ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VITI JUBILAR I SHËN PALIT APOSTULL

 

Më 28 qershor 2008, papa ynë Benedikti XVI, shpalli zyrtarisht fillimin e Vitit Jubilar të shën Palit, duke i mundësuar mbarë Kishës Katolike një kohë të veçantë hiri. Këtë ai e shpalli në homelinë që mbajti gjatë mbrëmësores së parë të së kremtes të Shën Pjetrit e Palit, të kryesuar në bazilikën Shën Pali jashtë mureve, në Romë.

Ndër të tjera Ati i Shenjtë tha: «Nga Letrat e tija e dimë se Pali nuk e kishte aspak famën e një folësi të shkathtë; përkundrazi ai bashkëndante me Moisiun e me Jereminë mangësinë e talentit oratorik. “Prania e tij me trup është e dobët dhe fjalët të pa vlera” (2 Kor 10,10), thonin për të kundërshtarët e tij. Pra, rezultatet e jashtëzakonshme apostolike të tij, nuk i duhen atribuar ndonjë retorike të shkëlqyer apo strategjive të holla apologjetike dhe vizionare. Suksesi i apostullimit varet sidomos nga një përfshirje personale në të shpallurit e Ungjillit me përkushtim të tërësishëm ndaj Krishtit; përkushtim që nuk i druhet rreziqeve, vështirësive dhe persekutimeve. […]Aty ku mungon gatishmëria e plotë, zbehet argumenti vendimtar i së vërtetës nga e cila vetë Kisha varet».

Pasi fton që të shihet se sa e nevojshme është edhe sot deshmia personale që e duan Krishtin me bujari të plotë dhe me gatishmërinë për të sakrifikuar për Të gjithçka, duke jetuar e duke punuar për Të, duke vuajtur e duke vdekur për Të, tamam si Pali, Ati i Shenjtë shpalli: «Pikërisht për këtë arsye, me kënaqësi po e shpallizyrtarisht se Palit apostull do t'i kushtojmë një vit të veçantë jubilar nga 28 qershori i 2008-ës deri më 29 qershor 2009, me rastin e dymijë vjetorit të lindjes së tij, për të cilën nga historianët thuhet të ketë ndodhur mes vitit 7-10 pas Krishtit. Ky “Vit Jubilar” do të mund të zhvillohet në mënyrë të privilegjuar në Romë, aty ku që prej njëzet shekujsh ruhet poshtë altarit papnor të kësaj Bazilike sarkofagu që, sipas mendimit të përbashkët të ekspertëve dhe sipas pohimit të traditës, mban eshtrat e Palit apostull».

Në përfundim papa ftoi që këtë vit të organizohen shtegtime, të zhvillohen iniciativa të ndryshme liturgjike, baritore dhe shoqërore. Ai nxiti gjithashtu edhe mbajtjen e konferencave të ndryshme e studimeve më të thella që të kenë për qëllim njohjen e këtij njeriu që me dashurinë e tij për Krishtin u bë i çmueshëm për mbarë Kishën, si me jetën ashtu edhe me shkrimet e tij. Së fundi dhe në mënyrë të veçantë Ati i shenjtë i ftoi barinjtë e kishave lokale dhe teologët e ndryshëm që të angazhohen posaçërisht për dimensionin ekumenik, për bashkimin e Kishës, çështje kjo shumë e pranishme në mendjen dhe zemrën e Shën Palit.

Edhe ipeshkvijtë e Shqipërisë na kanë drejtuar një letër pikërisht për këtë Vit Jubilar të shën Palit dhe ndër të tjera na nxisin që ne të përfitojmë siç duhet nga kjo kohë e veçantë hiri. «Pali na paraqitet si njeriu që e ka takuar Krishtin, që ka jetuar në Krishtin dhe që e ka shpallur Krishtin. Në një ekstazë dashurie Pali e shpreh pandashmërinë e tij nga Krishti me këto fjalë: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Spata?... As vdekja, as jeta … dhe asnjë krijesë nuk do të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8, 35. 38. 39). Dhe sot ndoshta më shumë se kurrë kemi nevojë ta dëgjojmë mesazhin e shën Palit».

 

Dom Dritan Ndoci

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster