur nga afër vendet dhe duke përjetuar
fjalën aty ku Jezu Krishti e predikoi dhe e dëshmoi me jetën e
vet.
Shtegtimi ynë
filloi me kremtimin e eukaristisë në malin Karmel, për të
vazhduar për në Nazaret. Edhe pse sytë e trupit ishin të lodhur
prej pagjumësisë, sytë e shpirtit ishin të gatshëm për të
kundruar misterin e Lajmërimit të Zojës pikërisht në kishën e
ndërtuar në përkujtim të këtij misteri. Në shpellën e Lajmërimit
të Zojës patëm mundësinë të kremtojmë Meshën e shenjtë. Të
nesërmen zemra jonë, bashkë me të edhe trupi u ngjit në malin
Tabor për të medituar mbi Shndërrimin e Mesisë në mesin e
Moisiut dhe Elisë, ligjit dhe profetëve. Ishte tepër bukur edhe
për ne të ndërtonim tendat dhe të qëndronim mbi këtë mal, por
vëllai françeskan na priste me çelësa në dorë për të na hapur
kishën në Kanë të Galilesë, ku përkujtohet mrekullia e parë e
Zotit.
Dita e tretë
filloi me kremtimin e meshës në Malin e Lumturive, ku secili
prej nesh ndihej i varfër në shpirt, sepse i dukej më afër
mbretëria e qiejve. Zbritëm edhe ne bashkë me nxënësit dhe
vizituam bregun perëndimor të liqenit (detit) të Galilesë.
Vendin e shumimit të bukëve, kishën e Primatit të Pjetrit dhe
mbi të gjitha qytetin e Jezusit, Kafarnaumin ku ndodhet Domus
Ecclesiae, shtëpia e Pjetrit bashkë me sinagogën ku predikoi
Zoti. Edhe ne e përshkuam liqenin, por jo në këmbë. Ne lundruam
me barkë deri në Tiberiade ku na priste dreka, drejt së cilës
nuk kishte asnjë tregtar që të na ndalonte. Kishim të drejtë,
koha e drekës tashmë kishte dy orë që kishte kaluar. Pasdite të
gjithë zbritëm në lumin Jordan, ku secili prej nesh ripërtëriu
premtimet e pagëzimit. Edhe pse ishim 200 metra nën nivelin e
detit, shpirti ynë fluturonte në hapësirat e përjetimit të
mistereve të Krishtit.
U bë natë, dita e
katërt. Shkuam në sitin arkeologjik të Qumran, ku shekullin e
kaluar u gjetën një pjesë e mirë e shkrimeve të Besëlidhjes së
vjetër në hebraisht.
Pasdite u ngjitëm
në malin ku Jezu Krishti qe tunduar nga i keqi, por nuk iu
nënshtrua të keqit dhe joshjeve të tij.
Lodhja tashmë e
kishte bërë punën e vet, por akoma na mbante të gjallë dëshira
për të parë qytetin e shenjtë, Jerusalemin i cili, sapo kaluam
tunelin nën malin e ullinjve, u shfaq përpara syve tanë në të
gjithë shkëlqimin e tij.
Dita e pestë. Na
priste një ditë e lodhshme por edhe shumë e bukur. Ain Karem,
vendi i takimit të Zojës së bekuar me Shenjtën Elizabetë. Edhe
neve na galdoi shpirti ndërkohë që po lusnim lutjen Magnificat
të vënë në muret rrethuese të kësaj kishe në gjuhën shqipe. Nga
këtu ylli nga qielli na parapriu edhe ne dhe na dërgoi në vendin
e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, në Betlehem.
Dita e gjashtë.
Menjëherë në mëngjes, edhe pse e diel, kremtuam Udhën e Kryqit.
Mbasi hëngrëm mëngjesin, vizituam Malin e Ullinjve me të gjitha
misteret dhe vendet e shenjta që ai ka. Kundruam vendin e
ngritjes së Zotit në qiell, në një vend jo të zakontë, sepse
kisha e dikurshme tetëkëndëshe, sot është xhamì, por kjo nuk na
pengoi ta lexonim pjesën e ungjillit që shkruan pikërisht
ngritjen e Zotit në qiell.
Zbritëm në Dominus
Flevit, ku Jezu Krishti qau mbi Jerusalem dhe pastaj kremtuam
Meshën e shenjtë në shpellën e apostujve, ku këta flinin ndërsa
Jezusi po lutej në kopshtin e Gjetsemanit. Vizita në kishën e
agonisë së Jezusit ishte një përjetim i veçantë, jo vetëm se ai
vend flet vetë me anë të misterit që aty kremtohet, por se
secili shtegtar i grupit pati mundësinë t'i afrohej sakramentit
të rrëfimit dhe të pajtohej më Zotin. Pasditja ishte e tëra e
kushtuar vizitës së qytetit të vjetër, ku janë akoma përkujtimet
e mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes së Jezu Krishtit. Një
hir i veçantë ishte shkuarja tek vendi e kryqëzimit, Kalvari,
sepse secili pati mundësinë të prekë shkëmbin ku qe vënë kryqi
dhe i kryqëzuari dha shpirt. Pastaj zbritëm dhe hymë secili nga
ne në varrin bosh ku përkujtohet ringjallja dhe ngadhënjimi i
Zotit tonë mbi vdekjen. Dita përfundoi me meshën e shenjtë në
kishën e françeskanëve që gjendet përbri varrit të shenjtë.
Dita e shtatë.
Edhe ne si nxënësit e Emausit shkuam në këtë vend për ta
rinjohur Mesinë në thyerjen e bukës. Pastaj vizituam Malin Sion,
Kishën e Dormitio Mariae ose Hagia Sion, ku është manastiri
benedektin. Soditëm dhe kundruam çenakolon, vendin e darkës së
mbrame dhe ardhjes së Shpirtit Shenjt. Dhe me kaq përfundoi
shtegtimi ynë në Tokën e Jezusit.
Shumë prekëse
ishte edhe pjesëmarrja në hyrjen solemne të Patriarkut të ri të
Jerusalemit, Imzot Fouad Twal në Bazilikën e ringjalljes.
Dita e tetë lindi
ndërsa ne ishim në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv për t'u
kthyer në vendin tonë, të lodhur, por plot me gëzim dhe kujtime
të mrekullueshme, jo vetëm në memorien e aparateve digjitalë apo
në kasetat e telekamerave, por në mendjen dhe në shpirtin tonë.
Prandaj nga
thellësia e shpirtit të çdo besimtari gurgullon falënderimi ndaj
Zotit, autorit dhe arkitektit të çdo vepre të mirë, por duhet
falënderuar edhe Agjencia Françeskane e Shtegtimeve që u
kujdesua për organizimin praktik të shtegtimit. Një mirënjohje
edhe për të gjithë ata familjarë që kontribuan nga ana
ekonomike. Ju sigurojmë se jemi lutur për të gjithë dhe të
gjithë kanë qenë të pranishëm në të gjitha kremtimet dhe vendet
e shenjta.
Shtegtimi tjetër
do të jetë nga 9 deri me 16 dhjetor.
Paqe e Mirësi!
Atë Gazmend
Tinaj
titujt kryesore |