|
|
SHUGURIM MESHTARAK I ATË ZEF BISHËS S.I.
“Sot është dita që
na e dhuroi Zoti! Bashkë me këto fjalë të psalmistit që lutet në
gëzimin e tij, është lutur edhe bashkësia famullitare e Shën
Nikollit në Vau-Dejës, në festën e shugurimit meshtarak të birit
të saj At Zef Bisha, jezuiti i parë shqiptar pas diktaturës.
Duke e falënderuar Zotin për këtë dhuratë që i bëhet popullit
tonë, bashkësisë së Jezuitëve, dhe mbarë Kishës në Shqipëri,
qindra besimtarë mbushën katedralen “E Lumja Nënë Tereza” në
Vau-Dejës, më 5 korrik, për të marrë pjesë në kremtimin solemn
të udhëhequr nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre, Ipeshkvi ndihmës i Shkodrës,
Imzot Zef Simoni, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, momentalisht
si i plotfuqishëm pranë Nunciaturës Apotolike në Shqipëri, Imzot
Giovanni Gaspari, Provinciali i Shoqërisë së Jezuitëve nga
Italia, Atë Françesko Tata, përgjegjësi i Jezuitëve në Shqipëri,
Atë Lello Lanzilli, rreth 70 meshtarë nga e gjithë Shqipëria,
motra të kongregatave të ndryshme që veprojnë në Shqipëri,
përfaqësuesit e pushtetit vendor, si dhe familjarët, miqtë e
dashamirësit e Atë Zefit.
Pas leximeve të
ditës, Imzot Lucjan Avgustini, shuguruesi i ceremonisë, mbajti
homelinë e rastit, ku mes të tjerash vuri theksin mbi figurën e
meshtarit.
Pas predikimit,
Provinciali, njëkohësisht dhe përgjegjësi i formimit, i pyetur
nga Ipeshkvi, dëshmoi përpara të gjithëve për aftësinë e
meshtarisë së Atë Zefit e denjësinë e tij për të marrë Urdhrin e
Shenjtë.
Kandidati i
zgjedhur për urdhrin e presbiteratit, shprehu përpara Ipeshkvit
dhe të gjithë të pranishmëve, me vullnet të vendosur për të
ushtruar gjatë gjithë jetës së tij shërbimin meshtarak sipas
qëllimit të Krishtit e të Kishës.
Pas homelisë u
vazhdua me ritet e tjera të shugurimit.
Në zemër të këtij
riti, të zgjedhurit iu dha dhurata e Shpirtit Shenjt për
shërbimin e meshtarisë (presbiterit). Ipeshkvi, e pas tij të
gjithë meshtarët bashkëkremtues, në lutje të heshtur, vendosën
duart mbi kryet e të zgjedhurit si shenjë e pranimit në
presbiter.
Menjëherë pas
këtij momenti, Ipeshkvi shpalli mbi të zgjedhurin të gjunjëzuar
përpara tij, lutjen solemne të shugurimit.
Në liturgjinë
eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i shuguruari ushtroi për
herë të parë shërbimin e tij duke bashkëkremtuar me Ipeshkvin e
me gjymtyrë të tjera të presbiterit.
Në këtë rit të
paharrueshëm, përveç emocioneve të shumta që u ngjallën gjatë
shugurimit, në mënyrë të veçantë spikati edhe kori i Katedrales,
që me shoqërimin e këngëve të meshës e bëri këtë shugurim edhe
më të gëzueshëm.
Por festa e hareja
në dioqezën tonë s'mbaroi këtu.
Me fjalët e
shkruara në hyrje të kishës Katedrale “E Lumja Nënë Tereza”, “Ti
je prift për amshim”, më 13 korrik 2008, në 11. 00, është pritur
Atë Zef Bisha në famullinë e Shën Nikollit në Vau-Dejës, famulli
në të cilën u lind, u rrit dhe u shugurua. Mes gëzimit dhe
emocioneve Atë Zefi ka kremtuar meshën e Parë, në bashkëkremtim
me vëllezërit Jezuitë, famullitarin e Katedrales Dom Simon
Kullin, dhe në praninë e Ipeshkvit të vendit, Imzot Lucjan
Avgustini.
Së bashku me
meshtarin e ri, besimtarët kanë lëvduar e falënderuar Zotin për
hirin dhe dhuratën që i ka bërë birit të këtij vendi. Pas shumë
vitesh kjo famulli i dhuron Krishtit birin e tij për ta ndjekur
atë.
Është meshtari i
parë që ka hapur derën e thirrjeve, e dhashtë Zoti të jenë
punëtorë sa më të shumtë në të korrat e tij.
Atë Zefit,
jezuitit të parë shqiptarë pas rënies së diktaturës komuniste, i
bëjmë shumë e shumë urime për një meshtari të shenjtë e të
mbarë.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|