ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 SHUGURIM NË DIOQEZËN E RRËSHENIT

 

Më 24 qershor të këtij viti, dioqeza e Rrëshenit pati një ditë të shënuar për të: shugurimin diakonal të dy seminaristëve të saj, Genc Çupit nga Mirdita dhe Ambroz Demajt nga Kosova, por i inkardinuar në këtë dioqezë. Mesha e Shenjtë u kryesua nga bariu i kësaj dioqeze Imzot Kristofor Palmieri, i cili pati gëzimin t'ua jepte sakramentin e diakonatit duke shtrirë duart e veta mbi kokat e këtyre dy djemve që po ia kushtonin jetën e tyre të re Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe shërbimit të Kishës së Tij.

Për të marrë pjesë në këtë ditë të shënuar kishin ardhur edhe familjarët e diakonëve të rinj, si edhe shumë besimtarë nga vende të ndryshme.

Në homelinë e tij Shkëqesia shprehu gëzimin tek sheh se klerit të dioqezës së tij pak nga pak po i shtohet numri, për të punuar kështu edhe më me efikasitet dhe energji në këtë dioqezë, e cila për shkak të fesë së saj në Krishtin ka vuajtur shumë gjatë shekujsh.

Menjëherë pas homelisë u vazhdua me ritet e shugurimit, rite që tërhoqën vëmendjen dhe admirimin e të gjithë të pranishmëve. Kështu Kishës iu shtuan edhe dy diakonë të rinj.

Pas meshe u shtrua edhe një drekë vëllazërore për të ftuarit.

I urojmë dy diakonëve (shërbëtorëve) të rinj shërbim të zellshëm dhe bujar ndaj Atit të gjithëpushtetshëm dhe ndaj njerëzimit, duke i përngjarë kështu Jezusit, shërbëtorit zemërbutë e të përvuajtur.

 

Dom Dritan Ndoci

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster