ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

SYDNEY - XXIII DITË BOTËRORE E RINISË

 

Papa Benedikti ka qenë në Sydney (Australi) për ditën botërore e rinisë, 17-20 korrik 2008. Në Meshë në ipodrom i Randwick bëri homelinë që vijon:

 

Miq të dashur,

 

“do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju” (Vap 1, 8). Këtë premtim e kemi parë të realizohet! Ditën e Rrëshajëve, siç kemi dëgjuar në Leximin e Parë, Zoti i ngjallur, ulur në të djathtë të Atit, ka dërguar Shpirtin Shenjt mbi apostujt e mbledhur në Çenakull. Prej forcës së këtij Shpirti, Pjetri dhe Apostujt kanë shkuar për ta predikuar Ungjillin deri në skajet e tokës. Në çdo kohë dhe në çdo gjuhë Kisha vazhdon t'i shpallë në mbarë botën mrekullitë e Hyjit dhe i fton të gjitha kombet dhe të gjithë popujt në fe, në shpresë dhe në jetën e re në Krishtin.

Në këto ditë edhe unë kam ardhur, si Pasardhës i Pjetrit, në këtë tokë të mrekullueshme të Australisë. Kam ardhur për t'ju forcuar, të dashur vëllezër e motra të mi të rinj, në fenë tuaj dhe për t'ia hapur zemrat tuaja fuqisë së Shpirtit të Krishtit dhe pasurisë së dhuratave të tij. Lutem që kjo asamble e madhe, që bashkon të rinj “prej të gjitha kombeve të botës” (Vap 2, 5), të bëhet një Çenakull i ri. Flaka e dashurisë së Hyjit zbrittë për të mbushur zemrat tuaja, për t'ju bashkuar gjithnjë e më shumë me Zotin dhe me Kishën e Tij dhe për t'ju dërguar, si brez të ri apostujsh, që ta çoni botën tek Krishti!

“Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju”. Këto fjalë të Krishtit të Ngjallur kanë një domethënie të veçantë për ata të rinj që do të krezmohen, vulosur me dhuratën e Shpirtit Shenjt, gjatë Meshës së Shenjtë. Por këto fjalë na drejtohen edhe çdonjërit prej nesh, domethënë të gjithë atyre që kanë marrë dhuratën e Shpirtit të pajtimit dhe të jetës së re në Pagëzim, që e kanë pranuar në zemrat e tyre si ndihmë e udhëheqës të tyre në Krezmim dhe që çdo ditë rriten nëpërmjet dhuratave të Tij të hirit në Eukaristinë e Shenjtë. Në çdo Meshë, në fakt, Shpirti Shenjt zbret sërish, i thirrur në lutjen solemne të Kishës, jo vetëm për t'i shndërruar dhuratat tona të bukës e të verës në Trupin e në Gjakun e Krishtit, por edhe për t'i shndërruar jetët tona, për të na bërë, me forcën e Tij, “një trup të vetëm dhe një shpirt të vetëm në Krishtin”.

Por çfarë është kjo “fuqi” e Shpirtit Shenjt? Është fuqia e jetës së Hyjit! Është fuqia e vetë Shpirtit Shenjt, që endej mbi ujëra agimin e krijimit dhe që, në plotësinë e kohëve, ngriti Jezusin nga vdekja. Është fuqia, ajo që na çon neve dhe botën tonë drejt ardhjes së Mbretërisë së Hyjit. Në Ungjillin e sotëm, Jezusi kumton se ka filluar era e re, në të cilën Shpirti Shenjt do të derdhet mbi mbarë njerëzimin (krh. Lk 4, 21). Ai vetë, i ngjizur për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe lindur prej Marisë Virgjër, ka ardhur mes nesh për të na çuar tek Shpirti. Si burim i jetës sonë të re në Hyjin, Shpirti Shenjt është edhe, në një mënyrë shumë të vërtetë, fryma e Kishës, dashuria që na lidh me Zotin e mes nesh dhe drita e syve tanë për t'i parë mrekullitë e hirit të Hyjit në të gjithë ne.

Këtu në Australi, kjo “tokë e madhe jugore e Shpirtit Shenjt”, ne të gjithë kemi bërë një përvojë të mrekullueshme të pranisë dhe të fuqisë së Shpirtit Shenjt në bukurinë e natyrës. Sytë tanë janë hapur për të parë botën rreth nesh ashtu si me të vërtetë është: “plot” siç thotë poeti “me madhështinë e Hyjit”, plot me lavdinë e dashurisë së Tij krijuese. Edhe këtu, në këtë asamble të madhe të rinjsh të krishterë të ardhur prej gjithë botës, kemi pasur një përvojë të gjallë të pranisë dhe të forcës së Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës. E kemi parë Kishën për atë që me të vërtetë është: Trup i Krishtit, bashkësi e gjallë dashurie, ku janë të mbledhur njerëz të çdo race, kombi dhe gjuhe, të çdo kohe e vendi, në njësinë e lindur nga feja jonë në Zotin e ngjallur.

Forca e Shpirtit nuk resht kurrë së mbushuri jetën e Kishës.

Nëpërmjet hirit të Sakramenteve të Kishës, kjo forcë rrjedh edhe në brendësinë tonë, si një lumë i nëndheshëm që ushqen shpirtin dhe na tërheq gjithnjë e më afër burimit të jetës sonë të vërtetë, që është Krishti. Shën Injaci i Antiokisë, i cili vdiq në Romë në fillim të shek. II, na ka lënë një përshkrim të mrekullueshëm të forcës së Shpirtit, që banon në ne. Ai ka folur për Shpirtin Shenjt si për një burim uji të gjallë, që gurgullon në zemrën e tij dhe që pëshpërit: “Eja, eja tek Ati!” (krh. Rom 6, 1-9).

Megjithatë kjo forcë, hiri i Shpirtit, nuk është diçka që mund ta meritojmë apo ta fitojmë; atë vetëm mund ta marrim si dhuratë të pastër. Dashuria e Hyjit mund ta përhapë forcën e vet vetëm kur e lejojmë të na ndryshojë nga brenda. Ne duhet t'ia lejojmë të depërtojë në koren e fortë të shpërfilljes sonë, të lodhjes sonë shpirtërore, të konformizmit tonë të verbër sipas shpirtit të kohës sonë. Vetëm atëherë mund t'ia lejojmë ta ndezë imagjinatën tonë dhe t'i plazmojë dëshirat tona më të thella. Ja pse lutja është kaq e rëndësishme: lutja e përditshme, ajo private në heshtjen e zemrave tona dhe përpara të Shenjtërueshmit Sakrament dhe lutja liturgjike në zemrën e Kishës. Ajo është thjesht perceptueshmëri e hirit të Hyjit, dashuri në veprim, bashkësi me Shpirtin që banon në ne dhe na drejton, nëpërmjet Jezusit, në Kishë, tek Ati i tij qiellor. Në fuqinë e Shpirtit të Tij, Jezusi është gjithmonë i pranishëm në zemrat tona, duke pritur në qetësi që të bëhemi gati, në heshtje afër Tij, për të dëgjuar zërin e Tij, për të qëndruar në dashurinë e Tij dhe për të marrë “forcën që vjen prej së larti”, një forcë që na bën të aftë për të qenë kripë dhe dritë për botën tonë.

Duke u ngjitur në qiell, Zoti i Ngjallur, u thotë nxënësve të vet: “do të bëheni dëshmitarët e mi... deri në skajin e botës” (Vap 1, 8). Këtu, në Australi, falënderojmë Zotin për dhuratën e fesë, që ka ardhur deri tek ne, në këtë kohë dhe në këtë vend, si një thesar i përçuar nga brezi në brez në bashkësinë e Kishës. Këtu, në Oqeani, falënderojmë në mënyrë të veçantë të gjithë ata misionarë heroikë, meshtarë dhe rregulltarë të angazhuar, prindër e gjyshër të krishterë, mësues dhe udhëheqës që kanë ndërtuar Kishën në këtë tokë. Dëshmitarë si e Lumja Maria MacKillop, Shën Pietro Chanel, i Lumi Pietro To Rot dhe shumë të tjerë! Forca e Shpirtit, shfaqur në jetën e tyre, është ende në veprim në nismat bamirëse që ata kanë lënë, në shoqërinë që kanë plazmuar dhe që tani u është dorëzuar juve.

Të dashur të rinj, më lejoni t'ju bëj një pyetje. Çfarë do t'i lini ju breznisë së ardhshme? A jeni duke i ndërtuar ju ekzistencat tuaja mbi themele të qëndrueshme, a jeni duke ndërtuar diçka që do të zgjasë? A jeni duke i jetuar jetët tuaja në atë mënyrë që t'i krijoni hapësirë Shpirtit në mes të një bote që dëshiron ta harrojë Hyjin, apo madje ta hedhë poshtë në emër të një koncepti të rremë lirie? Si jeni duke i përdorur dhuratat që ju janë dhënë, “forcën” që Shpirti Shenjt është edhe tani i gatshëm ta derdhë mbi ju? Çfarë trashëgimie po u lini të rinjve që do të vijnë? Çfarë ndryshimi do të bëni ju?

Forca e Shpirtit Shenjt as vetëm nuk do të na ndriçojë dhe as vetëm nuk do të na ngushëllojë. Na adreson drejt të ardhmes, drejt ardhjes së Mbretërisë së Hyjit. Çfarë vegimi të mrekullueshëm të një njerëzimi të shëlbuar dhe të ripërtërirë ne do të arrijmë të shohim në erën e re premtuar nga Ungjilli i sotëm! Shën Luka na thotë se Jezu Krishti është plotësimi i të gjitha premtimeve të Hyjit, Mesia që zotëron plotësinë e Shpirtit Shenjt për t'ia komunikuar mbarë njerëzimit. Derdhja e Shpirtit të Krishtit mbi njerëzimin është një peng shprese dhe lirimi kundër gjithçkaje që na varfëron. Kjo derdhje i dhuron një shikim të ri të verbërit, liron të shtypurit, dhe krijon njësi në dhe me ndryshueshmëritë (krh. Lk 4, 18-19; Is 61, 1-2).Kjo forcë mund të krijojë një botë të re: mund “ta ripërtërijë fytyrën e tokës!” (krh. Ps 104, 30). I përforcuar nga Shpirti dhe duke pasur një këndvështrim të pasur feje, një brez i ri të krishterësh është i thirrur për të kontribuar në ndërtimin e një bote ku jeta mirëpritet, respektohet dhe përkujdeset me dashuri, nuk shtyhet apo druhet si një kërcënim dhe për këtë shkatërrohet. Një erë e re në të cilën dashuria nuk është lakmuese dhe egoiste, por e pastër, besnike dhe sinqerisht e lirë, e hapur ndaj të tjerëve, e respektshme ndaj dinjitetit të tyre, një dashuri që nxit të mirën e tyre dhe rrezaton gëzim e bukuri. Një erë e re në të cilën shpresa na liron nga sipërfaqësia, nga apatia dhe nga mbyllja që mundojnë shpirtrat tanë dhe helmojnë marrëdhëniet njerëzore. Të dashur të rinj, Zoti është duke ju kërkuar që të jeni profetë të kësaj ere të re, lajmëtarë të dashurisë së Tij, të aftë për t'i çuar njerëzit drejt Atit dhe për të ndërtuar një të ardhme shprese për mbarë njerëzimin. Bota ka nevojë për këtë ripërtëritje! Në shumë prej shoqërive tona, krahas mirëqenies materiale, është duke u përhapur edhe shkretimi shpirtëror: një boshllëk i brendshëm, një frikë e papërcaktuar, një ndjenjë e fshehtë dëshpërimi. Sa prej bashkëkohësve tanë janë “si puse të shpuara që s'mund ta mbajnë dot ujët” (Jer 2, 13) në një kërkim të dëshpëruar domethënieje, të asaj domethënieje të fundit që vetëm dashuria mund të japë? Kjo është dhurata e madhe dhe liruese që Ungjilli mbart me vete: ai ia zbulon dinjitetin tonë burrave dhe grave të krijuar në ngjashmëri dhe në përngjasim me Hyjin. Zbulon thirrjen sublime të njerëzimit, që është ajo e të gjeturit të plotësisë vetjake në dashuri. Ai ia hap të vërtetën njeriut, të vërtetën mbi jetën.

Edhe Kisha ka nevojë për këtë ripërtëritje! Ka nevojë për fenë tuaj, për idealizmin tuaj dhe për bujarinë tuaj, me qëllim që kështu të mund të jetë gjithnjë e re në Shpirt (krh. Lumen gentium, 4). Në Leximin e Dytë të ditës së sotme, Pali apostull na kujton se çdo i krishterë ka marrë një dhuratë që duhet të përdoret për ndërtimin e Trupit të Krishtit. Kisha ka veçanërisht nevojë për dhuratën e të rinjve, të të gjithë të rinjve. Ajo ka nevojë të rritet në forcën e Shpirtit, që edhe tani ju dhuron gëzim juve të rinjve dhe ju frymëzon për t'i shërbyer Zotit me gëzim. Hapjani zemrën tuaj kësaj force! Ia drejtoj këtë apel në mënyrë të veçantë atyre që janë të thirrur në jetën meshtarake dhe të kushtuar. Mos kini frikë t'i thoni “po” Jezusit, të gjeni gëzim në kryerjen e vullnesës së Tij, duke u dhuruar plotësisht për të arritur shenjtërinë dhe duke përdorur dhuntitë tuaja në shërbim të të tjerëve! Pas pak do të kremtojmë Sakramentin e Krezmimit. Shpirti Shenjt do të zbresë mbi kandidatët; ata do të “shënohen” me dhuratën e Shpirtit dhe do të dërgohen për të qenë dëshmitarë të Krishtit. Çfarë do të thotë të marrësh “vulën” e Shpirtit Shenjt? Do të thotë të shënohesh në mënyrë të pashlyeshme, të pandryshueshme, do të thotë të jesh krijesë e re. Për ata që e kanë marrë këtë dhuratë, asgjë s'mund të jetë më e njëllojtë! Të jesh “i pagëzuar” në Shpirt do të thotë të digjesh nga dashuria për Hyjin. Ta “shuash etjen” me Shpirtin Shenjt (krh. 1 Kor 12, 13) do të thotë të freskohesh nga bukuria e planit të Hyjit për ne dhe për botën, dhe të bëhemi edhe ne burim freskimi për të tjerët. Të jesh “i vulosur me Shpirtit Shenjt” do të thotë gjithashtu të mos kesh frikë ta mbrosh Krishtin, duke lënë që e vërteta e Ungjillit të depërtojë mënyrën tonë të të parit, të të menduarit dhe të të menduarit, ndërsa punojmë për ngadhënjimin e qytetërimit të dashurisë. Në lartësimin e lutjes sonë për të sapokrezmuarit, le të lutemi edhe që forca e Shpirtit Shenjt ta rigjallërojë hirin e Krezmimit tonë. Dashtë Shpirti Shenjt të'i derdhë dhuratat e Tij me bollëk mbi të gjithë të pranishmit, mbi qytetin e Sidneit, mbi këtë tokë të Australisë dhe mbi mbarë popullin e Tij. Që secili prej nesh u ripërtëriftë në shpirtin e urtisë dhe të mençurisë, në shpirtin e gjykimit të drejtë dhe të guximit, në shpirtin e njohjes dhe të mëshirës, në shpirtin e mrekullimit dhe të drojes së pranisë së Hyjit!

Nëpërmjet ndërmjetësimit dashamirës të Marisë, Nënës së Kishës, kjo Ditë XXIII Botërore e Rinisë u jetoftë si një Çenakull i ri, kështu që të gjithë ne, të ndezur nga zjarri i dashurisë së Shpirtit Shenjt, të mund të vazhdojmë ta shpallim Zotin e ngjallur dhe ta çojmë çdo zemër tek Ai. Amen!

shërbim të të tjerëve! Pas pak do të kremtojmë Sakramentin e Krezmimit. Shpirti Shenjt do të zbresë mbi kandidatët; ata do të “shënohen” me dhuratën e Shpirtit dhe do të dërgohen për të qenë dëshmitarë të Krishtit. Çfarë do të thotë të marrësh “vulën” e Shpirtit Shenjt? Do të thotë të shënohesh në mënyrë të pashlyeshme, të pandryshueshme, do të thotë të jesh krijesë e re. Për ata që e kanë marrë këtë dhuratë, asgjë s'mund të jetë më e njëllojtë! Të jesh “i pagëzuar” në Shpirt do të thotë të digjesh nga dashuria për Hyjin. Ta “shuash etjen” me Shpirtin Shenjt (krh. 1 Kor 12, 13) do të thotë të freskohesh nga bukuria e planit të Hyjit për ne dhe për botën, dhe të bëhemi edhe ne burim freskimi për të tjerët. Të jesh “i vulosur me Shpirtit Shenjt” do të thotë gjithashtu të mos kesh frikë ta mbrosh Krishtin, duke lënë që e vërteta e Ungjillit të depërtojë mënyrën tonë të të parit, të të menduarit dhe të të menduarit, ndërsa punojmë për ngadhënjimin e qytetërimit të dashurisë. Në lartësimin e lutjes sonë për të sapokrezmuarit, le të lutemi edhe që forca e Shpirtit Shenjt ta rigjallërojë hirin e Krezmimit tonë. Dashtë Shpirti Shenjt të'i derdhë dhuratat e Tij me bollëk mbi të gjithë të pranishmit, mbi qytetin e Sidneit, mbi këtë tokë të Australisë dhe mbi mbarë popullin e Tij. Që secili prej nesh u ripërtëriftë në shpirtin e urtisë dhe të mençurisë, në shpirtin e gjykimit të drejtë dhe të guximit, në shpirtin e njohjes dhe të mëshirës, në shpirtin e mrekullimit dhe të drojes së pranisë së Hyjit!

Nëpërmjet ndërmjetësimit dashamirës të Marisë, Nënës së Kishës, kjo Ditë XXIII Botërore e Rinisë u jetoftë si një Çenakull i ri, kështu që të gjithë ne, të ndezur nga zjarri i dashurisë së Shpirtit Shenjt, të mund të vazhdojmë ta shpallim Zotin e ngjallur dhe ta çojmë çdo zemër tek Ai. Amen!

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster